Indeksi rajonal i hapjes tregon se institucionet e pushtetit ekzekutiv në rajon e publikojnë informacionin më themelor në lidhje me punën e tyre, por publikut në përgjithësi i mohohet qasja në informacionin kyç, u konkludua në panelin e tretë të konferencës rajonale “Procesi i krijimit të politikave publike: pjesëmarrja, transparenca, llogaridhënia” e organizuar nga Qendra për Tranzicion Demokratik (QTD).
Duke folur për transparencën e institucioneve në Serbi, përfaqësuesja e Partnerët Serbi, Kristina Obrenoviq, deklaroi se hulumtimet, raportet nga organizatat ndërkombëtare dhe realiteti i qytetarëve tregojnë se institucionet po mbyllen gjithnjë e më shumë.
“Ky vit shënon 20 vjet që nga zbatimi i Ligjit për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik në Serbi, dhe na duket se nuk mund t’i veçojmë ata kampionë të transparencës. Për vite me radhë, kemi pasur një listë pyetjesh të papërgjigjura, e cila rritet për çdo ditë. Edhe pse Indeksi Rajonal i Hapjes tregon se institucionet e publikojnë informacionin më themelor, qasja në informacionin kyç ende mungon” – tha Obrenoviq.
Ajo tha se në Serbi mbahen debate publike, por, siç vlerësoi ajo, ato kanë shumë pak efekt.
Mungon momenti që është shumë më i rëndësishëm, që është konsultimi i hershëm publik. Në fazën kur kemi një propozim-ligj dhe debat publik, ai është tashmë një ligj i formuar, një propozim i formuar. Atje, diskutimi publik mund të kontribuojë vetëm për disa ndryshime teknike, ose nëse publiku e kundërshton fuqimisht një zgjidhje, është e mundur që diçka të ndryshojë. Neglizhimi i konsultimeve të hershme publike do të thotë që publiku i interesuar e humb mundësinë për të ndikuar në strukturën, përmbajtjen dhe cilësinë e ligjit” – tha Obrenoviq.
Ajo i problematizon ligjet lex specialis që miratohen pa pjesëmarrjen e publikut, duke theksuar se me miratimin e këtyre ligjeve lehtësohen aktivitetet e detyrueshme që i paraprijnë miratimit të ligjeve të rregullta.
As në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka përparim më të madh dhe më të dukshëm në aspektin e transparencës në punën e institucioneve – tha përfaqësuesi i shoqatës “Zashto Da Ne” (Pse Jo?) nga Bosnja dhe Hercegovina, Amina Izmirliq Qatoviç.
“Disa nga institucionet, një numër shumë i vogël, kanë arritur të njohin rëndësinë e hapjes dhe transparencës dhe t’i përmirësojnë rezultatet, por nuk ka pasur ndonjë ndryshim në një nivel më të gjerë. Ende kemi institucione të shumta që ngecin, me njëfarë progresi minimal ose gjithçka tjetër është në një nivel të ulët hapjeje” – tha Izmirliq Qatoviç.
Ajo shpjegoi se institucionet në nivel shtetëror karakterizohen me transparencë më të madhe, e cila, siç deklaroi ajo, zakonisht varet nga udhëheqësi i këtyre institucioneve.
“Institucionet janë më të hapura nëse shkojmë drejt niveleve më të larta organizative të pushtetit, por ka një pabarazi në ato grupe institucionesh dhe mund të konkludojmë se hapja varet vetëm nga vullneti i mirë i personit që i drejton ato. Në të njëjtën kohë, institucionet në nivel shtetëror arritën një rezultat pak më të mirë krahasuar me institucionet në nivel entiteti, e kam fjalën për të dy entitetet” – tha Izmirliq Qatoviç.
Te disa institucione shtetërore, deklaroi Izmirliq Qatoviç, nuk ka informacion themelor për organizatën, duke marrë parasysh se segmenti i transparencës buxhetore dhe furnizimeve publike mund të përmirësohet ndjeshëm.
Duke e komentuar procesin e debateve publike në Bosnjë dhe Hercegovinë, Izmirliq Qatoviç tha se, nëse flitet për ligje që janë me natyrë politike dhe për të cilët tashmë është vendosur se do të miratohen, duke përmendur si shembull Ligjin për Agjentët e Ndikimit të Huaj në Republikën Serbe, debatet publike zhvillohen vetëm formalisht.
“Në thelb, debatet publike nuk përfaqësojnë asnjë mënyrë për të ndikuar në ndryshimet në ligjet që zakonisht miratohen me procedurë urgjente” – vlerësoi Izmirliq Qatoviç.
Përfaqësuesja e Fondacionit Metamorfozis nga Maqedonia e Veriut, Milla Josifovska Danillovska, deklaroi se që nga fillimi i zbatimit të Indeksit Rajonal të Hapjes, është vërejtur përparim në nivelin e transparencës së pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ.
“Kur ua theksuam për herë të parë mangësitë e tyre në aspektin e qeverisjes së mirë, ata përvetësuan një qasje strategjike për zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve. Sigurisht, ata nuk arritën nivelin më të lartë, por në fillim qeveria i detyroi të gjitha institucionet të publikonin një grup prej 21 informacionesh rreth punës së tyre. Pastaj ata futën në përdorim një mjet llogaridhënieje për bartësit e funksioneve publike, ku mund të shihen shpenzimet e secilit funksionar. Ky mjet funksionoi deri në vitin 2021” – shpjegoi Josifovska Danillovska.
Duke i komentuar rezultatet e arritura nga ministritë në Maqedoninë e Veriut, të cilat janë më të mira se rezultatet e ministrive në rajon, Josifovska Danillovska e përmendi Strategjinë për Transparencë si një arsye të pjesshme për këtë sukses, e cila, siç shpjegoi ajo, u krijua në një proces konsultativ me shoqërinë civile dhe institucionet.
“Kjo Strategji bazohet kryesisht në parimet e Indeksit Rajonal të Hapjes dhe u mbështet financiarisht dhe me ekspertizë nga Metamorfozis. Institucionet e njohën vlerën e indeksit. Qëllimi i Strategjisë është të përmirësojë transparencën aktive, transparencën fiskale, qasjen në informacion dhe aftësitë digjitale të institucioneve në mënyrë që disa procese të mund të automatizohen” – shpjegoi ajo.
Konferenca u organizua si pjesë e projektit të financuar nga Fondi Kombëtar për Demokraci (NED). Pikëpamjet e shprehura gjatë ngjarjes i përfaqësojnë mendimet e pjesëmarrësve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Linku deri te artikulli origjinal: U regionu izostaju ključne informacije o radu vlada » CDT
Ndaje: