Organizatat mediatike, gazetarët, por edhe përfaqësuesit e institucioneve duhet të merrem më seriozisht me dezinformatat e jashtme të cilat janë pjesë e luftës hibride të cilën Rusia e bën ndaj Maqedonisë së Veriut. Kështu porositi kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari në emisionin “Click Plus” në TV21 me temë “Dezinformatat dhe edukimi mediatik”.

“Duhet të analizohet mirë se nga vijnë dezinformatat. Kemi dezinformata të cilat janë të krijuara lokalisht për interesa partiake apo për ndonjë biznes. Nga ana tjetër kemi problemin tjetër të dezinformatave i cili është duke u bërë shumë më i madh, tash flitet më për dezinformatat nga jashtë. Kjo është ajo pjesa ku një shtet i huaj, shembull Rusia, ndikon në një shtet tjetër, duke përhapur dezinformata. Një lloj i luftës hibride që ka të bëjë me prodhimin e dezinformatave prej tyre apo përmes ndërmjetësuesve apo ndihmësve të tyre, si për shembull në këtë rast Serbisë. Kjo është një aspekt më serioz me të cilën të gjithë aktorët duhet të merren, nuk ka formulë, por duhet të angazhohen të gjithë për ta bërë punën e tyre”, tha Zylbeari.

Sipas saj, gazetarët duhet të respektojnë kodin e tyre, pasi që, nuk mund të jesh gazetar nëse nuk e respekton Kodin e Gazetarëve, organizatat mediatike duhet të jenë më aktive dhe proaktive në luftën kundër dezinformatave, ndërkaq Qeveria ta miratojë planin për luftë kundër dezinformatave, i cili është pluhurosur në ndonjë sirtar.

“Ky është problem dhe rrezik për shtetin, Qeveria duhet të jetë më transparente në dhënien e informatave të sakta dhe në kohë dhe jo të fshehë diçka që mund ta dëmtojë opinionin”, shtoi Zylbeari.

Kryeredaktorja e Portalb.mk, rikujtoi disa shembuj ku dezinformatat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e njeriut dhe dëmin që mund t’ua shkaktojnë ato.

“Njëra prej tyre ishte se korona nuk ekziston. Kjo ishte problem dhe vazhdon të jetë problem. Të thuash që një virus nuk ekziston i shtynte njerëzit që të mos shkojnë në spitale dhe të paraqiten shumë vonë – në prag të vdekjes, ku mjekët më nuk kishin mundësi të ndihmojnë. Prandaj, deri diku mund të themi se dezninformatat kanë ndikuar në mortalitetin e kovidit. Ky është një rast ku dezinformatat ndikojnë direkt në jetën e njeriut. Nga ana tjetër kemi dezinformata ku nëpër rrjete sociale shpërndahen lojëra të ndryshme shpërblyese për t’ua vjedhur qytetarëve të dhënat personale”, tha Zylbeari.

Problem tjetër serioz, sipas Zylbearit, janë dezinformatat që synojnë të prishin themelet e shtetit apo ta sulmojnë demokracinë e një vendi, duke bërë që askush në askënd të mos besojë.

“Tjetër problem me dezinformatat është dëmtimi i demokracisë, këtu hyjmë në prishjen e themeleve të shtetit. Kur qytetarët nuk besojnë më në institucione dhe kur mendojnë se asgjë nuk është e saktë sepse krijohet një lloj atmosfere ku të gjithë rrejnë apo asgjë nuk është e saktë, përdoren teori manipuluese apo konspiracioni dhe kjo ndikon në prishjen e demokracisë dhe shkojnë në një regjim hibrid apo mos më keq”, tha Zylbeari.

Kryeredaktorja e Portalb.mk gjatë emisioni porositi që për të luftuar dezinformatat duhet që edukimi mediatik duhet të fillojë prej shkollës fillore, ligjëruesit e fakultit të gazetarisë duhet të kenë përvojë nga terreni, për t’i mësuar siç duhet gazetarët e rinj, gazetarët të respektojnë Kodin Etik, ndërkaq institucionet të jenë transparente.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni më poshtë:

 

Ndaje: