Takimi fillestar i partnerëve të projektit Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA u mbajt në Beograd, Serbi më 2 dhe 3 mars të vitit 2020. Në takim morën pjesë përfaqësues të partnerit kryesor të projektit, Fondacionit Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), si dhe përfaqësues të organizatave partnere, Akademia për e-qeverisje (Estoni) Lëvizja Mjaft! (Shqipëri) CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi) OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Ky takim u shërbeu partnerëve që të diskutojnë për dinamikën e projektit, aktivitetet aktuale dhe të ardhshme, si dhe t’i identifikojnë sfidat e mundshme të përbashkëta dhe praktikat e mira nga vendet e tyre.

Qëllimi kryesor i projektit është të rritet pjesëmarrja e organizatave qytetare (OQ) në formësimin dhe zbatimin e Agjendës Digjitale në Ballkanin Perëndimor. Projekti do të zgjasë për tre vjet dhe do t’i investojë kapacitetet e tij në ngritjen e kapaciteteve të OQ-ve dhe të mediave për t’u përballur me sfidat që lidhen me agjendën digjitale dhe do t’i aftësojë ato të bëhen pjesëmarrëse aktive në këtë proces, dhe njëkohësisht ta forcojnë rolin e tyre në ofrimin e ndihmës për institucionet shtetërore që ta shfrytëzojnë më mirë potencialin e teknologjive të informacionit dhe të komunikimit (TIK) me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve të tyre elektronike (e-shërbimeve) për qytetarët dhe të rritjes së nivelit të hapjes së tyre. Përmes trajnimeve dhe aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes përmes rrjetit të organizatave qytetare që i promovojnë njohuritë elementare dhe shkathtësitë digjitale, si dhe përfshirjen në nivel rajonal, kombëtar dhe lokal, projekti do të punojë më tej për ta forcuar besimin dhe sigurinë në internet, rritjen e dukshmërisë së çështjeve që lidhen me agjendën digjitale në kuadër të shoqërisë civile dhe mediave, si dhe rritjen e kërkesave të qytetarëve për e-shërbime cilësore.

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: