Të dhënat publike duhet të jenë të disponueshme lirisht për të gjithë qytetarët. Institucionet që posedojnë të dhëna publike duhet të pranojnë që këto të dhëna i përkasin publikut, e jo vetë institucioneve. Modelet e biznesit që bazohen në shitjen e të dhënave publike duhet të reformohen, politika e të dhënave të hapura duhet të jetë e detyrueshme për të gjitha institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Nevojitet planifikimi i centralizuar i infrastrukturës së të dhënave nën një entitet të vetëm për të siguruar qëndrueshmëri, efikasitet dhe interoperabilitet midis të gjitha institucioneve shtetërore, si dhe pjesëmarrje të shoqërisë civile në transformimin digjital.
Këto janë pjesë e propozim-rekomandimeve që rezultuan nga sesioni i 3-të i sotëm i Grupit të Punës 6-Anti-Korrupsion (Kapitulli 5-Furnizimet Publike, Kapitulli 18-Statistikat dhe Kapitulli 32-Kontrolli Financiar) në temën: “Ndërtimi i një infrastrukture digjitale kohezive për zhvillimin e financave të avancuara publike”, i cili u mbajt në Shkup në organizim të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Burimi: Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Në panelin e dytë të grupit të punës mori pjesë Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis, e cila e theksoi rëndësinë e transformimit digjital efikas, transparent dhe gjithëpërfshirës në përputhje me nevojat e qytetarëve, i cili duhet të jetë prioritet. Për më tepër, ajo shtoi se nevoja për të futur teknologjitë digjitale në sektorin publik nuk duhet të reduktohet vetëm në momentin e të qenit në hap me inovacionet ose përmbushjes së kritereve për hyrje në Bashkimin Evropian, por duhet të bazohet në zgjidhjen thelbësore të sfidave ekzistuese me të cilat përballemi çdo ditë.
Gjatë diskutimit të parakushteve për një transformim gjithëpërfshirës digjital dhe për futjen e inteligjencës artificiale në sektorin publik, përveç rregullimit të përmirësuar, interoperabilitetit, optimizimit të proceseve dhe ndërtimit të kapaciteteve, Josifovska Danillovska folir edhe për rëndësin e të dhënave të hapura në krijimin e zgjidhjeve digjitale inovative. “Të dhënat e hapura janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për shkak të transparencës, por edhe për faktin se sistemet e bazuara në inteligjencën artificiale përmirësohen dhe bëhen më të mençura vetëm nëse “ushqehen” me informacione dhe të dhëna përkatëse. Të dhënat e hapura mund ta bëjnë të mundur këtë, një numër i madh i grupeve të të dhënave nga të cilat sistemet e bazuara në inteligjencën artificiale që eventualisht institucionet do të duan t’i fusin në përdorim – do të kenë “prej ku të mësojnë”.
Në fund, ajo bëri thirrje për një qasje të bashkuar dhe të përbashkët midis të gjithë palëve të interesuara, duke përfshirë edhe sektorin e shoqërisë civile, drejt ndërtimit të një ekosistemi të fuqizuar digjitalisht si një qendër dinamike e inovacioneve dhe rritjes, i cili përdor mjete digjitale, analizë të të dhënave dhe sisteme informacioni për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe për të adresuar në mënyrë efikase sfidat shoqërore.
Burimi: Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Ndaje:

