Një pjesë e ekipit të Fondacionit Metamorfozis morën pjesë në Programin Erasmus+ për Lëvizshmërinë me temë “Shkathtësitë e komunikimit digjital dhe marketingut për sektorin civil”, i cili u zhvillua nga data 13 deri më 15 shtator në Budapest, Hungari. Trajnimi u organizua nga Techsoup Europe dhe organizatori i ngjarjes ishte Fondacioni (NIOK).

Gjatë trajnimit treditor, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë se si të krijojnë një strategji të suksesshme marketingu (konceptin dhe mjetet), ku theks i veçantë iu kushtua hartëzimit të grupeve të synuara dhe analizimit të detajuar të profilit të tyre (zakonet gjatë kërkimit të informacionit, interesat personale, mosha, mjedisi e të ngjashme), me qëllim që të zbulohen pritshmëritë dhe kërkesat e tyre në mënyrë sa më efektive në drejtim të krijimit të një strategjie marketingu cilësore që do të arrijë deri te grupet specifike të synuara. Gjatë trajnimit, vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si të promovohen në mënyrë më efektive ofertat dhe paketat e Techsoup Europe, në mënyrë që të arrijnë deri te organizatat civile që nuk janë të njohura me ofertat e Techsoup Europe, që të tërheqin vëmendjen e tyre dhe në fund të bëhen përdorues potencial të së njëjtës.Mikpritësit – Fondacioni NIOK përgatiti një trajnim të shkëlqyer të mbushur me diskutime, mundësi për të shkëmbyer përvoja, për të mësuar aftësi dhe praktika të reja, si dhe për të zhvilluar një strategji marketingu brenda rrjetit TechSoup të përshtatur për secilën organizatë në veçanti. Ishte vërtet interesante, dhe do të thoja e nevojshme, të zbuloheshin mënyrat, mjetet dhe aftësitë e përdorura dhe të zotëruara nga kolegët e vendeve të tjera dhe që mund të aplikohen edhe në punën e organizatave vendase. Budapesti, edhe një herë na “trajton” me diell, arkitekturë të bukur dhe ushqim të shkëlqyeshëm”, tha Hristina Mirçevska – menaxhere projekti dhe një nga studentet e trajnimit.

Trajnimi treditor i lejoi pjesëmarrësit të ndajnë përvojat dhe praktikat e tyre të mira (strategjitë dhe mjetet e marketingut) që përdorin në punën e tyre të përditshme.
“Trajnimi ishte mjaft i dobishëm, duke pasur parasysh se kryesisht kishte të bënte me konceptet e marketingut dhe më pak me mjetet e marketingut, ai ishte i mbushur me ushtrime praktike si: krijimi i një strategjie vjetore marketingu, hartimi i grupeve të synuara etj. Për mua ishte veçanërisht e rëndësishme të dëgjoja se cilat strategji dhe taktika marketingu përdorin kolegët e organizatave të shoqërisë civile nga vende të tjera, duke pasur parasysh se ata vinin nga vende më të zhvilluara se Maqedonia”, deklaroi Violeta Jonçevska – Specialiste e marketingut në Fondacionin Metamorfosis.

“Ishte me të vërtetë domethënëse të shihje se si një organizatë globale si Techsoup kujdeset për përdoruesit e saj dhe se si përdor teknologjinë digjitale, pra marketingun digjital, për të arritur sa më shumë përfaqësues të sektorit civil në Evropë dhe në mbarë botën. Janë të rralla rastet kur organizatat vendore joqeveritare në Maqedoninë e Veriut përgatisin një strategji marketingu që është e dobishme në punën e tyre të përditshme”, tha Goran Rizaov – Udhëheqës i programit Mediat për Demokraci dhe pjesëmarrës në trajnim.

Në trajnim morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Hungaria, Portugalia, Republika Çeke, Polonia dhe Austria.

 

 

Ndaje: