Më 29 janar 2019, ekipi i Fondacionit Metamorfozis mori pjesë në konferencën e PrivacyCamp.EU, që u mbajt në Bruksel, ku i prezantoi përvojat nga Maqedonia lidhur me luftën kundër dezinformatave në kontekst të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

PrivacyCamp.EU është konferencë vjetore e organizuar nga Rrjeti evropian i të drejtave digjitale – EDRI dhe partnerët, e cila në një vend i bashkon aktivistët për të drejtat digjitale, organizatat e shoqërisë civile, bashkësinë akademike dhe politikëbërësit nga Evropa dhe më gjerë. Në fokusin e diskutimeve gjithmonë janë çështjet më aktuale, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në të drejtat e njeriut në botën digjitale.

privacy camp

Këtë vit, PrivacyCamp.EU iu kushtua sfidave me të cilat përballen organizatat qytetare dhe aktivistët në zbatimin e rregullave dhe rregulloreve gjatë përdorimit të metodave të ndryshme të komunikimit. Një pjesë e konferencës iu kushtua problemeve që lidhen me përdorimin e platformave onlajn për përhapjen e lajmeve të rreme e veçanërisht për fushatat parazgjedhore. Përveç kësaj, për mbrojtjen e të drejtave digjitale të njeriut u diskutua nga aspekti i moderimit të përmbajtjeve të automatizuara, marketingut të targetuar dhe shkeljeve të mundshme të privatësisë së përdoruesve. Ngjarja u zhvillua në ambientet e Universitetit “Saint Louis” me mbi 200 pjesëmarrës: aktivistë, ekspertë ligjorë, gazetarë dhe studentë.

Në kuadër të sesionit “Mapimi i problemit: Përhapja e lajmeve përmes platformave onlajn”, si panelist mori pjesë edhe drejtori për zhvillimin e partneriteteve dhe burimeve në Fondacionin “Metamorfozis”, Filip Stojanovski, i cili e udhëheq projektin “Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike – KriThink”. Duke i prezantuar përvojat nga Maqedonia, ai vuri në dukje se si në situatë të populizmit në rritje, roli i mediave si rojtarë të demokracisë zvogëlohet. Me këtë rast, në fazën përfundimtare të populizmit – shtetin e robëruar – në ndërgjegjen publike humbet dallimi midis gazetarisë dhe propagandës, e me këtë edhe besimi në këtë edhe në të gjitha institucionet e tjera të sistemit demokratik.

Sipas Stojanovskit, zhvillimi i industrisë së lajmeve të rreme, për të cilën Maqedonia u bë famëkeqe në gjithë botën, është rezultat i një sërë faktorësh, prej të cilëve kyç është krijimi i klimës shoqërore në të cilën mungojnë normat morale mbi të cilat bazohet gazetaria profesionale. Në Maqedoni, qeveria (me para të popullit) e financoi zhvillimin e një makinerie propaganduese, të dizajnuar për të përhapur dezinformata, e cila përfshinte edhe krijimin e një infrastrukture për rritjen e efektit në internet. Ndër të tjera, rrjetet e ueb-portaleve të hapura nga punonjësit e mediave pro-qeveritare, të cilët shërbenin si satelitë të tyre, me anë të të cilave spamohen agregatorët e lajmeve, si dhe ushtria partiake e trolleve për të arritur dominim të informacionit në rrjetet sociale. Nuk ishte për t’u çuditur kur disa qytetarë me frymë sipërmarrëse filluan t’i aplikojnë të njëjtat metoda për marketing në internet, vetëm për tregun e huaj, me ç’rast burimin e financave e sigurojnë nëpërmjet sistemit për reklama të “Google” dhe të ngjashme.

Nëpërmjet projektit “KriThink” dhe një sërë iniciativash të tjera, “Metamorfozis” angazhohet për një qasje gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e këtij problemi dhe problemeve të ngjashme e lidhura me të, e cila përfshin rrjetëzimin e të gjitha palëve të interesuara për edukimin e qytetarëve nëpërmjet rrjeteve sociale, reforma të sistemit arsimor të bëra në bazë të hulumtimeve empirike për kushtet e reja në sferën digjitale, promovimin e vetë-rregullimit në media dhe zbatimin e dispozitave pozitive ligjore për t’i dhënë fund mosndëshkimit për keqpërdorimet dhe kërcënimet ndaj të drejtave të njeriut.

Në kuadër të këtij diskutimi në panel, Frederike Kalteuner nga “Privacy International” problemin e shtroi në tre nivele: përmbajtjet, platformat dhe niveli i ekosistemeve të të dhënave, që ndikojnë se cilat lloje të lajmeve i shikojnë dhe i zbulojnë njerëzit. Në esencë gjendet nevoja për rishqyrtimin e modeleve të biznesit të botuesve dhe të platformave, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se në shumë juridiksione, reklamimi në internet (sidomos në rrjetet sociale) trajtohet ndryshe nga reklamat në mediat tradicionale. Kjo ka një ndikim të madh gjatë reklamimit politik në Evropë.

Eva Simon nga “Civil Liberties Union for Europe” vuri në dukje mungesën e të dhënave dhe studimeve për ndikimin e dezinformatave, në veçanti kur merret parasysh fakti se iniciativat për verifikimin e fakteve kanë diapazon të kufizuar, ndërsa zbatimi i inteligjencës artificiale synon ruajtjen e modeleve të biznesit që janë të përshtatshme për përhapjen e manipulimeve (dhomat e jehonës (echo-chambers) dhe mikrotargetimi).

Dr. Natali Mareshal nga “Ranking Digital Rights” theksoi se kërcënimi i të drejtave të njeriut është e lidhur me konvergjencën e dy tendencave. E para është ajo që Rebek Mekinon e quan “autoritarizëm në rrjet” (autoritarizëm në rrjet) – keqpërdorimi i teknologjive të reja nga vende si Kina dhe Rusia për ta rritur kontrollin e brendshëm dhe për ndërhyrje gjeopolitike për ta minuar demokracinë. E dyta është “kapitalizmi mbikëqyrës” (surveillance capitalism) që u paraqit në Kaliforni, ku kompani siç është “Google” i mbledhin dhe tregtojnë me të dhënat personale të qytetarëve. Me këtë rast, në sferën publike mungon vetëdija se reklamat janë mjet për ta modifikuar sjelljen e njerëzve. Nga ana tjetër, një shembull pozitiv është ndikimi i rregullores së re të BE-së për mbrojtjen e të dhënave (GDPR) përtej kufijve të saj, duke u imponuar si detyrim edhe kompanive të huaja që të harmonizohen me të.

Nga diskutimi doli përfundimi i përbashkët se ka nevojë të shqyrtohen mundësitë për rregullimit e shitjes së të dhënave për qëllime politike dhe se ekziston një mospërputhje e madhe ndërmjet rregullores ekzistuese për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimit të saj. Një sërë shembujsh aktualë nga Evropa dhe bota tregojnë se zmbrapsja është e mundur edhe në vendet që më parë kanë pasur një nivel më të lartë të demokracisë, në qoftë se nuk bëhen përpjekje aktive dhe sistematike edhe në nivel kombëtar, e në veçanti, në nivel ndërkombëtar.

Ndaje: