Si pjesë e përpjekjeve tona rajonale për të garantuar përafrimin ligjor të Ballkanit Perëndimor me Ligjin për Shërbimet Digjitale (LShD) të Bashkimit Evropian – një akt ligjor veçanërisht i rëndësishëm – organizatat e shoqërisë civile në rajon kanë dakordësuar një qëndrim të përbashkët advokues. Ky qëndrim përqendrohet tek modelet mundësuese dhe ndërhyrjet prioritare të cilat mbështesin sundimin e ligjit, mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të medias, dhe garantojnë të drejtat e njeriut. Duke u përqëndruar në këto fusha kritike, synojmë të nxisim zbatimin efektiv të LSHD-së në mënyrë që reformat në shërbimet digjitale të mos komprometojnë liritë themelore. Qasja jonë informohet nga përvoja në fushën e medias dhe rregullimit të platformave dhe gjetjet e studimeve të fundit si hulumtimi ynë mbi zbatimin e LSHD-së në rajon dhe një publikim i Share Foundation.
Ndërhyrjet prioritare në nivel rajonal
- Vijat e kuqe në qasjen ndaj Ligjit për Shërbimet Digjitale
Për një zbatim të saktë të LSHD-së në Ballkanin Perëndimor, është thelbësore të shmangen keqinterpretimet dhe keqzbatimet që mund të cënojnë objektivat e tij:
- Qeverisje e përmbajtjes, jo kontroll i përmbajtjes: LSHD duhet të përqendrohet në rregullimin e proceseve të qeverisjes së përmbajtjes, jo në kontrollin e drejtpërdrejtë të përmbajtjes si gjuha e urrejtjes, dezinformimi, apo mediat online. Një qasje e tillë respekton lirinë e shprehjes dhe shmang censurën.
- Asnjë rregullim në nivel kombëtar të platformave online shumë të mëdha (VLOPs) dhe motorëve të kërkimit shumë të mëdhenj (VLOSEs): Rregullimi i këtyre platformave mbetet përgjegjësi e Komisionit Evropian, veçanërisht në lidhje me detyrimet e due diligence. Ndërhyrjet në nivel kombëtar mund të krijojnë mjedise rregullatore të përçara dhe jokonsistente, çka do të cënonte zbatimin e njëtrajtshëm të LSHD-së.
- Qëllimi legjislativ i LSHD-së është i qartë: LSHD nuk synon të reduktojë gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, apo të rregullojë mediat online, por synon garantimin e proceseve të sigurta, të qarta dhe llogaridhënëse të qeverisjes së përmbajtjes.
- Mundësimi i modelit të LSHD-së
Zbatimi i saktë dhe koherent i LSHD-së në rajon varet nga masat e mëposhtme:
- Përfaqësues ligjorë të platformave: Platformat që operojnë në rajon duhet të caktojnë përfaqësues ligjorë ose pika kontakti të dedikuara në secilin vend për të garantuar komunikim efektiv dhe pajtueshmëri me rregullimet vendase.
- Masa mbrojtëse kundër përmbajtjes së paligjshme: LSHD parashikon garanci procedurale, si kërkesa dhe njoftime të qarta për fshirjen e përmbajtjes, si dhe mekanizma ligjorë të fortë për të trajtuar përmbajtjen e paligjshme në mënyrë efikase, duke respektuar të drejtat e përdoruesve.
- Sinjalizuesit e besuar: Krijimi i programeve të sinjalizuesve të besuar dhe të pavarur do të ndihmojë në lehtësimin e proceseve të moderimit të përmbajtjes dhe rritjen e përgjegjësisë së platformave, duke ruajtur pavarësinë e sinjalizuesve nga ndikimet e papërshtatshme.
- Qasja në të dhëna për hulumtime: Lehtësimi i qasjes në të dhëna për hulumtuesit është vendimtar për transparencën dhe përgjegjësinë në veprimtarinë e platformave, në mënyrë që hulumtimet të informojnë masat e ardhshme rregullatore.
- Pavarësia dhe qasja shumëaktoriale në zbatimin e LSHD-së: Nxitja e një zbatimi të pavarur të LSHD-së që angazhon aktorë të ndryshëm, përfshirë shoqërinë civile, garanton që LSHD të jetë në përputhje me kontekste dhe nevoja lokale, teksa ruan të drejtat themelore.
- Pavarësia e Koordinatorit të Shërbimeve Digjitale (DSC): Sigurimi i pavarësisë institucionale, politike dhe financiare të DSC-ve është thelbësor për zbatimin e paanshëm të LSHD-së, duke ruajtur transparencën, llogaridhënien dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, si dhe duke parandaluar konfliktet e interesit të DSC-ve me entitete qeveritare apo korporative.
- Bashkëpunimi midis Koordinatorëve të Shërbimeve Digjitale: Bashkëpunimi efektiv midis DSC-ve kombëtare, Bordit Evropian për Shërbimet Digjitale, Komisionit Evropian dhe DSC-ve të Shteteve Anëtare është thelbësor për zbatimin pa pengesa të LSHD-së ndërmjet kufijve.
- Pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile (OSHC)
Në përputhje me kornizën e qeverisjes së LSHD-së, shoqëria civile luan një rol thelbësor në procesin e përafrimit me LSHD-në, dhe përfshirja e saj duhet të inkurajohet në mënyrë aktive në:
- Themelimin e DSC-ve dhe lehtësimin e punës së tyre: Në hulumtimin tonë, kemi propozuar tre modele të themelimit të DSC-ve dhe formave të përfshirjes të shoqërisë civile që do të shqyrtohen më tej në konsultim të ngushtë me Komisionin Evropian.
- Krijimin e një rrjeti rajonal ekspertësh dhe aleatësh: Ky rrjet do të ofrojë një sistem mbështetës për zbatimin e LSHD-së, duke lehtësuar shkëmbimin e përvojave dhe duke bashkërenduar përpjekjet e advokimit.
- Rritjen e ndërgjegjësimit të OSHC-ve: Është thelbësore të edukohen aktorët e vendeve të rajonit mbi parimet e LSHD-së dhe ndikimin e saj në mjedisin ligjor vendas, për të shmangur keqkuptimin se LSHD është një mjet për rregullimin e gjuhës së urrejtjes apo dezinformimit online.
Duke pasur parasysh këtë, u bëjmë thirrje aktorëve në shtetet e Ballkanit Perëndimor, organizatave ndërkombëtare, donatorëve, dhe veçanërisht Komisionit Evropian, që të përkrahin kornizën transformuese të LSHD-së për përmirësimin e qeverisjes digjitale në të gjithë rajonin.
Duke iu përmbajtur vijave të kuqe dhe duke zbatuar masat mundësuese, rajoni mund të shfrytëzojë LSHDnë për të nxitur një hapësirë digjitale më të sigurtë dhe më të përgjegjshme.
Përfshirja aktive e të gjithë aktorëve, përfshirë shoqërinë civile, dhe ndërhyrjet e bashkërenduara në nivel rajonal, do të sigurojë që LSHD-ja të zbatohet në një mënyrë që respekton kontekstet vendase, por gjithashtu garanton një qasje të qëndrueshme dhe ligjërisht të unifikuar me vlerat e Bashkimit Evropian.
Shkarko dokumentin në gjuhën angleze.
Shkarko dokumentin në gjuhën shqipe.
Shkarko dokumentin në gjuhën serbe.
Shkarko dokumentin në gjuhën boshnjake.
Ndaje:
