Më 10 dhjetor në hotelin Holiday Inn në Shkup u mbajt konferenca e njëmbëdhjetë ndërkombëtare e-Shoqëri.mk: “Liria dhe privatësia në internet”. Konferencën e ndoqën mbi 200 mysafirë të pranishëm, përfaqësues të sektorit publik, privat dhe joqeveritar.

23028252834_cc6211ed85_k

Konferencën e hapi ambasadorja e Francës në Maqedoni, E.S. zonja Lorans Oer, e cila theksoi se në periudhën para zgjedhjeve mediet duhet të informojnë në mënyrë objektive dhe të ndjehen superiore kundrejt partive politike.

“Jemi dëshmitarë të afrimit të kufirit ndërmjet virtuales dhe reales. Mediet janë vektori i parë për informimin e qytetarëve, ndërsa në këto gjashtë muaj deri në zgjedhje, ato duhet të përpiqen të informojnë në mënyrë reale dhe objektive dhe të ndjehen superiore kundrejt partive politike”, theksoi Oer.

Sipas saj, interneti është mënyrë e re e dialogut dhe e informimit, mirëpo paraqet edhe rrezik kur terroristët e shfrytëzojnë atë si mjet për diskutim.

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi, theksoi se bota para dhe pas internetit nuk është e njëjtë dhe ai mundëson që e drejta e të shprehurit të jetë më e lirë, ndërsa rrjetet sociale ndikojnë mbi proceset demokratike. Ai sqaroi se në këtë moment, 1.300.000 qytetarë të Maqedonisë e përdorin internetin, ndërsa rreth një milionë kanë qasje në internet nëpërmjet celularëve të tyre.

23630349816_3dc145ca82_k (1)

Drejtori i Institutit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe paqe shtoi se interneti kontribuon për lirinë e të shprehurit dhe ai paraqet burim të shkëlqyeshëm të informatave. “Prandaj, është me rëndësi që ai të mbrohet”, konsideron Bosha.

Bardhyl Jashari, drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, potencoi se është kyçe të gjendet ekuilibri ndërmjet lirisë së të shprehurit dhe të drejtës për privatësi, gjegjësisht interneti të jetë i lirë, ndërsa qytetarët e Maqedonisë të munden lirisht të shprehen pa u frikësuar se do të shkilet e drejat e tyre për privatësi.

“Në emër të sigurisë, drejtpërdrejt rrezikohet liria e të shprehurit dhe liria e internetit. Duhet të gjejmë mënyrë se si interneti të mbetet i lirë, mirëpo të mbrohet edhe e drejta për privatësi e qytetarëve. Interneti duhet të jetë i lirë nga gjuha e urrejtjes”, theksoi Jashari.

Në sesionin me temë: Të drejtat e njeriut si bazë e shoqërisë bashkëkohore, përvojat e tyre i prezantuan Sebastien Botreau Bonneterre, ekspert për të drejtat e njeriut, atashe për bashkëpunim në Ambasadën e Republikës së Francës, Silva Peshiq, këshilltare për të drejtat e njeriut në Zyrën e koordinatorit të përhershëm të KB-ve, Catherine-Amélie Chassin, sekretare e përgjithshme e Institutit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe paqe, dhe Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit i Maqedonisë. Në këtë sesion u diskutuan shembuj dhe përvoja nga Franca dhe Maqedonia, mekanizmat dhe drejtimi në të cilin duhet të zhvillohet legjislacioni, mirëpo edhe vetëdija te njerëzit.

23360739260_4c652aaea2_k

Në sesionin me temë: Privatësia, Jillian YORK nga EFF – Electronic Frontier Foundation dhe IFEX-i, Liljana Pecova – Ilievska nga Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale, Andrej Petrovski nga Share Defense dhe Elena Stojanovska, eksperte për privatësi, diskutuan për zhvillimin e kësaj teme, sfidat në mbrojtjen e privatësisë, projektet e ndryshme, hulumtimet dhe aktivitetet.

23288436739_2765373c84_k

Në sesionin e fundit, kushtuar Lirisë së të shprehurit, folës ishin Mirçe Adamçevski nga Këshilli për etikë në media i Maqedonisë, Tihomir Loza nga RPMEJL – Rrjeti për profesionalizimin e medieve të Evropës Juglindore dhe IFEX-i, Borjana Xhambazova nga Asociacioni i gazetarëve evropianë – Bullgari dhe Dejan Georgievski, kryetar i Qendrës për zhvillimin e medieve. Ata diskutuan për lirinë e të shprehurit në medie, organet rregullatore, sfidat e ndryshme me të cilat ballafaqohen mediet, lirinë e të shprehurit kundrejt gjuhës së urrejtjes etj..

23656376695_ebe82280b2_k

Pjesa e dytë e konferencës ishte ndarë në katër punëtori që u zhvilluan njëkohësisht, dhe të cilat përfshinë tema si: Arsimi për të drejtat e njeriut – këmbimi i praktikave më të mira; veglat që e rrisin sigurinë dhe privatësinë në internet; standardet gazetareske dhe të drejtat e njeriut, duke e përfshirë edhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes; dhe të drejtat e njeriut dhe zgjedhjet + çështje të tjera nga fusha e të drejtave të njeriut. Gjatë këtyre punëtorive, pjesëmarrësit kishin mundësi që të ndjekin prezantime për këto tema, të parashtrojnë pyetje, të diskutojnë dhe të këmbejnë përvoja.

Konferenca u mbajt në kuadër të projektit “Bashkëpunimi i decentralizuar ndërmjet Rajonit të Normandisë së Ulët dhe Republikës së Maqedonisë”, dhe në bashkëpunim me Institutin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut nga Kaeni, dhe paraqet vazhdim të bashkëpunimit shumëvjeçar të fondacionit Metamorfozis dhe rajonit të Normandisë së Ulët në fushën e të drejtave të njeriut.

Video-inçizimi i plotë i konferencës gjendet në kanalin e fondacionit Metamorfozis në Youtube.

Galerinë me fotografi nga kjo ngjarje mund ta shihni në Facebook dhe në Flickr.

Galeria me fotografi nga ngjarja

E-Society 2015

 

Ndaje: