Më 17 maj u mbajt mbledhja konstituive e Këshillit për Koordinimin dhe Monitorimin e procesit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur 2024- 2026. Në mbledhje u zyrtarizua konstituimi i Këshillit si një organ këshilldhënës i Partneritetit për Qeverisje të Hapur i Republikës së Maqedonisë së Veriut (PQH) për koordinimin dhe monitorimin e zhvillimit dhe zbatimit të planeve aksionale.

Mbledhjen e hapi Ministri i Shoqërisë së Informatike dhe Administratës, Naim Bajrami. Ai foli për përfitimet e procesit, rëndësinë e përfshirjes së të gjithë palëve të interesuara, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit për PQH 2024-2026, i cili ndërlidhet me intensitetin e mëparshëm të punës duke marrë obligime për të rritur pjesëmarrjen e publikut dhe për të ofruar zgjidhje që bëjnë dallim.

Ministri Bajrami theksoi se themelimi i Këshillit do të sigurojë një mënyrë të strukturuar për të maksimizuar pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin midis institucioneve dhe shoqërisë civile, edhe atë në të gjitha fazat e procesit të PQH-së.

“Jam i bindur se ky Këshill, me përbërjen e përcaktuar prej 8 anëtarësh që e përfaqësojnë Qeverinë, Parlamentin dhe Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe një numër të barabartë përfaqësuesish nga organizatat e shoqërisë civile të emëruar përmes Rrjetit të Organizatave të Shoqërisë Civile për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, do t’i përgjigjet qëllimeve të përcaktuara bashkërisht” – tha ministri Bajrami.

Në sesion foli edhe Gordana Gapiq-Dimitrovska, Koordinatore Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut për PQH, e cila vuri në dukje se ishte jashtëzakonisht e kënaqur me themelimin e Këshillit, bazuar në përvojat nga cikli i mëparshëm, i cili krijon një sistem funksional të koordinimit dhe monitorimit të procesit të PQH-së.

Marijana Jançeska, si përfaqësuese e Rrjetit të Organizatave të Shoqërisë Civile, theksoi se edhe në këtë proces të bashkë-krijimit, organizatat e shoqërisë civile u përfshinë në mënyrë aktive si lehtësues të fushave prioritare dhe si anëtarë të Këshillit, me mbështetje aktive nga të gjithë anëtarët e grupeve të punës.

****

Partneriteti për Qeverisje të Hapur është një nismë ndërkombëtare vullnetare që synon të sigurojë angazhime konkrete nga qeveritë për qytetarët e tyre, për ta promovuar transparencën, për ta nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve, për ta luftuar korrupsionin dhe për t’i shfrytëzuar teknologjitë e reja për ta përmirësuar qeverisjen/udhëheqjen e mirë.

Vendi ynë është anëtar i kësaj iniciative që nga viti 2011 dhe ka miratuar gjashtë plane kombëtare të veprimit (në vitin 2012, 2014, 2016, 2018, 2021 dhe 2024). Koordinator i aktiviteteve të qeverisë për PQH është Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA).

Për të arritur suksesin e nevojshëm dhe për zbatimin e duhur dhe në kohë, është i nevojshëm një organizim dhe koordinim i mirë, edhe atë në frymën e Partneritetit për Qeverisje të Hapur. Përfshirja e shoqërisë civile dhe institucioneve është thelbësore për suksesin e të gjithë procesit. Kjo është arsyeja pse struktura për koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e procesit në Republikën e Maqedonisë së Veriut përbëhet nga Këshilli i Partneritetit për Qeverisje të Hapur dhe Grupi i Punës me të gjitha palët e interesuara për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, si ministri kompetente për këtë iniciativë.

Lajmi është marrë nga faqja e internetit e MSHIA-së – https://www.mioa.gov.mk/mk-MK/news/odrzana-konstitutivna-sednica-na-sovetot-za-koordinacija-i-sledene-na-procesot-na-partnerstvo-za-otvorena-vlast-2024-2026.nspx

Ndaje: