Krahas faqeve të specializuara për shitje online përmes reklamave të personave fizik, është bërë praktikë e rregullt ofrimi i të gjitha llojeve të produkteve në shitje edhe përmes reklamave në rrjetet sociale. Por, gëzimi që dikush dëshiron të blejë atë që shitet mund të kushtojë “shtrenjtë”. Analiza e një komunikimi të tillë shitjeje tregon qartë se ka disa rreziqe. Është veçanërisht e rëndësishme të jesh jashtëzakonisht i kujdesshëm në lidhje me informatat që ndahen, sepse nuk është e pazakontë që të bëhet fjalë për mashtrim.

Foto: Meta.mk

Sipas të dhënave zyrtare nga kompania gjermane e specializuar në të dhënat e tregut dhe të konsumatorëve “Statista” aktualisht janë 5 miliardë përdorues të internetit, nga të cilët 4,65 janë edhe përdorues të rrjeteve sociale. Ndërsa aplikacioni më i popullarizuar global i mesazheve celulare, WhatsApp, përdoret nga përafërsisht 2 miliardë përdorues aktivë në muaj.

Mes tyre ka blerës të vërtetë, por edhe kriminelë të vërtetë, të cilët me shumë mjeshtëri mund të abuzojnë me të dhënat personale të atyre që futen në aktivitete të tilla të shitblerjes, që mund të çojë në akuza të ndryshme, duke përfshirë edhe terrorizmin dhe krimin e organizuar.

Nga dëshira për të fituar para deri te rreziku për keqpërdorimin e të dhënave personale

Sipas të dhënave të Departamentit për Krim Kompjuterik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, tentativat më të shpeshta të mashtrimit kompjuterik deri më tani janë e-mailet përmes të cilave dikush ju informon se jeni fitues i një çmimi të madh monetar ose i një trashëgimie të papritur nga një i afërm i largët i panjohur. Gjithashtu, kohët e fundit në Facebook janë bërë atraktive promocionet e rreme përmes të cilave përdoruesit ftohen të klikojnë “like” apo të komentojnë. Siç sqaroi policia, ato, përveçse janë poste të ashtuquajtura “like farming”, ato u shërbejnë autorëve të postimeve për t’i përzgjedhur viktimat e ardhshme.

Por, ajo që bie në sy është se këto mendje keqdashëse kriminale po nisin edhe një strategji tjetër. “Ata i telefonojnë shitësit ose shkruajnë një mesazh përmes WhatsApp-it ose ndonjë aplikacioni tjetër komunikimi dhe i kërkojnë shitësit të klikojë në një link që i çon në një faqe interneti për të blerë kripto-valuta. Gjithashtu i kërkojnë shitësit që të dërgojë një fotografi të dokumentit të identitetit dhe një fotografi ku shitësi e mban dokumentin”, thonë zyrtarët nga Departamenti i Krimit Kompjuterik në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Foto: Meta.mk

Pas shitblerjes së rënë dakord, ata dërgojnë një foto të asaj që supozohet të jetë letërnjoftimi i tyre e identitetit dhe një e-mail të maskuar me zgjuarsi nga një transaksion i supozuar bankar në të cilin adresa nga e cila është dërguar fshihet pas një logoje të një banke të njohur. Në pamje të parë, nuk duket se adresa e e-mailit nuk ka asnjë lidhje me bankën. Në mesazhe ka edhe një pjesë në të cilën në një tabelë të transferimeve të parave, siç do ta dërgonte një bankë reale, shkruhet se janë dërguar më shumë para se sa është rënë dakord. Por, gjoja, ato duhet të përdoren për të paguar transportin në një kompani të njohur, e cila ka edhe një përfaqësi këtu.

Foto: Meta.mk

Është shënuar edhe kodi SWIFT që i duhet shitësit për t’i tërhequr paratë, dhe i cili është pjesë e sistemit bankar ndërkombëtar, gjegjësisht është i detyrueshëm gjatë transaksioneve bankare jashtë vendit.

“Shuma e mësipërme e përfshin tarifën e ngarkesës për mallit, që do të thotë se transaksioni duhet të miratohet manualisht nga ne për shkak të shumës së parave të përfshira, duhet të ndërmarrim hapa shtesë për t’i mbrojtur të dy përdoruesit.” Në mënyrë që ta aktivizojmë pagesën, do t’ju duhet ta paguani tarifën e transportit tek kompania e transportit përmes transferit për blerjen e bitcoin-ëve dhe të na dërgoni një kopje/fotografi të skanuar të vërtetimit për blerjen e bitcoin-ëve me e-mail”, thuhet në e-mailin që supozohet se është dërguar nga banka holandeze Credit Europe Bank.

Më tej shtohet: “Për arsye sigurie, ne jemi kujdesur që kjo mënyrë pagese të mos mund të kthehet ose të anulohet nga dërguesi për të siguruar që shuma totale është transferuar plotësisht në llogarinë tuaj sapo ta përfundoni blerjen tuaj të bitcoin-ëve dhe të na dërgoni një konfirmim.”

Meta.mk tentoi ta kontaktojë bankën, por edhe pse nuk morëm përgjigje të drejtpërdrejtë, pas disa kohësh ata në ueb-faqen zyrtare publikuan një njoftim të rëndësishëm për klientët e tyre ku njoftojnë për shfaqjen e e-maileve mashtruese.

“U tërheqim vëmendjen klientëve dhe atyre që synojnë të bëjnë transaksione për shitjen e mallrave dhe shërbimeve përmes internetit. Banka nuk ofron shkëmbim mallrash, hapa ndërmjetësues, nuk jep garanci, nuk mbështet, nuk shërben ose nuk ndërmerr operacione në ndonjë mënyrë tjetër në lidhje me pagesat përmes internetit.

Credit Europe Bank ju këshillon për masat dhe veprimet e mëposhtme të kujdesit në rast se jeni viktimë ose dëshmitar i ndonjë aktiviteti të ngjashëm mashtrues:

Jini të dyshimtë për çdo version të këtyre e-maileve, duke përfshirë e-mailet rikujtuese që kërcënojnë veprime ligjore nëse mallrat nuk dërgohen. Kini kujdes veçanërisht nëse mallrat do të dërgohen në vende të tjera, veçanërisht jashtë Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.

Nga aty thonë gjithashtu se Credit Europe Bank nuk kryen asnjë transaksion në bitcoin-e apo kriptovaluta të tjera. Përveç kësaj, banka këshillon se një blerës mashtrues abuzon me faqen e tyre të internetit dhe u kërkon klientëve t’i raportojnë rastet e tilla në polici.

Meta.mk ka kontaktuar edhe me përfaqësinë e kompanisë DB Shenker në Maqedoninë e Veriut, emri i së cilës përmendet në disa nga e-mailet. Edhe ata na thanë se kompania nuk tarifon për shërbimet përmes kriptovalutave dhe theksuan se është e rëndësishme të kemi kujdes në transaksione të tilla sepse mund të ndodhë që dikush të paguajë realisht.

Paralajmërimet për klientët për tentativa mashtrimi përmes sistemit kompjuterik u njoftuan së fundmi nga një prej bankave më të mëdha në vend. Përkatësisht, Banka NLB ka bërë të ditur se për shkak të tentimeve të zbuluara për keqpërdorim të të dhënave dhe llogarive të klientëve, banka në mënyrë parandaluese i ka njoftuar klientët e saj se duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur i ndajnë të dhënat e tyre personale dhe bankare.

“Njoftimi thekson se është veçanërisht e rëndësishme që klientët të mos i ndajnë kurrë me një person tjetër, madje edhe nëse ai e identifikon veten si përfaqësues i Bankës: kodet e aktivizimit për punën bankare elektronike dhe celulare, kodet për pagesat në internet dhe kodet PIN nga kartelat e pagesave. Gjithashtu, theksohet se këto të dhëna asnjëherë nuk do të kërkohen nga klientët nga asnjë person i punësuar në Bankën NLB. Në njoftim, banka apelon tek klientët që të raportojnë çdo tentativë apo keqpërdorim të të dhënave”, deklaruan nga Banka NLB për Meta.mk.

Edhe nga Halk Banka ka treguar për Meta.mk se transaksioni i supozuar të cilin ata e kanë parë duket shumë real dhe për këtë arsye është e nevojshme që klientët të jenë shumë të kujdesshëm që të mos mashtrohen në mënyrë që të mos e rrezikojnë veten dhe dikush t’i keqpërdorë të dhënat e tyre.

Kush qëndron pas blerësit të supozuar

Në Departamentin e Krimeve Kompjuterike thonë se ekziston mundësia që qytetarët asnjëherë të mos e kuptojnë se si do të keqpërdoren të dhënat e tyre personale.

“Keqpërdorimi mund të ndodhë në një vend krejtësisht të tretë, për shembull, ato mund të keqpërdoren në Afrikë, për shembull, kriptovalutat që blihen me të dhënat personale të një personi të mashtruar, për shembull, mund të përdoren për financimin e terrorizmit, ose tregtimin e drogës dhe armëve”, theksojnë në MPB.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ata mashtrues zakonisht hapin një portofol kripto me të dhënat e dikujt tjetër, me identitetin e dikujt tjetër dhe për shembull, gjatë aktiviteteve të paligjshme, ai portofol mund të “kapet” nga policia në një vend tjetër dhe mund të paraqiten të dhënat e personit të mashtruar, dhe kështu ai person, edhe pse nuk ka qenë i përfshirë në krim, të kërkohet nga Interpoli.

“Prandaj mashtruesit i bëjnë këto mashtrime, për të mos e zbuluar identitetin e tyre”, thonë nga MPB-ja.

Burimi: Shitja përmes reklamave, fitim ose rrezik nga keqpërdorimi i të dhënave personale | Meta.mk

Ndaje: