Nëntë organizata nga pesë vende të Ballkanit kanë shënuar 2 prillin, Ditën Ndërkombëtare për Verifikimin e Fakteve 2020 duke njoftuar për krijimin e Rrjetit kundër Dezinformimit për Ballkanin (ADN-Ballkan).
ADN-Ballkan shërben si bazë për bashkëpunim midis organizatave të shoqërisë civile, mediave, institucioneve arsimore dhe të gjithë palëve të tjera të interesuara me qëllim të krijimit të një fronti të gjerë për ta luftuar dezinformimin përmes afirmimit të standardeve më të larta të verifikimit të fakteve dhe të gjitha parimeve të tjera etike të gazetarisë profesionale, si dhe për ta promovuar njohuritë elementare mediatike dhe të menduarit kritik.
Anëtarët themelues kanë lëshuar një deklaratë me të cilën e riafirmojnë lirinë e shprehjes në format e saj të ndryshme, duke theksuar se situata në Ballkan, e cila kërkon një fokus të shtuar për t’iu kundërvënë problemit të dezinformimit në nivel rajonal, veçanërisht dezinformimit ndërkufitar, si dhe fuqizim të qytetarëve përmes arsimit dhe duke i vendosur nevojat e tyre aktuale si prioritet në punën e mediave.
ADN-Ballkan u zhvillua gradualisht përmes bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh të anëtarëve të saj themelues, i cili u intensifikua gjatë dy viteve të fundit si përgjigje ndaj nivelit në rritje të dezinformatave në rajon, duke përfshirë, por duke mos u kufizuar në zhvillimin e rrjetit joformal të korrespodentëve që u implementua përmes projektit për “Kultivimin e standardeve të përmirësuara mediatike” të mbështetur nga NED-i.
Rrjeti është i hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet që punojnë në rajon, të cilat u përmbahen parimeve të përcaktuara në deklaratën e saj themeluese.
Deklaratë për zhvillimin e Rrjetit kundër dezinformimit të Ballkanit (ADN-Ballkan)
PASI QË, ne jemi organizata të shoqërisë civile dhe media nga Ballkani që punojnë për nxitjen e lirisë së shprehjes, bashkimit dhe qarkullimit të lirë të informatave të verifikuara;
PASI QË konsiderojmë se qytetarët e shoqërive demokratike kanë të drejtë të kenë informacione të sakta dhe në kohë duke u mundësuar atyre t’i përfaqësojnë interesat e tyre dhe të bëjnë zgjedhje në bazë të informatave për jetën e tyre;
PASI QË, anëtarët themelues diskutuan mbi nevojën e ngutshme për të krijuar një infrastrukturë të mëtutjeshme për bashkëpunim të bazuar në nevojën e përbashkët për ta luftuar përhapjen e dezinformatave gjë që e pengon zhvillimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në rajon;
PASI QË, ne ndajmë një qëllim të përbashkët për liri globale të shprehjes dhe për promovimin e standardeve të gazetarisë profesionale, duke u bazuar në përvojat tona për t’i mbrojtur ato në vendet tona;
PASI QË kemi kuptim të përbashkët se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për arritjen e këtij qëllimi, pasi që shumë prej tendencave negative kanë aspekte ndërkufitare që i shfrytëzojnë ndarjet brenda dhe ndërmjet komuniteteve tona
PRANDAJ:
NE E MBËSHTESIM të drejtën e njeriut për lirinë e shprehjes si të drejtë themelore të njeriut, dhe së bashku me të drejtat për qarkullimin e lirë të informatave dhe për llogaridhënie, i konsiderojmë thelbësore për zbatimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve;
NE E MBËSHTESIM faktin se përgjegjësia e të gjithë palëve të interesuara që ndikojnë në jetën e qytetarëve në rajon është thelbësore për zhvillimin e demokracisë, duke i përfshirë institucionet shtetërore, zyrtarët shtetërorë dhe publikë, mediat, shoqërinë civile, sektorin privat dhe atë akademik dhe përgjegjësinë personale të individëve përgjegjës brenda këtyre strukturave.
NE E MBËSHTESIM faktin që parimet e të drejtave të njeriut dhe liritë e mediave janë universale, por se metodat për përfaqësim dhe mbrojtje janë kontekstuale; prandaj, ne e mbështesim bashkëpunimin rajonal të bazuar në respektimin e rreptë të parimeve të gazetarisë etike dhe verifikimin e fakteve siç janë të parashikuara në dokumentet përkatëse të vetë-rregullimit, duke i përfshirë Kodet kombëtare të Gazetarëve dhe Kodin e Parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve.
NE E MBËSHTESIM idenë se parimet e gazetarisë, dhe verifikimi i fakteve si element thelbësor i raportimit dhe i gazetarisë mbikëqyrëse, që ushtrohen nga gazetarët, bloguesit, qytetarët në internet, aktivistët, studiuesit, akademikët dhe krijuesit e tjerë të përmbajtjeve, në çfarëdo lloj mediumi ose formati, mundësojnë një mjedis më të favorshëm shoqëror për konsumin dhe shkëmbimin e informatave nga qytetarët e Ballkanit.
NE E MBËSHTESIM faktin se hapja, transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve shtetërore, veçanërisht në shoqëritë nën kërcënim nga fushatat dezinformuese nga jashtë dhe nga brenda, janë thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për t’u informuar dhe për të vepruar në përputhje me parimet e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, në mbrojtjen e lirive, sigurisë dhe privatësisë së tyre.
NE E MBËSHTESIM faktin se fuqia e natyrshme e teknologjive dhe mediave tradicionale dhe atyre digjitale mbart përgjegjësi dhe detyrim për përdoruesit e tyre që t’u përmbahen parimeve të të drejtave të njeriut, pluralizmit demokratik dhe sundimit të ligjit, duk u bazuar në kornizat ligjore dhe standardet e vetë-rregullimit që janë vendosur për t’i mbrojtur ato.
NE SYNOJMË të jemi përfaqësues më efektivë për lirinë e shprehjes dhe demokracinë në rajonin tonë, PRANDAJ jemi të vendosur që të punojmë së bashku për t’i promovuar dhe për t’i mbështetur çështjet me interes publik dhe t’i edukojmë qytetarët për kërcënimet ndaj demokracisë, dhe
PRANDAJ PAJTOHEMI TË PUNOJMË SË BASHKU si Rrjet kundër Dezinfomimit të Ballkanit (ADN-Ballkan) për ta avancuar lirinë e shprehjes dhe për t’iu kundërvënë dezinformimit përmes iniciativave që e promovojnë qasjen në informata të verifikuara profesionale në gjithë rajonin, në përputhje me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përmes çdo aktiviteti, duke përfshirë edhe shkëmbimin e lajmeve, përmbajtjeve që kanë të bëjnë me arsimin, trajnimin dhe përfaqësimin.
NË FUND, E MBËSHTESIM faktin se me krijimin e këtij rrjeti kundër dezinformimit, vizioni ynë është t’i përgjigjemi kërkesës së rritur për informacion të bazuar në fakte midis qytetarëve të Ballkanit, dhe të shërbejmë si model i bashkëpunimit ndërkufitar që i tejkalon kufijtë rajonalë dhe që e rrit përgjegjësinë politike dhe mediatike në të gjithë botën.
Nënshkruar më 2 prill 2020, në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, nga përfaqësuesit tanë të autorizuar në mënyrë përkatëse:
Nënshkruesit fillestarë:
- Fondacioni për Internet dhe Shoqëri, Metamorfozis nga Maqedonia e Veriut, themelues i Vërtetmatës.mk, mk dhe Meta.mk
- Faktoje.al nga Shqipëria
- Jaj.gr (Journalists About Journalism) nga Greqia, e mbështetur nga “News Literacy Center”, OJQ për Media dhe Shkathtësi të lajmeve
- Crno beli svet (CBS), organizatë dhe portal online nga Kosova
- Peace Journalism Lab, Fakulteti i Gazetarisë dhe Komunikimit Mediatik, Universiteti “Aristotel” i Selanikut, Greqi
- Digital Communication Network SouthEast Europe Hub, Greqi
- Istinomer nga Serbia
- Ellinika Hoaxes nga Greqia
- Internews Kosova, themelues i KALLXO nga Kosova
Palët e tjera mund ta mbështesin këtë deklaratë duke nënshkruar një pëlqim se do t’u përmbahen qëllimeve të lartpërmendura të platformës.
Ndaje: