Më 30 nëntor 2020 (e hënë), Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, organizoi një trajnim (uebinar) një-ditor online për mediat, punonjësit e mediave dhe gazetarët e pavarur (freelance) për t’u njohur me temat që lidhen me Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor. Agjenda Digjitale është një iniciativë e zhvilluar nga Bashkimi Evropian, e cili gjithashtu është zgjeruar dhe miratuar edhe për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka për qëllim të sigurojë se qytetarët e rajonit do t’i shfrytëzojnë përfitimet e transformimit digjital. Përkushtimi ndaj agjendës digjitale do të sigurojë që qytetarët t’i kenë aftësitë për t’i përmbushur kërkesat e ekonomisë së re dhe do të ndihmojë për modernizimin e administratave publike, forcimin e sigurisë në internet, rritjen e lidhshmërisë, si dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.

 

Qëllimi kryesor i trajnimit ishte njohja e mediave, punonjësve të mediave dhe gazetarëve të pavarur (freelance) me projektin ICEDA dhe me temat që lidhen me Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor, si dhe lehtësimi i rrjetëzimit dhe bashkëpunimit në arritjen e qëllimeve që dalin prej saj përmes projektit ICEDA.

Në trajnim morën pjesë gazetarë nga mediat Portalb, Faktor, Nezavisen.mk, Kanal77, Alsat, Tekst.mk, Euromobilnost, Tetovoinfo, Meta.mk, Inbox7, MIA dhe TV Zdravkin.

Në trajnim u diskutua për Agjendën Digjitale si një iniciativë kryesore në proceset e transformimit digjital të Ballkanit Perëndimor, për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe për mënyrën se si mediat dhe sektori i shoqërisë civile mund të jetë një aleat shumë i mirë në transformimin digjital.

Përfundimet e përgjithshme që dolën nga trajnimi ishin se për të arritur promovimin thelbësor dhe edukimin për çështjet kryesore që lidhen me Agjendën Digjitale dhe sfidat që dalin prej saj, duhet të forcohet bashkëpunimi me mediat së bashku me shoqërinë civile dhe institucionet. Duhet të vendoset bashkëpunim me mediat që kanë shikueshmëri/lexueshmëri më të madhe, të ashtuquajturat media “kryesore” (mainstream), në mënyrë që të ngrihen në një nivel më të lartë çështjet dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët në lidhje me përdorimin e e-shërbimeve. Përfundimi ishte se në platformat mediatike “kryesore” (mainstream) duhet të vendosen edhe fushata edukative në formate të ndryshme (video, vizualizime, animacione, etj.) të përshtatura me gjuhën dhe mënyrën e shprehjes së komuniteteve, në mënyrë që të gjithë qytetarëve (në një mënyrë të kuptueshme për ta) t’u sigurohet mundësia për t’u informuar dhe edukuar në lidhje me proceset digjitale që i prekin ata. Si një element mjaft i rëndësishëm u theksua se mediat lokale duhet të përfshihen në procese të tilla, sepse ato më lehtë mund të arrijnë tek qytetarët në rajonet që i mbulojnë.

————————————————————————————————————————————————————————————————————————

Trajnimi është pjesë e projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i cili është i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet në 6 vende (Maqedoninë e Veriut, Serbi, Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Estoni). Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: