Me ftesë të iniciativës globale – Partneriteti për Qeverisje të Hapur dhe Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), Milla Josifovska Danillovska, Menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis ishte folëse në konferencën rajonale “Forcimi i Qeverisjes së Hapur: Takim për PQH-në për Ballkanin Perëndimor”, i cili u zhvillua më 14 dhe 15 nëntor 2024 në Tiranë, Shqipëri.
Ajo mori pjesë në panelin “Avancimi i qeverisjes digjitale në fushat e PQH-së” ku me pjesëmarrësit e tjerë diskutoi për inovacionet në qeverisjen digjitale dhe strategjitë për ndërtimin e besimit midis qytetarëve.
Folës të tjerë në panel ishin Igor Vidaçak, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb, Kroaci, dhe Nadija Konashçuk, eksperte e të dhënave të hapura nga Ukraina, ndërsa moderatore ishte Bojana Bajiq, zyrtare për inovacione dhe digjhitalizimin e politikave publike në ReSPA.
“Institucionet ekzistojnë për t’u shërbyer qytetarëve ndërsa teknologjia, kur përdoret me përgjegjësi, ka fuqinë të përmirësojë ndjeshëm ofrimin e shërbimeve publike” – theksoi Josifovska-Danillovska në prezantimin e saj mbi përdorimin etik të teknologjive të reja në mbështetje të qeverisjes digjitale.
Në prezantimin e saj, ajo i theksoi mundësitë dhe rreziqet që i sjellin teknologjitë e reja, veçanërisht inteligjenca artificiale, në kontekstin e qeverisjes digjitale. Ajo i kushtoi rëndësi të veçantë përmirësimit të vendimmarrjes së bazuar në të dhëna, përmirësimit të shërbimeve publike përmes mbështetjes së shpejtë dhe të arritshme, zbulimit të mashtrimeve dhe reduktimit të korrupsionit me ndihmën e algoritmeve, forcimit të sigurisë publike dhe optimizimit të sistemit shëndetësor.
Megjithatë, Josifovska-Danillovska theksoi se këto përfitime kushtëzohen nga adresimi i sfidave etike, siç janë paragjykimet, shkeljet e privatësisë dhe transparenca e kufizuar. Ajo u bëri thirrje institucioneve të fusin në zbatim kontrolle etike, procese transparente dhe politika gjithëpërfshirëse, me qëllim të krijimit të një shoqërie digjitale të drejtë dhe të përgjegjshme.
Ky diskutim është një përkujtim për rëndësinë e llogaridhënies dhe respektit për të drejtat e njeriut në epokën e qeverisjes digjitale.
Ju kujtojmë se Fondacioni Metamorfozis përgatiti një Hulumtim mbi efektin e teknologjive të reja, me fokus të veçantë në inteligjencën artificiale, mbi të drejtat e njeriut në internet, i cili propozon një minimum standardesh etike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet gjatë vendimmarrjes së automatizuar.
Ndaje:

