Më 20 tetor në Strumicë u mbajt trajnimi i tretë nga seria e trajnimeve për ballafaqim me gjuhën e urrejtjes në sferën mediatike, të cilat fillimisht janë të dedikuara për redaktorët, gazetarët dhe administratorët e ueb-portaleve, në organizim të Fondacionit Metamorfozis dhe Misionit të OSBE-së në Shkup. Në këtë trajnim njëditor morën pjesë 25 përfaqësues të medieve si dhe të medieve lokale, të cilët e transmetuan lajmin për këtë trajnim.
Qëllimi i trajnimeve është të kontribuojnë në përforcimin e kapaciteteve të medieve onlajn në Maqedoni për ta dalluar dhe për t’iu kundërvënë gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës që nxit përdorimin e dhunës dhe krimin nga urrejtja, si dhe promovimin e standardeve profesionale të gazetarisë në sinergji me Shërbimin për verifikimin е fakteve në media.
Në këtë trajnim u përfshinë këto tema:
- Hyrje në temën e gjuhës së urrejtjes
- Kornizat ligjore që lidhen me gjuhën e urrejtjes
- Përpjekjet e Misionit të OSBE-së në Shkup në këtë fushë
- Pjesëmarrja në komunitet që ka për qëllim luftën kundër gjuhës së urrejtjes
- Identifikimi i gjuhës së urrejtjes sipas metodologjisë së Shërbimit për verifikimin e fakteve në media
- Përgjegjësia shoqërore e medieve (portaleve)
- Zhvillimi i mekanizmave interne për vetërregullim në kuadër të një medieje: Zhvillimi i politikës për gjuhën e urrejtjes, regjistrimi, kufizimi për përmbajtjet e gjeneruara nga shfrytëzuesit, komentet në rrjetet sociale, mekanizimi për paralajmërim dhe largim (notice and take down mechanism)
Gjatë këtij trajnimi u prezantua edhe aplikacioni i parë celular në botë kundër gjuhës së urrejtjes, që ka për qëllim informimin më efikas dhe ngritjen e vetëdijes për gjuhën e urrejtjes, duke u mundësuar qytetarëve qasje të shpejtë dhe inovative deri te lajmet më të reja nga kjo fushë, si dhe qasje deri te resurset arsimore dhe profesionale. Aplikacioni “Mos urrej”, i cili është aplikacioni i parë i këtij lloji për telefonat e mençur në botë, mund të shkarkohet falas nga shfrytëzuesit e sistemeve më të popullarizuara operative Аndroid nëpërmjet Google Play dhe iOS, gjegjësisht nga shfrytëzuesit e iPhone-it dhe iPad-it nëpërmjet Apple Store.
Në sesionin për diskutime, përfaqësuesit e pranishëm të medieve thanë se trajnimet në këtë fushë u ndihmojnë për t’u ballafaquar me gjuhën e urrejtjes në internet, dukuri kjo me të cilën ballafaqohen në përditshmërinë e tyre.
Ndaje: