Zhvillimi i teknologjisë bashkëkohore ka sjellë shumë përfitime, por edhe rreziqe të cilave duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë, veçanërisht me vendosjen e mbikëqyrjes me video, duke qenë se kohët e fundit është bërë “moderne” instalimi i kamerave në shtëpi, vende pune, ambiente publike etj. Përmes mbikëqyrjes me video përpunohen të dhëna personale, gjegjësisht fotografitë dhe incizimet e mbikëqyrjes me video në fakt janë të dhëna personale, pasi ato mund të përdoren për të identifikuar individët (drejtpërsëdrejti ose indirekt).

Rritja e përdorimit të mbikëqyrjes me video ka ndikim në sjelljen e qytetarëve. Në këtë drejtim, mbikëqyrja me video mund ta kufizojë mundësinë e lëvizjes anonime dhe përdorimit anonim të shërbimeve dhe në përgjithësi ta kufizojë mundësinë për të qenë i pa vërejtur.

Në kohën e sotme po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbetemi anonim dhe të ruajmë privatësinë tonë.

Mbikëqyrja me video përdoret për qëllime të ndryshme, por më së shpeshti për qëllime sigurie, me ç’rast duhen marrë garanci për të shmangur çdo keqpërdorim për qëllime krejtësisht të tjera dhe të papritura për individin (p.sh. për qëllime marketingu; për të monitoruar efektivitetin e performancës së punonjësve, etj.).

Çfarë nevojitet për të vendosur mbikëqyrjen me video?

Analiza e qëllimit/(qëllimeve) në formën e një dokumenti të veçantë

Para fillimit të procesit të vendosjes së një sistemi për kryerjen e mbikëqyrjes me video, kontrollori, gjegjësisht personi fizik ose juridik, organ i pushtetit shtetëror, organi shtetëror ose personi juridik i themeluar nga shteti për të ushtruar autorizime publike, agjencia ose organi tjetër (në tekstin e mëtejmë: kontrolluesi) është i detyruar të përgatisë një dokument të veçantë – analizën e qëllimit, gjegjësisht qëllimeve për të cilat është vendosur mbikëqyrja me video. Analiza i përmban arsyet e vendosjes së mbikëqyrjes me video me shpjegimin e nevojës për përmbushjen e qëllimit, gjegjësisht qëllimeve, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe përshkrimin e sendeve të paluajtshme dhe të luajtshme, gjegjësisht hapësirës që do të mbrohet me vendosjen e mbikëqyrjes me video.

Analiza detyrimisht duhet të përmbajë edhe mendimin e zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale te kontrolluesi, lidhur me vendosjen e sistemit të mbikëqyrjes me video.

Në bazë të analizës së përgatitur, dhe pas mendimit të marrë nga zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale, nga zyrtari, apo personi përgjegjës i kontrolluesit, merret vendim për vendosjen e sistemit të mbikëqyrjes me video si dokument i veçantë.

 

Përcaktimi i qëllimeve për vendosjen e mbikëqyrjes me video dhe pritshmëritë e arsyeshme të subjekteve të të dhënave personale

Mbikëqyrja me video në hapësirat zyrtare ose afariste të kontrolluesit mund të kryhet nëse kjo është e nevojshme për:

  • mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve;
  • mbrojtjen e pronës;
  • mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punonjësve për shkak të natyrës së punës ose
  • sigurimin e kontrollit mbi hyrjen dhe daljen nga hapësirat zyrtare ose afariste vetëm për qëllime sigurie.

Kontrolluesi mund të kryejë mbikëqyrje me video vetëm në hapësirën që është e mjaftueshme për të përmbushur qëllimet për të cilat është vendosur. Kjo do të thotë se nëse mbikëqyrja me video vendoset për të mbrojtur pronën ose për të kontrolluar hyrjen dhe daljen nga hapësirat zyrtare ose afariste vetëm për qëllime sigurie, qëllimi do të arrihet duke vendosur kamera vetëm në hyrje të ndërtesës, e jo edhe në korridore, kuzhina, dhomat e mbledhjeve, zyra, klasa etj. Në të njëjtën kohë, gjatë vendosjes së mbikëqyrjes me video në hyrje/dalje të një ndërtese (kompanie/institucioni shtetëror) duhet pasur kujdes që kamerat të drejtohen vetëm në pjesën që është në pronësi të kompanisë/institucionit shtetëror, përkatësisht ato të mos e mbulojnë sipërfaqen publike, kompanitë fqinje/institucione të tjera shtetërore fqinje, ndërtesa, banesa fqinje etj. Prandaj, gjatë vendosjes së mbikëqyrjes me video, duhet të respektohet e drejta e privatësisë së punonjësve, vizitorëve, palëve, klientëve, nxënësve, studentëve, pacientëve, blerësve dhe kategorive të tjera të subjekteve të të dhënave personale dhe vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet drejtimit të kamerave, hapësirës dhe këndi të mbulimit me mbikëqyrjen me video. Në këtë drejtim, është e ndaluar të kryhet mbikëqyrje me video në garderoba, dhoma të zhveshjes, tualete dhe hapësira të tjera të ngjashme.

Mbikëqyrja me video duhet të shihet si një masë e jashtëzakonshme, e cilat duhet të merret në konsideratë nëse nuk ka metodë/teknikë alternative më pak ndërhyrëse në privatësinë e individëve. Në këtë drejtim, masa konkrete që mund të jenë efektive kundër hyrjes me forcë në objekte, vjedhjeve dhe vandalizmit, sikurse edhe sistemet e mbikëqyrjes me video janë si më poshtë: duke e rrethuar pronën, duke futur patrullime të rregullta të personelit të sigurisë, duke përdorur portierë, duke siguruar ndriçim më të mirë, duke vendosur brava sigurie, dritare dhe dyer sigurie, etj.

Sa herë që vendoset mbikëqyrje me video, duhet të merret parasysh edhe koncepti i pritshmërive të arsyeshme të subjekteve të të dhënave personale, gjegjësisht të individëve/qytetarëve në lidhje me mbikëqyrjen me video në një situatë konkrete.

Për shembull, një punonjës në vendin e tij të punës në shumicën e rasteve ndoshta nuk pret të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme me video nga punëdhënësi i tij. Me këtë rast, punëdhënësi duhet ta respektojë privatësinë e të gjithë punonjësve gjatë qëndrimit në vendin e punës. Punonjësit kanë të drejtë të dinë se ku dhe kur janë incizuar, gjegjësisht kontrolluesi duhet t’i informojë për mbikëqyrjen me video në hapësirat zyrtare apo afariste. Punonjësit nuk duhet të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme me video.

Për më tepër, në dhomat e ekzaminimit dhe trajtimit të personave nuk duhet të pritet të ketë mbikëqyrje me video. Në këtë drejtim, nuk është e arsyeshme të pritet mbikëqyrje me video në ambientet sanitare, në një dhomë ku ekzaminohen pacientët apo në sauna – mbikëqyrja me video i ambienteve të tilla konsiderohet si cenim intensiv i të drejtave të subjektit të të dhënave personale dhe nuk lejohet.

Nga ana tjetër, klienti i një banke mund të presë që ai/ajo të monitorohet me mbikëqyrje me video në bankë ose nga bankomati.

 

Detyrimet për transparencë dhe informim

Subjektet e të dhënave personale (qytetarët/punonjësit…) duhet të informohen se kur dhe çfarë të dhënash përpunohen për ta, gjegjësisht duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se mbikëqyrja me video është funksionale. Prandaj, ata duhet të informohen në detaje për vendet që incizohen. Gjithashtu, kur kryhet mbikëqyrje me video, vendoset ndonjë njoftim i cili duhet të jetë i qartë, i vendosur në një vend të dukshëm dhe i shfaqur në mënyrë që të mundësojë që subjektet e të dhënave personale (qytetarët/punonjësit…) të informohen se po bëhet mbikëqyrje me video.

Njoftimi duhet të përmbajë informata se është kryer mbikëqyrje me video, se kush e kryen mbikëqyrjen me video (emri/titulli i kontrolluesit – personi fizik/juridik/organi shtetëror), për mënyrën se si mund të merren informata se ku dhe për sa kohë ruhen incizimet e sistemit të mbikëqyrjes me video.

 

Vlerësimi periodik në formën e një dokumenti të veçantë

Çdo dy vjet bëhet vlerësimi periodik i rezultateve të arritura të sistemit për mbikëqyrje me video, gjegjësisht vlerësohet nëse mbikëqyrja me video e ka përmbushur qëllimin për të cilin është vendosur (p.sh. qëllime sigurie), e veçanërisht për:

  • nevojën e mëtejshme për të përdorur sistemin e mbikëqyrjes me video
  • qëllimi, gjegjësisht qëllimet për kryerjen e mbikëqyrjes me video dhe
  • zgjidhjet e mundshme teknike për zëvendësimin e sistemit të mbikëqyrjes me video

Nga vlerësimi periodik i kryer, kontrolluesi është i detyruar të përgatisë një raport si pjesë përbërëse e dokumentacionit për vendosjen e sistemit të mbikëqyrjes me video.

 

Afati i ruajtjes dhe detyrimi për fshirje

Incizimet e bëra gjatë mbikëqyrjes me video mbahen deri në përmbushjen e qëllimeve për të cilat kryhet ajo, por jo më gjatë se 30 ditë, përveç nëse me ndonjë ligj tjetër nuk është parashikuar periudhë më e gjatë.

Prandaj, incizimet e mbikëqyrjes me video mund të mbahen më gjatë se afati i theksuar nëse me ndonjë ligj tjetër është parashikuar periudhë më e gjatë, i cili përmban masa mbrojtëse dhe masa të tjera për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të subjekteve të të dhënave personale, por jo më gjatë se deri në përmbushjen e qëllimit, gjegjësisht qëllimeve. Gjithashtu, incizimet me video mund të ruhen më shumë se 30 ditë, kur është e nevojshme për realizimin e interesit legjitim të kontrolluesit për kryerjen e procedurave përkatëse në përputhje me ligjin, për të cilën gjë kontrolluesi vendos rregulla të brendshme për mënyrën e ruajtjes dhe fshirjes së incizimeve.

Incizimet e bëra me mbikëqyrje me video nuk guxojnë t’u jepen të tjerëve në përdorim, përveç nëse është e nevojshme në procedurën e mundshme të prezantimit të provave, edhe atë në bazë të kërkesës me shkrim ose të kërkesës elektronike në përputhje me ligjin, nëse ai përdorues në përputhje me ligjin është i autorizuar t’i përpunojë ato të dhëna personale.

Çfarë masash teknike dhe organizative duhen zbatuar për të garantuar sigurinë gjatë kryerjes së mbikëqyrjes me video?

Për të vendosur mbikëqyrjen me video, është e nevojshme të përcaktohen masat teknike dhe organizative për garantimin e sigurisë së përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të mbikëqyrjes me video.

Masat teknike i referohen sigurisë së sistemit për mbikëqyrje me video dhe të dhënave të përfshira prej tij, të cilat mund të përfshijnë:

-mbrojtjen e të gjithë infrastrukturës së sistemit të mbikëqyrjes me video (duke përfshirë edhe kamerat në distancë, kabllot dhe furnizimin me energji elektrike) nga dëmtimet fizike dhe vjedhjet;

– mbrojtjen e transmetimit të incizimeve me kanale komunikimi të mbrojtura nga përgjimi;

– enkriptimi i të dhënave personale;

– përdorimi i zgjidhjeve harduerike dhe softuerike, të tilla si “muret mbrojtëse (firewalls), antiviruset ose sistemet e zbulimit të ndërhyrjeve kundër sulmeve kibernetike;

– zbulimin e defekteve të komponentëve, softuerit dhe ndërlidhjeve;

– mjetet për rivendosjen e disponueshmërisë dhe qasjes në sistem në rast të një incidenti fizik ose teknik.

Veçanërisht i rëndësishëm është edhe kontrolli i qasjes, që garanton se vetëm personat e autorizuar mund të kenë qasje në sistem dhe në të dhënat personale, ndërsa të tjerëve nuk u lejohet ta bëjnë këtë.

Për më tepër, masat organizative më tepër i referohen asaj se:

– kush është përgjegjës për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit të mbikëqyrjes me video;

– ku dhe kur lejohet mbikëqyrja me video, si dhe ku dhe kur nuk lejohet;

– masat për transparencë (raportim);

– fshirja e video incizimeve pas skadimit të datës për ruajtjen e tyre;

– si incizohet videoja dhe për çfarë kohëzgjatjeje, duke përfshirë ruajtjen arkivore të videove që lidhen me incidentet e sigurisë;

– kush duhet t’i nënshtrohet trajnimit të duhur dhe kur;

– kush ka qasje në video incizimet dhe për çfarë qëllime;

– nga kush dhe nga ku monitorohet mbikëqyrja me video, çfarë duhet bërë në rast të një incidenti me shkelje të sigurisë së të dhënave personale;

– çfarë procedurash duhet të ndjekin përdoruesit për t’i kërkuar incizimet me video;

– procedurat për furnizimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të mbikëqyrjes me video;

– procedurat për menaxhimin e incidenteve për rikuperim.

 

Vlerësimi i ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale – Raport

Vlerësimi i ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale është i nevojshëm të kryhet në rastet kur përpunimi i të dhënave personale kryhet duke përdorur mbikëqyrjen (monitorimin) sistematike të hapësirës së disponueshme publikisht në shkallë të gjerë. Për këtë vlerësim është e nevojshme të përgatitet një Raport, i cili në veçanti përmban: përshkrimin e procesit të përpunimit, personat e brendshëm dhe të jashtëm të përfshirë në procesin e kryerjes së vlerësimit, analizë të rrezikut, masa të përcaktuara për menaxhimin e rrezikut, përmbledhjen/përfundimet, planin e veprimit, mendimin e zyrtarit dhe të personave të tjerë të përfshirë në proces, miratimin e vlerësimit nga personi përgjegjës te kontrolluesi.

 

Akti për mënyrën e kryerjes së mbikëqyrjes me video

Për të kryer mbikëqyrje me video te kontrolluesi është e nevojshme të miratohet një akt i veçantë (procedurë, rregullore, politikë) me të cilin do të rregullohet në mënyrë të detajuar mënyra e kryerjes së mbikëqyrjes me video, gjegjësisht do të përshkruhet sistemi për kryerjen e mbikëqyrjes me video, qëllimi, gjegjësisht qëllimet e përpunimit të të dhënave personale, kategoritë e të dhënave personale, dhënia dhe transferimi i të dhënave personale të përpunuara përmes sistemit të mbikëqyrjes me video, masat teknike dhe organizative për të garantuar sigurinë e përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të mbikëqyrjes me video, personat e autorizuar për përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të mbikëqyrjes me video, deklarata për sigurinë e përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të mbikëqyrjes me video, afati i ruajtjes së incizimeve të mbikëqyrjes me video, njoftimi për kryerjen e mbikëqyrjes me video, mënyra e ushtrimit të të drejtave të subjektit të të dhënave personale (qytetarit/punonjësit…), specifikimet teknike të pajisjes, si dhe një plan ku është instaluar sistemi i mbikëqyrjes me video.

Cilat janë të drejtat themelore të qytetarëve?

Në aktin për mënyrën e kryerjes së mbikëqyrjes me video, është e nevojshme të parashikohet edhe mënyra e ushtrimit të të drejtave të subjekteve të të dhënave personale (qytetarëve/punonjësve…), në mënyrë që ata të njihen me mënyrën e sigurimit të informatave transparente, komunikimin dhe mënyrat e ushtrimit të të drejtave të tyre, informatat dhe qasjen në të dhënat personale, ushtrimin e të drejtës së korrigjimit dhe fshirjes së të dhënave, ushtrimin e së drejtës për kundërshtim dhe marrjen e automatizuar të vendimeve të caktuara.

 

E drejta për qasje

Qytetari ka të drejtë të marrë vërtetim nga kontrolluesi nëse të dhënat e tij/saj personale përpunohen ose jo. Sipas kësaj, në rastin e monitorimit në kohë reale kur të dhënat nuk ruhen apo transmetohen, gjegjësisht kur ato nuk incizohen, atëherë pasi të ketë kaluar momenti i monitorimit në kohë reale, kontrolluesi mund të japë vetëm informacionin se më nuk përpunohet asnjë e dhënë personale. Megjithatë, nëse të dhënat janë ende duke u përpunuar në momentin e kërkesës (gjegjësisht nëse të dhënat ruhen ose përpunohen vazhdimisht në ndonjë mënyrë tjetër), subjektit të të dhënave personale (qytetarit/punonjësit…) duhet t’i jepet qasje/kopje e incizimit të mbikëqyrjes me video në të cilën ai është i incizuar, si dhe informacionet përkatëse. Megjithatë, ka një sërë kufizimesh për sa i përket të drejtës për qasje. I tillë është rasti nëse kontrolluesi nuk arrin ta identifikojë individin, si dhe nëse kërkesa është e tepërt dhe e pabazuar, me ç’rast duhet ta informojë atë në mënyrë përkatëse, nëse është e mundur.

Gjithashtu, pasi një numër i pacaktuar individësh mund të incizohen në të njëjtën sekuencë të mbikëqyrjes me video, kontrolluesi duhet të marrë masa teknike për të mbuluar (mjegulluar) fytyrat e individëve që nuk i nënshtrohen kërkesës për qasje (për shembull, duke redaktuar fotografi, si p.sh. maskimi ose kriptimi).

 

E drejta për fshirje (“e drejta për t’u harruar”)

Qytetari ka të drejtë të kërkojë fshirjen e të dhënave personale nga mbikëqyrja me video.

Pas kërkesës për fshirje të parashtruar nga qytetari, kontrolluesi është i detyruar t’i fshijë të dhënat personale brenda 30 ditëve nga dita e parashtrimit të kërkesës për fshirje, nëse është plotësuar një nga kushtet e mëposhtme:

– të dhënat personale nuk nevojiten më për qëllimin për të cilin janë ruajtur fillimisht;

gjithmonë kur do të tërhiqet pëlqimi (dhe nuk ka bazë tjetër ligjore për përpunim);

– gjithmonë kur qytetari parashtron një ankesë dhe nuk ka qëllime legjitime mbizotërues për përpunim, ose në rastin e marketingut të drejtpërdrejtë (duke përfshirë edhe profilizimin) gjithmonë kur qytetari ka ankesë për përpunimin;

– të dhënat personale janë përpunuar në mënyrë të paligjshme;

-të dhënat personale duhet të fshihen për të përmbushur një detyrim të përcaktuar me ligj që ka të bëjë me kontrolluesin;

– të dhënat personale janë mbledhur në lidhje me ofertën e shërbimeve të shoqërisë informatike (kushtet që zbatohen për pëlqimin e një fëmije në lidhje me shërbimet e

shoqërisë informatike).

Shembull konkret: Dyqani ka probleme me vandalizmin për sa i përket pamjes së jashtme dhe për këtë arsye ka kamera të vendosura jashtë hyrjes. Një kalimtar i rastit kërkon që në atë moment të fshihen të dhënat e tij personale. Dyqani është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës pa vonesë të panevojshme dhe më së voni brenda një muaji. Duke qenë se incizimet nuk e përmbushin më qëllimin për të cilin janë ruajtur fillimisht (nuk ka ndodhur vandalizëm në momentin kur ka kaluar qytetari), në momentin e kërkesës nuk ka asnjë interes legjitim për ruajtjen e të dhënave që do t’i tejkalonin interesat e qytetarit, dhe për këtë arsye dyqani duhet t’i fshijë të dhënat personale.

 

E drejta për kundërshtim

Për mbikëqyrjen me video në bazë të interesit legjitim ose për nevojën për të kryer një detyrë me interes publik, subjekti i të dhënave personale (qytetari) ka të drejtë – në çdo kohë – të kundërshtojë, duke u bazuar në një situatë konkrete që lidhet me të.

Prandaj, kontrolluesi nuk mund të përpunojë më të dhëna personale, përveç nëse dëshmon se ekzistojnë interesa përkatëse legjitime për përpunim, të cilat mbizotërojnë mbi interesat, të drejtat dhe liritë e subjektit të të dhënave personale (qytetarit), ose për vendosjen, realizimin ose mbrojtjen e kërkesave të tij ligjore. Gjatë përdorimit të mbikëqyrjes me video për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë subjekti i të dhënave personale (qytetari) ka të drejtë në çdo kohë të parashtrojë kundërshtim kundër përpunimit të të dhënave të tij personale në lidhje me këtë lloj marketingu, i cili përfshin edhe profilizimin, në masën që ai lidhet me marketingun e drejtpërdrejtë, me ç’rast kontrolluesi e ndërpret përpunimin e mëtejshëm të dhënave personale për ato qëllime.

Kundërshtimi mund të bëhet ose para hyrjes, gjatë ose pas daljes nga zona nën mbikëqyrje me video.

Shembull konkret: Një kompani po përballet me incidente sigurie në hyrje të objektit, andaj për interesa legjitime përdor mbikëqyrje me video për t’i zbuluar ata që hyjnë në mënyrë të paligjshme. Vizitori e kundërshton përpunimin e të dhënave të tij/saj personale nëpërmjet sistemit të mbikëqyrjes me video në bazë të lidhjes me situatën e tij/saj të veçantë. Në këtë rast, kompania e refuzon kërkesën me arsyetimin se incizimet nevojiten për hetim të rregullt të brendshëm, dhe për rrjedhojë ka arsye të padiskutueshme legjitime për të vazhduar me përpunimin e të dhënave personale.

 

Kryerja e mbikëqyrjes me video në ndërtesat e banimit

Kohët e fundit gjithnjë e më shumë vendosen kamera në ndërtesat e banimit për arsye sigurie. Për kryerjen e mbikëqyrjes me video në ndërtesat e banimit kërkohet deklaratë me shkrim e pëlqimit nga të paktën 70% e numrit të përgjithshëm të pronarëve, banorëve, gjegjësisht qiramarrësve të banesave. Pas sigurimit të pëlqimit, është e nevojshme që pronarët, banorët, gjegjësisht qiramarrësit e banesave detyrimisht të njoftohen për fillimin e funksionimit të sistemit të mbikëqyrjes me video. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ndalimit të transmetimit të incizimeve të mbikëqyrjes me video në ndërtesat e banimit nëpërmjet televizionit kabllovik (rrjetit publik ose të brendshëm), internetit ose mjeteve të tjera elektronike të transmetimit të të dhënave, si dhe ndalimit të incizimit të hyrjeve të banesave individuale të pronarëve të tjerë, banorëve, gjegjësisht qiramarrësve.

 

Shkeljet për kryerjen e mbikëqyrjes me video në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Për kryerjen e mbikëqyrjes me video në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë paraparë kundërvajtjet dhe gjobat në vijim:

– gjobë në shumë prej 1.000 deri në 10.000 euro për kundërvajtje të personit juridik-kontrolluesit;

– gjobë në shumë prej 100 deri në 500 euro për personin përgjegjës në personin juridik;

– gjobë në shumë prej 100 deri në 500 euro për personin zyrtar në organet e pushtetit shtetëror;

– gjobë në shumë prej 100 deri në 250 euro për kundërvajtje të personit fizik-kontrollues ose përpunues.

 

Burimi: Meta.mk | Agjencia e lajmeve

Ndaje: