Microsoft së bashku me Fondacionin Metamorphosis, dhe në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare LENS në Prishtinë organiuzuan eventin kushtuar përdorimit të teknologjisë nga organizatat jo-qeveritare në Kosovë. Hapjen e këtij eventi e bëri Merxhan Emini -Web programmer nga Fondacioni Metamorphosis, duke treguar për mundësitë e shumta që mund të kenë organizatat jo-qeveritare varësisht nga profili i tyre, dhe tregoi se si teknologjitë mund të ndryshojnë stilin e punës pasi ofrojnë rrugë të shkurtër, me harxhime të pakta deri tek arritja e qëllimit. Ai propozoi për OJQ-të modelin “Hulumto, Vepro dhe Ndiko”, sipas të cilit, në varësi nga misioni përkatës, organizatat fillimisht mund të mësonin për mundësitë e shumta që ua ofron teknologjia, t’i shfrytëzojnë ato në varësi nga natyra e misionit dhe të bëjnë matjen e ndikimit për të vërejtur reagimin nga qytetarët.

DSC_0205_-_Copy_2

Më pas fjalën e mori menaxherja programore për arsimin në Microsoft për Maqedoninë dhe Kosovën, Vlora Ademi, e cila tregoi për qëllimin e Microsoft Youth Spark-ut ndaj OJQ-ve, OQ-ve dhe bizneseve në arritjen e potencialit të tyre të plotë. Ajo tregoi po ashtu për disa produkte dhe shërbime të Microsoft-it të cilat mund të gjejnë zbatim në shumë aspekte, duke përmendur këtu Microsoft IT Academia, DreamSpark, ImagineCup etj., si dhe bujarinë e kësaj kompanie duke i ndihmuar organizatat dhe institucionet e ndryshme me 795 milionë dollarë, ku prej tyre 120 milionë dollarë janë ndihma softuerike. Z. Ademi tregoi që organizatat që duan të aplikojnë për ndihmë dhe grante nga Microsoft, le ta bëjnë këtë gjë nëpërmjet Maqedonisë për shkak të mungesës së Kosovës në listën e shteteve.

DSC_0240

Ky aktivitet u përmbyll nga gazetari dhe blogeri Gjergj Filipaj, i cili përshkroi në pika të shkurta ndikimin e madh të rrjeteve sociale në shoqëri, të cilat sipas tij e eliminojnë pengesën e largësisë fizike, duke formuar ura të komunikimit virtual për të ngritur zërin dhe për të arritur deri tek qëllime të ndryshme, qoftë kolektive, po ashtu edhe individuale. Disa nga temat që u prekën si çështje të ndikuara në masë të madhe nga rrjetet sociale ishin arsimi, siguria, si dhe në rastet e krizave ku u përmend ndikimi i rrjeteve sociale në pranverën arabe në Egjipt, në një rast të dhurimit të gjakut në Qendrën e Inovacionit në Kosovë, ku me disa njoftime në rrjete sociale, brenda dy orëve janë siguruar 20 qese me gjak nga vullnetarë të informuar nëpërmjet tyre.

Ndaje: