Ne, organizatat qytetare nga Platforma për luftë kundër korrupsionit me rastin e 9 dhjetorit Ditës ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit i bashkangjitemi fushatës globale të Kombeve të Bashkuara me moton “Të bashkuar kundër korrupsionit”.

Në periudhën që pason, ka nevojë për luftë të vendosur dhe këmbëngulëse kundër korrupsionit. Sipas raportit të Komisionit Evropian, korrupsioni paraqet njërën nga pengesat në rrugën e përbashkët drejt integrimit evropian të vendit. Pothuajse çdo qytetar i tretë i është nënshtruar njëfarë forme të korrupsionit administrativ, ndërsa tre nga çdo katër qytetarë konsiderojnë se në Maqedoni ka korrupsion të përhapur. Njëkohësisht, ka mungesë të vazhdueshme të vullnetit te institucionet kompetente për t’u përballur me korrupsionin e lartë dhe për të ngritur hetime për indikacionet për përfshirje të funksionarëve të lartë në aktivitete korruptive.

Prandaj, u bëjmë thirrje:

  • Partive politike që do të fitojnë në zgjedhje dhe atyre që do të jenë në opozitë, bashkërisht dhe në mënyrë serioze të merren me zgjidhjen e këtij problemi në përbërjen e ardhshme të Kuvendit.
  • Prokurorive publike dhe gjykatave në Republikën e Maqedonisë që ta luftojnë korrupsionin në mënyrë më efikase.
  • Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit që në mënyre efektive t’i realizojë kompetencat e tij për mbikëqyrjen e aktiviteteve korruptive të të gjitha institucioneve publike.
  • Gazetarëve që t’i intensifikojnë storjet hulumtuese si një nga veglat më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.
  • Qytetarëve dhe organizatave qytetare që bashkërisht dhe në mënyrë proaktive të veprojnë për luftimin e korrupsionit dhe në dhënien e rezistencës për pranimin e saj si normë shoqërore.

Lufta kundër korrupsionit është çështje shoqërore dhe do të varet nga integriteti i të gjithë faktorëve të shoqërisë, prej nesh si individë dhe prej institucioneve që janë të kyçura në këtë proces. Qytetarët e Maqedonisë meritojnë institucione efikase dhe me integritet që të jetojnë në një shoqëri ku sundon e drejta.

Urime Dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit.

Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit është themeluar më 9 dhjetor të vitit 2014 nga ana e 15 organizatave qytetare: Аsociacioni për iniciativa demokratike, Instituti për demokraci “Societas Civilis” Shkup, Qendra hulumtuese për shoqëri qytetare, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, KONEKT, Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, Меtamorfozis, MOST, Instituti “Ohrid”, Transparency International Maqedoni, Transparencë Maqedoni, Fondacioni Shoqëri e hapur – Maqedoni, Forumi CSID, Qendra për komunikime qytetare dhe Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave.

Platforma ka për qëllim krijimin e një shoqërie qytetare proaktive, dinamike dhe të aftë, që do të luajë rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Ndaje: