Në pjesën e parë të serisë sonë për sigurinë kibernetike, do të flasim për arsyet që na bëjnë cak të sulmeve të hakerëve. Në këtë tekst, do ta vendosim lexuesin në rolin e një caku, dhe do të shikojmë pse hakerët do t’ju sulmonin në varësi të motivit të tyre.

Image by Gerd Altmann from Pixabay

Njihuni me Artanin, cakun e hakerëve.

Ne do ta quajmë cakun tonë të hakërreve – Artan.

Artani është nëpunës në një kompani të madhe, një nga qindra punonjësit dhe një nga miliona njerëz në një pozicion të ngjashëm në kompani të tjera. Ai ka familje dhe miq, dhe konsiderohet një person modest dhe i kënaqur.

Artani ka një kompjuter të blerë 3 vjet më parë dhe një televizor të mençur të blerë 5 vjet më parë. Ai përdor një telefon celular të mençur (smartphone) dhe ndoshta një kompjuter tabletë. Përdor “e-banking”, blen online, ka prezencë aktive në të paktën dy rrjete sociale. Një pjesë të madhe të fotografive, ngjarjeve të jetës dhe opinioneve i ndan përmes rrjeteve sociale.

Në fund, lirisht vendoseni emrin tuaj në vend të emrit të Artanit. Më besoni, secili prej nesh është Artani, çdo ditë.

Motive të shumta, por të gjitha përfshijnë fitim për hakerin

Motivi më i zakonshëm për një sulm kibernetik (i njohur më shpesh si hakim) është përfitimi financiar, por nuk është i vetmi. Disa nga hakerët janë ende të motivuar të mburren për suksesin e tyre në depërtimin në një sistem, ndërsa disa nga hakerët janë të motivuar nga arsye politike ose ideologjike.

Pse Artani është një cak i mirë për të përfituar?

Meqenëse motivi më i zakonshëm i hakimit është përfitimi financiar, sigurisht që do të fillojmë me të. Artani nuk është një person shumë i pasur dhe pikërisht për këtë nuk mendon se do të ishte cak i një sulmi hakerësh.

Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se hakerët nuk presin një pasuri të madhe nga një depërtim i vetëm. Ata nuk kanë nevojë për këtë, sepse në botën digjitale kanë qasje në miliona caqe si Artani, nga të cilët mund të fitojnë dhjetëra apo qindra dollarë. Njëqind dollarë nga një mijë caqe të hakuara është një pasuri e mirë.

  • Artani e përdor “e-banking”-un dhe ka karta për pagesë nga të cilat hakerët mund të tërheqin mjete, ose të paktën t’ua shesin të dhënat e kartës dhe të dhënat bankare elektronike të Artanit kriminelëve të tjerë.
  • Të dhënat personale të Artanit mund të përdoren për të siguruar kreditim të shpejtë duke falsifikuar identitetin.
  • Artani mund të shantazhohet duke i vjedhur qasjen në rrjetet e tij sociale. Ka shumë të ngjarë që Artani të paguajë një shumë parash për ta rikthyer jetën e tij digjitale, fotografitë dhe kujtimet e dashura. Madje edhe nëse nuk dëshiron të paguajë, identiteti i Artanit në rrjetet sociale mund të përdoret për t’i sulmuar miqtë dhe kontaktet e tij.
  • E njëjta vlen edhe për pajisjet e Artanit, të cilat mund të kodohen dhe më pas Artani mund të shantazhohet, ose të futet ndonjë virus që do t’i kontrollojë pajisjet dhe më pas t’u shitet qasja në ato pajisje grupeve të tjera të hakerëve.
  • Në fund, Jane është i punësuar në një kompanie të madhe dhe hakimi i qasjes së tij në kompani mund të jetë hapi i parë për vjedhjen e të dhënave të kompanisë ose shantazhimin e kompanisë. Dhe me këtë rast, i akuzuari i vetëm do të jetë Artani sepse identiteti i tij do të identifikohet si burim i sulmit.

Pse Artani është një cak i mirë për një sulm hakerësh të motivuar politikisht?

Sulmet e motivuara politikisht kanë një efekt më të dukshëm dhe fokusohen në caqe të dukshme. Por, kjo nuk e eliminon Artanin si cak.

  • Artani është i punësuar në një kompani të madhe dhe hakimi i qasjes së tij në kompani mund të jetë arsye për hakimin ose paaftësimin e kompanisë për qëllime politike ose aktiviste.
  • Qasja e Artanit në mediat sociale mund të keqpërdoret për të përhapur propagandë ose lajme të rreme tek kontaktet dhe miqtë e tij, të cilët do t’i besojnë lajmet sepse vijnë nga një person që ata mendojnë se e njohin.

Pse Artani është një cak i mirë për një sulm hakerësh për t’u mburrur?

Së fundi, le të shohim opsionin më të parrezikshëm për një sulm hakeri – kënaqësinë personale të hakerit ose promovimin e tij përmes një sulmi të suksesshëm.

  • Fjalëkalimet e dobëta ose mungesa e vetëdijes së Artanit janë të mjaftueshme për t’u përdorur për promovimin personal të hakerit.
  • Softueri i papërditësuar i pajisjes është një mundësi e përkryer për të ‘fituar me lehtësi një trofe’

Dhe tani çfarë?

Në këtë tekst shqyrtuam pse secili prej nesh është një cak i mirë për një sulm hakerësh. Nuk ka asnjë person që është shumë “i parëndësishëm” në këtë planet. Secili prej nesh ka një sasi informacioni të vlefshëm, qasje në sisteme, teknologji ose vlerë financiare nga e cila hakerët mund të fitojnë një vlerë të caktuar.

Për fillim, jini të bindur se Ju, ashtu si Artani, jeni një cak i vlefshëm. Tani që kemi shqyrtuar arsyet pse Artani është një cak i mirë, mendoni për arsyet pse ju do të ishit një cak i mirë.

Në tekstin e mëposhtëm do të diskutojmë se si hakerët do të përpiqen t’ju sulmojnë.

Autor: Bozidar Spirovski

Ky tekst është përgatitur si pjesë e projektit “Qeverisja e Mirë në Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga DCAF – Qendra e Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë dhe i financuar nga Zyra për Punë të Jashtme, Komonuelthi dhe Zyra për zhvillim e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e DCAF dhe të donatorit.

Ndaje: