Metamorfozis iu bashkua iniciativës së Privacy International kundër përdorimit eksploatues të aplikacioneve të para-instaluara në telefonat e mençur që përdorin Android

Më 08 janar 2020, Privacy International, me mbështetjen e më shumë se 50 organizatave në të gjithë botën, publikoi një letër të hapur dërguar Sundar Pichai-t, drejtori ekzekutiv i Alphabet Inc., kompani amë e Google-it, në të cilën kërkon nga Google-i që të ndërmarrë masa kundër përdorimit të aplikacioneve të para-instaluara në telefonat e mençur që përdorin Android. Përmes kësaj iniciative dërgohet paralajmërim, por gjithashtu bëhet thirrje për veprim nga prodhuesit e telefonave të mençur, të cilët e vendosin fitimin përpara privatësisë së shfrytëzuesve duke instaluar aplikacione në pajisje me çmim të ulët të shitjes.

Kërkesa dërguar Google-it është e qartë, të rishikohen parametrat standarde të privatësisë dhe të sigurisë që janë të futura në telefonat e mençur me çmim të ulët të shitjes, e që kanë të bëjnë me aplikacionet e para-instaluara, të cilat përdoruesit nuk kanë mundësi t’i fshijnë dhe të cilat mund ta komprometojnë privatësinë e tyre. Rekomandimet kanë të bëjnë me sigurimin e:

  • mundësisë që përdoruesit vetë t’i fshijnë përgjithmonë aplikacionet e para-instaluara, si dhe të gjitha shërbimet që janë aktive në prapavijë.
  • mundësive të njëjta për kontroll të sigurisë dhe të privatësisë në aplikacionet e para-instaluara sikurse për atë që janë të disponueshme në Google Play Store.
  • mundësi të njëjta për azhurnim, mundësisht përmes përdorimit të mekanizmave për azhurnim të Google Play dhe pa përdorimin e profilit të përdoruesit.

Për më tepër, rekomandohet që Google-i të refuzojë të bëjë certifikimin e telefonave të mençur, prodhuesit ose shitësit e të cilëve përpiqen ta komprometojnë privatësinë e përdoruesve përmes aplikacioneve të para-instaluara.

Përmbajtja e plotë e letrës mund të gjendet në linkun e mëposhtëm https://action.privacyinternational.org/node/9.

 

Fondacioni Metamorfozis, përmes programit Të drejtat e njeriut në internet, synon ta marrë rolin udhëheqës në procesin e përfaqësimit për të drejtat e njeriut, duke u ndihmuar komuniteteve të përballen me ndryshimet e mëdha që vijnë nga ndikimi në rritje i teknologjive të reja. Metamorfozis përqendrohet në mbrojtjen e privatësisë duke i forcuar kapacitetet e qytetarëve, institucioneve dhe sektorit të biznesit për të funksionuar në një shoqëri digjitale.

Ndaje: