Fondacioni Metamorfozis zhvilloi një ngjarje online, ku me titull u prezantuan aktivitetet dhe arritjet e projektit “Përgjigje e shpejtë ndaj dezinformatave për vaksinat”, të cilin Fondacioni Metamorfozis nga Shkupi e realizoi përmes edicioneve të saj digjitale Vërtetmatës, Meta dhe Portalb, dhe i cili u ndihmua nga Fondi Ballkanik për Demokraci. Projekti rezultoi në një dokument përfundimtar që përmban një pasqyrë të të gjitha llojeve të ndryshme të dezinformatave dhe konkluzione e rekomandime për gazetarët, hulumtuesit, por edhe për të gjithë ata që duan të thellohen në botën e dezinformatave dhe vaksinave kundër Kovid-19.
Vaksinat e ndryshojnë strukturën e ADN-së, vetëm jobesimtarët vaksinohen, vaksinat përmbajnë çipa, ndërsa njerëzit që i vaksinojnë fëmijët e tyre në fakt ia shesin djallit.
Kjo është vetëm një pjesë e vogël e dezinformatave në lidhje me Kovid-19 dhe vaksinimin, të cilat janë përhapur në rrjetet sociale dhe në një pjesë të vogël të mediave gjatë pandemisë së koronavirusit.
Sot, Fondacioni Metamorfozis mbajti një ngjarje online, ku u prezantuan aktivitetet dhe arritjet e projektit me titull “Përgjigje e shpejtë ndaj dezinformatave për vaksinat”, të cilin Fondacioni Metamorfozis nga Shkupi e realizoi përmes edicioneve të saj digjitale Vërtetmatës, Meta dhe Portalb, dhe i cili u ndihmua nga Fondi Ballkanik për Demokraci, një iniciativë e Fondit Gjerman Marshall nga Uashingtoni.
Ky projekt është zbatuar në periudhën qershor 2021 deri në shkurt 2022 dhe ka rezultuar me një dokument përfundimtar, “Faktet, këmbëngulja dhe qëndrueshmëria janë armët më të rëndësishme në luftën kundër dezinformatave për vaksinat”., i cili ofron një përmbledhje të aktiviteteve të verifikimit të fakteve të dezinformatave për vaksinat, si dhe temave dhe shpjeguesve të shumtë të botuar, të lidhura gjithashtu me dezinformatat për vaksinat dhe Kovid-19.
Kryeredaktori i Vërtetmatës-it në maqedonisht, Vlladimir Petreski, thotë se projekti ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse u zbatua në një kohë kur u shfaqën variantet e reja të koronavirusit, kurse vaksinimi në vend shënonte ngecje.
Jemi përpjekur të fusim teknika inovative dhe bashkëpunim me shoqata të ndryshme, dhe në këtë mënyrë ta rrisim përhapjen e së vërtetës kur bëhet fjalë për dezinformatat për vaksinat. Mendoj se këto verifikime të fakteve patën një ndikim serioz në vaksinimin në vend. Kemi pasur bashkëpunim të drejtpërdrejtë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, gjegjësisht kemi hapur grupe në Viber dhe Whatsapp për të bërë pyetje, ku ka pasur edhe kolegë nga redaksitë e tjera, për t’i verifikuar faktet. E gjithë kjo ka kontribuar në përshpejtimin e procesit të verifikimit, tha Petreski.
Sipas tij, niveli i dezinformatave për Kovidin dhe për vaksinimin është i ndryshëm kur bëhet fjalë për rrjetet sociale dhe për mediat. Niveli i dezinformatave në media është shumë më i ulët, ndërs a më virale janë postimet në rrjetet sociale, kështu që gëzon fakti se Facebook-u është shumë rigoroz në këtë drejtim, gjegjësisht ekziston një doracak i veçantë për dezinformatat për Kovidin, i cili është shumë i rreptë dhe i fshin një pjesë të madhe të të pavërtetave të publikuara.
Doktoresha Aleksandra Georgieva, Kryetar i Shoqatës së Specializantëve dhe Mjekëve të Rinj, i ndau përvojat nga puna e saj e rregullt, gjegjësisht përvojat e fituara në komunikimin me pacientët, si dhe gjatë konsultimeve në kuadër të projektit. Shoqata e Specializantëve dhe Mjekëve të Rinj ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me verifikuesit e fakteve dhe me ndihmën dhe ekspertizën e tyre janë bërë më shumë se 60 verifikime.
Mirosllava Burns, bashkëpunëtore e përhershme dhe gazetar në Vërtetmatës, vuri në dukje llojet kryesore të dezinformatave në lidhje me vaksinimin kundër Kovid dhe koronavirusin, të cilat janë përhapur në publik.
Ka profile të caktuara me qëllim të veçantë, të cilat janë të dedikuara vetëm për përhapjen e dezinformatave dhe ato kanë viralitet dhe ndikim të madh, gjegjësisht kanë fuqinë ta përforcojnë perceptimin se këto informata janë të vërteta.
Sa i përket llojeve të dezinformatave, u përballëm me informacione për vaksinat dhe fëmijët, që është një temë e ndjeshme, narrativat ishin të ashpra, u shpërfillën rekomandimet dhe u përdor apeli “prindërit të mos ua japin fëmijët e tyre djallit”, pretendohej se Kovidi nuk i sulmon fëmijët dhe u publikuan fotografi të fëmijëve që gjoja kanë vdekur nga vaksinimi, për të cilat më vonë rezultuan se ishin fotografi nga helmimi me monoksid karboni në një vend të huaj.
Dezinformatat janë përhapur edhe përmes përdorimit të fesë, me narrativën se vetëm jobesimtarët vaksinohen dhe ia japin trupin e tyre djallit, nëse marrin vaksinë, tha Burns.
Megjithatë, dezinformatat më të rrezikshme, tha Burns, janë ato që ndajnë ilaçe dhe receta të patestuara për trajtimin e Kovid-19 ose të cilat gjoja rekomandohen të merren pas vaksinimit, si p.sh. agjërim 40-ditor me ujë, për ta detoksifikuar trupin pas vaksinimit, diçka që mund ta rrezikojë seriozisht shëndetin e njeriut.
Dokumenti përfundimtar, “Faktet, këmbëngulja dhe qëndrueshmëria janë armët më të rëndësishme në luftën kundër dezinformatave për vaksinat“ përmban një përmbledhje të të gjitha këtyre llojeve të ndryshme të dezinformatave të hasura nga ekipi i projektit për verifikimin e fakteve, e po ashtu përmban edhe përfundime dhe rekomandime për profesionistët e mediave, hulumtuesit dhe për t’u thelluar më thellë në botën e Kovid-19 dhe vaksinave kundër Kovid- 19.
Teksti është marrë nga Vërtetmatësi
Ndaje: