Situata me shfaqjen e koronavirusit jo vetëm që e përshpejtoi ndryshimin digjital, por gjithashtu e ka rritur edhe nevojën për të zgjidhur problemet ekzistuese, si dhe për të krijuar politika të reja në Ballkanin Perëndimor.

Kur bëhet fjalë për transformimin digjital dhe ndikimin e tij në tregun e punës, mendimet ndryshojnë. Ekziston frika se shumë njerëz do të humbin vendet e tyre të punës. Në të njëjtën kohë, përparimet digjitale sjellin mundësi të reja për të punuar me produktivitet të shtuar dhe mundësojnë shërbime publike efikase, efektive dhe transparente.

Transformimit digjital gjithnjë e më shumë i jepet përparësi si nga sektori publik ashtu edhe subjektet afariste, edhe atë për një arsye të mirë. Në vitet e fundit është bërë e qartë se nëse nuk e përqafojmë teknologjinë dhe nuk i përshtatim aftësitë dhe shprehitë tona në mënyrë adekuate, rrezikojmë të mbetemi të harruar.

Shkathtësitë digjitale dhe kompetencat digjitale

Gjatë viteve, vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me probleme të ndryshme në tregun e punës në strukturën e tregut të punës dhe përqindjet e papunësisë. Shumë faktorë ndikojnë në të ardhmen e punës, ndërsa ndryshimet digjitale janë ndër më të rëndësishmit.

Ndikimi i teknologjisë në tregun e punës është vënë në dyshim që nga fillimi i industrializimit. Dyshimi nëse njerëzit do t’i humbin vendet e tyre të punës ose do të krijojnë vende të reja pune, e ndjek në vazhdimësi këtë çështje. Në Ballkanin Perëndimor, ekziston një shkallë e caktuar frike dhe rezistence. Arsyeja kryesore është se ndjekja e teknologjisë që ndryshon me shpejtësi sjell ndryshim në rutinat afatgjata. Ekziston gjithashtu një nevojë për arsimim më të fortë, ndryshime në politikat dhe procedurat, dhe, mbi të gjitha, ekziston procesi i pashmangshëm i avancimit të vazhdueshëm të aftësive. Hendeku në mes brezave luan një rol kur bëhet fjalë për t’u mësuar me botën digjitale. Vini re se fuqia mesatare e punës në Ballkanin Perëndimor është e moshës midis 15 dhe 64 vjeç.

Struktura e popullsisë në moshë pune (15-64) nga tremujori i dytë i vitit 2012 deri në tremujorin e dytë të vitit 2019, ndryshimi në% Burimi: Baza e të dhënave e Portalit të vendeve të punës në EJL, e bazuar në të dhënat e siguruara nga Entet statistikore shtetërore dhe Eurostati.

[/caption]

Sipas Raporti të tregut për vitin 2019 të Indeksit të Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale (WB DESI), ekziston një hendek midis aftësive digjitale në BE dhe në Ballkanin Perëndimor. Ky hendek duhet të adresohet sepse nevoja për këto aftësi është në rritje.

Një nga faktorët kryesorë për përmirësimin e numrit të punëtorëve që janë në gjendje të mbajnë hapin me mjedisin e orientuar digjital është rritja e nivelit të edukimit digjital në nivel rajonal, por edhe në atë kombëtar dhe lokal.

Aftësitë dixhitale (të njohura si “aftësi të reja ekonomike”) dhe kompetencat digjitale janë të ndërlidhura, por nuk janë të njëjta. “Aftësitë e reja ekonomike” janë aftësi të vlefshme në ekonominë e re të drejtuar nga teknologjia. Ato përfshijnë aftësitë themelore të lidhura me mjetet, por gjithashtu edhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve, aftësitë për kreativitet, aftësitë e të mësuarit gjatë gjithë jetës, etj.

Kompetencat digjitale, nga ana tjetër, janë më të gjera dhe të përcaktuara brenda Kornizës Evropiane të Kompetencave Digjitale. Kjo kornizë është e dobishme për vetëvlerësim kur bëhet fjalë për gatishmërinë për të hyrë në tregjet e punës të orientuara në mënyrë digjitale.

Të jesh kompetent në aspekt digjital do të thotë të zotërosh njohuri, aftësi dhe qëndrime të caktuara që mundësojnë qasje kreative dhe kritike për përdorimin e teknologjisë. Kompetencat digjitale na ndihmojnë të zhvillojmë aftësi që mund të transferohen në një spektër të gjerë situatash të nevojshme për lloje të ndryshme të vendeve të punës.

 

A zhduken apo transformohen vendet e punës?

Mund të thuhet se ne u detyruam të ndryshonim kur filloi revolucioni digjital.

E ardhmja e vendeve të punës është një temë e rëndësishme dhe shumë studime tregojnë rezultate pozitive dhe negative. Shumë detyra mund dhe do të zëvendësohen nga përdorimi efikas i kompjuterëve dhe i makinave. Nga ana tjetër, disa industri përballen me mungesë aftësish.

Rritja e produktivitetit është një nga përfitimet kryesore të përdorimit të të mençur të mjeteve digjitale, prandaj, ato janë një avantazh. Në vend të përqindjeve më të larta të papunësisë si rezultat i përparimit digjital, ne në fakt jemi dëshmitarë të ndryshimeve strukturore. Mund të thuhet se digjitalizimi e nxit transformimin, e për sa i përket krijimit të vendeve të punës, e rrit kërkesën për profesione të specializuara. Për shembull, me rritjen e përdorimit të mediave sociale, përveç punëve tashmë ekzistuese që lidhen me marketingun, janë shfaqur profesione të tilla si menaxher i mediave sociale.

Kur flasim për mungesën e nevojës për vende të caktuara të punës në Ballkanin Perëndimor, në Raportin e Trendeve të Tregut të Punës në BP, 2020 thuhet se automatizimi kërcënon vendet e punës me aftësi të ulëta dhe se pabarazia do të bëhet edhe më e madhe nëse nuk ndërmarrim veprime të duhura të politikave. Kjo veçanërisht ka të bëjë me njerëzit me arsim të ulët, të rinjtë dhe njerëzit që nuk kanë ose nuk kërkojnë të zhvillojnë aftësi të reja në vendet e tyre të punës. Përfundohet se automatizimi nuk do të fshijë nevojën për këto vende pune si të tilla, por do të kërkojë mësimin e aftësive të reja.

Ajo që u zbulua gjithashtu se ishte e përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është se ekziston një përqindje e lartë e punëtorëve që e kalojnë kohën duke bërë “detyra rutinore”. Përveç kësaj, vetëm një numër i vogël i tyre kërkojnë ose merren me mësimin e aftësive të reja. Megjithatë, thuhet se këto shifra ndryshojnë në varësi të nivelit të arsimit.

Pra, në vend që të kemi frikë se vendet ekzistuese të punës do të zhduken, mund të themi se gatishmëria për të ndryshuar mënyrën se si mendojmë është një sfidë më e madhe. Zhvillimi i aftësive të duhura është hapi i parë i nevojshëm për tranzicionin digjital, por edhe aftësia për t’u përshtatur me ndryshimet e shpejta në mjedisin e punës.

Nevoja për përshtatje

Një nga tiparet kryesore të teknologjisë është zhvillimi i shpejtë i saj. Për punonjësit, kjo do të thotë se ka gjithmonë situata të reja që duhet të zgjidhen dhe vazhdimisht duhet të avancohet mënyra ekzistuese e kryerjes së punëve.

Ashtu siç na duhen të gjitha këto aftësi të ndryshme që lidhen me mjetet, ne duhet ta zhvillojmë edhe vetëdijen dhe gatishmërinë tonë për t’u përshtatur dhe avancuar në afat të gjatë.

Një nga sfidat më të mëdha është që ky ndryshim të bëhet në sistemin tonë arsimor. Megjithëse kemi qasje në platformat për mësim të pavarur në internet, aftësia për të përshtatur dhe pranuar natyrën e ndryshimeve të shpejta në botën digjitale duhet të bazohet edhe në sistemet shkollore dhe pas-shkollore në Ballkanin Perëndimor.

Nuk është sekret që institucionet në vendet tona mbeten prapa në përgjigjet e tyre përmes politikave kur bëhet fjalë për ndryshimet e tregut. Shpesh jemi dëshmitarë të çekuilibrit midis legjislacionit dhe praktikës.

Ekziston një nevojë për rikonstruimin dhe reformimin e zhvillimit të aftësive në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, është e nevojshme të sigurohen më shumë mundësi për të mësuar për të rriturit. Sipas hulumtimit, një numër i vogël i ndërmarrjeve ofrojnë trajnime për punonjësit e tyre. Shumica e këtyre trajnimeve ekzistuese përqendrohen në nevojat e vendit të punës sesa t’u ndihmojnë punëtorëve të ndërtojnë aftësi për t’u përballuar me sfidat e ardhshme.

Nga njëra anë, ne kemi një hendek midis brezave dhe rezistencë ndaj ndryshimeve për shkak të një numri të madh të vendeve të shumëvjeçare të punës me detyra rutinore, kurse nga ana tjetër, kemi një hendek arsimor në të cilin të rinjtë ende nuk janë të përgatitur për sfidat e tregut të punës që ndryshon me shpejtësi.

Kulturat e ndërmarrjeve, së bashku me sektorin publik, përgjithësisht i njohin këto sfida, por megjithatë nuk ofrojnë mundësi, e as hapësirë të mjaftueshme për të përmirësuar aftësitë e punonjësve të tyre. Një pjesë e madhe e atyre që përgatiten të bëhen pjesë e fuqisë punëtore duhet të zhvillojnë aftësinë për t’u përshtatur.

Koncepti më i rëndësishëm që duket se duhet të zbatohet vazhdimisht është të mësuarit gjatë gjithë jetës, pasi shkon dorë për dore me ndryshimin e mendimit që duhet të ndodhë në Ballkanin Perëndimor.

Viti i kaluar ka ndikuar në mënyrë drastike në shpejtësinë e ndryshimit digjital dhe në ndryshimin e mjedisit të punës.

U detyruam të punojmë nga larg dhe me metoda fleksibël të punës, ndërsa fokusi i punës u ndryshua nga proceset me një ritëm që synonte arritjen e rezultateve. Ishim dëshmitarë të zhvillimit të shpejtë të programeve kompjuterike, aplikacioneve, e-shërbimeve dhe nevojës në rritje për profesionistë të TI-së, ndërsa shumë vende pune tradicionale u përballën dhe vazhdojnë të ballafaqohen me probleme serioze.

Nuk ka një përgjigje të saktë nëse gjithnjë e më shumë njerëz do të humbasin vendet e tyre të punës ose jo, por ajo që është e qartë është se njerëzit në vendet tona do të duhet të tregojnë gatishmëri për të transformuar mënyrën e tyre të punës dhe të jetesës dhe në vend që të kenë frikë nga humbja e aftësive, ata do të duhet të pranojnë të reja.

Avokimi për edukimin digjital, dukshmëria e shtuar e problemeve që lidhen me Agjendën Digjitale dhe kërkesa në rritje e qytetarëve për shërbime elektronike cilësore janë fushat kryesore të mbuluara nga aktivitetet e projektit rajonal “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në nivelin e gatishmërisë elektronike të vendeve të synuara në Ballkanin Perëndimor.

Ndaje: