Që sot, hiqet roamingu ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përdoruesit e numrave telefonikë të Maqedonisë së Veriut do të jenë në gjendje t’i përdorin telefonat e tyre për biseda telefonike nën të njëjtat kushte si në Maqedoninë e Veriut, edhe kur janë në Serbi, BdheH, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri, nëse duan të telefonojnë një numër në Maqedoninë e Veriut ose t’i përgjigjen një thirrjeje nga një numër celular nga vendi.
Megjithatë, për të gjitha detajet, si dhe për dërgimin e SMS-ve dhe përdorimin e internetit në roaming, përdoruesit do të duhet t’i verifikojnë kushtet në faqet e internetit të operatorëve celularë, theksuan së fundmi nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Heqja e roamingut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor është një hap më pranë heqjes së roamingut midis vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.
Vendimi i sotëm paraprihet nga vendimi i 4 prillit 2019, kur ministrat e linjës të angazhuar për digjitalizim nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin Digjital në Beograd, Serbi e nënshkruan Marrëveshjen rajonale për uljen e çmimit të roamingut.
Si rezultat i këtyre aktiviteteve, më 1 korrik 2019, ish-Ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski njoftoi se më 1 korrik 2021, do të hyjë në fuqi plotësisht “Roaming si në shtëpi”, duke ndjekur shembullin e vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje ishte parakusht për fillimin e procesit të uljes së çmimeve të roamingut edhe me BE-në.
Teksti është marrë nga agjencia e lajmeve Meta, dhe mund të lexohet këtu.
Ndaje: