Qytetarëve duhet t’u mundësohet ta japin mendimin e tyre për gjithçka që i tangon ata, që të mund të marrin pjesë në procesin e marrjes së vendimeve. Me këtë, përforcohen raportet ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, si dhe besimi i ndërsjellë. Kur qytetarët marrin pjesë në marrjen e vendimeve, ata ndjejnë më tepër përgjegjësi për zbatimin e tyre. Njëkohësisht, edhe kërkojnë përgjegjësi dhe llogari nga institucionet.

DON_5996

Kështu, në promovimin e sotëm të aplikacionit mobil, Picodemocracy, drejtori programor i Fondacionit Metamorfozis, Filip Stojanovski, e sqaroi nevojën për një aplikacion të këtillë. Duke e hapur ngjarjen, Stojanovski sqaroi se ideja e kësaj vegle është të mundësojë zbatim të anketave në formë të mini-referendumeve.

“Parashtrohen pyetje të thjeshta për grupe të mëdha të qytetarëve nga ana e organeve shtetërore, komunave, OJQ-ve, mediave, me qëllim të marrjes së shpejtë dhe efikase të mendimit për çështje të caktuara”, thotë Stojanovski. Ai shtoi se privatësia e qytetarëve është e mbrojtur, ata nuk i lënë të dhënat e tyre personale gjatë instalimit të aplikacionit, ndërsa përgjigjet janë në formën PO dhe JO, jepen në formë të përmbledhur.

“Lloji i këtillë i anketimit të qytetarëve i përgjigjet një lloji të crowdsourcing-ut, gjegjësisht shfrytëzimit të grupeve për të ardhur deri te një zgjidhje e caktuar, ose një lloj urtësie kolektive”, thotë Stojanovski. Sipas tij, me rëndësi të madhe për suksesin e këtij aplikacioni është që të kyçen sa më shumë qytetarë. Aplikacioni është dygjuhësor, gjegjësisht mund të shfrytëzohet në maqedonisht dhe në shqip, ndërsa rezultatet e anketave mund të shpërndahen nëpërmjet rrjeteve sociale. Të gjithë të interesuarit mund ta instalojnë falas aplikacionin në celularët me sistem operativ Android ose iOS në iPhone.

“Piko do të thotë e vogël, dhe sipas kësaj, ideja është të nisemi nga pikat e vogla të cilat do ta shkaktonin valën e madhe të demokratizimit”, tha Stojanovski.

Damjan Zdravev nga Reaktori – Hulumtimi në aksion, theksoi se hulumtimet e tyre kanë treguar se 60 përqind e qytetarëve konsiderojnë se më lehtë mund të ndikojnë nëse mendimin për politikat e caktuara e japin onlajn ose nëpërmjet postës elektronike.

“Njëkohësisht, të rinjtë, të cilët konsiderohen si grup i painteresuar dhe joaktiv, më së shumti e shfrytëzojnë internetin gjatë shprehjes së mendimit të tyre. Mu për këtë, mendoj se ky aplikacion do të jetë shumë i dobishëm për t’u potencuar mendimi i tyre”, tha Zdravevi.

Drejtori i Qendrës maqedonase për arsim evropian (QMAE), Bojan Mariçiq pajtohet se qytetarët dhe OJQ-të kanë gjithnjë e më pak besim te institucionet.

“Mirëpo, mendoj se me intensitetin më të madh të aktivizmit, joformal dhe formal, do të kthehet besimi se ata mund të ndryshojnë disa gjëra. Edhe nëpërmjet institucioneve, edhe në institucione”, thotë Mariçiq. Ai në prezantimin e tij e sqaroi mekanizmin IPA si formë të pjesëmarrjes qytetare.

Përndryshe, aplikacioni Picodemocracy është zhvilluar si pjesë e projektit Rrjeti aksional për qeverisje të mirë, që implementohet nga Fondacioni Metamorfozis, në partneritet me QMAE dhe Reaktorin – Hulumtimi në aksion, dhe me përkrahje financiare të Bashkimit Evropian. Projekti ka për qëllim ta përmirësojë inkuadrimin e shoqërisë civile në krijimin e mendimit publik, krijimin e politikave dhe pjesëmarrjen në mekanizmat për marrjen e vendimeve, si dhe rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile për të ballafaquar me çështje të rëndësishme shoqërore.

Ndaje: