Qëllimi i këtij aktiviteti nuk është vetëm të ofrojë ndihmë financiare të njëhershme, por të krijojë një mjedis të sigurt dhe strukturë për zhvillimin afatgjatë të mediave të vogla me rëndësi lokale dhe specifike.
Mediat lokale janë segmenti më i cenueshëm në peizazhin mediatik, duke u përballur me sfida të shumta krahasuar me mediat e mëdha kombëtare. Megjithatë, pikërisht këto media janë thelbësore sepse i krijojnë storjet më autentike dhe i trajtojnë drejtpërdrejt problemet dhe nevojat e komuniteteve lokale, të cilat rrallë gjejnë hapësirë në mediat kombëtare.
Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” ka kënaqësinë të shpallë fituesit e granteve në kuadër të thirrjes publike për mbështetjen e mediave të vogla dhe lokale, ku propozimet e tyre për projekte i dorëzuan madje 29 aplikantë, ndërsa pesë shtëpi mediatike do të marrin mbështetje financiare dhe mentoruese për krijimin e përmbajtjeve mediatike me interes publik.
Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, u përzgjodhën mediat e mëposhtme që do të punojnë në tema specifike me interes publik:
Qëllimi i këtij aktiviteti nuk është vetëm të ofrojë ndihmë financiare të njëhershme, por të krijojë një mjedis të sigurt dhe strukturë për zhvillimin afatgjatë të mediave.
Projekti rajonal SMS Facility – Mbështetje për mediat e vogla nga Ballkani Perëndimor, i financuar nga Bashkimi Evropian, zbatohet në partneritet me pesë organizata të shoqërisë civile për mbështetje të mediave – Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile CPCD (Bosnje dhe Hercegovinë), si partner kryesor, Thomson Media (Gjermani), Shkenca dhe Inovacioni për Zhvillim SCIDEV (Shqipëri), Kosovo Glocal (Kosovë) dhe Qendra për Tranzicion Demokratik (Mali i Zi).
Përveç mbështetjes financiare për prodhimin e përmbajtjeve, projekti ofron gjithashtu një komponentë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të mediave. Fituesit do të kenë qasje në mbështetje mentoruese nga ekspertë, si dhe në kurse edukative, punëtori dhe trajnime. Janë zhvilluar edhe mjete dhe metodologji të specializuara për vetëvlerësim dhe zhvillim organizativ.
Kjo qasje gjithëpërfshirëse synon t’u ndihmojë mediave të vogla ta përmirësojnë prodhimin e tyre multimedial dhe ta rrisin ndikimin e tyre në komunitetet ku veprojnë, dhe gjithsesi, të ndërtojnë modele të qëndrueshme biznesi.
Fondacioni Metamorfozis i përgëzon mediat e përzgjedhura dhe i pret me padurim storjet që do të dalin nga ky bashkëpunim.
Fondacioni Metamorfozis e mbështet iniciativën e EDRI-t, Iniciativës Evropiane për të Drejtat Digjitale, pjesë e së cilës është edhe “Metamorfozis” – e cila paralajmëron se “Omnibusi Digjital” i Komisionit Evropian përfaqëson një kthim të rëndësishëm mbrapa për mbrojtjet digjitale në BE. Komunikatën e plotë për shtyp mund ta lexoni këtu.
Omnibusi Digjital i propozuar nga Komisioni Evropian përfaqëson një nga kthimet më të rëndësishme prapa në mbrojtjen e të drejtave digjitale në BE deri më sot. Edhe pse paraqitet si një ushtrim teknik që synon thjeshtimin dhe harmonizimin e legjislacionit, organizatat e shoqërisë civile si EDRi paralajmërojnë se kjo do të rihapë dhe do t’i dobësojë shtyllat kryesore të kornizës evropiane për të drejtat digjitale, duke përfshirë GDPR-në, Direktivën për Privatësinë Elektronike dhe pjesë të Ligjit për Inteligjencën Artificiale. Për Maqedoninë e Veriut, një vend që po harmonizohet në mënyrë aktive me standardet e BE-së dhe përpiqet të forcojë qeverisjen demokratike përmes transformimit digjital, këto zhvillime nuk duhet të perceptohen si të largëta ose të parëndësishme.
Edhe pse Maqedonia e Veriut ende nuk është anëtare e BE-së, standardet rregullatore evropiane e formësojnë mënyrën se si zhvillohen politikat digjitale në të gjithë rajonin. Institucionet, kompanitë dhe organizatat tona të shoqërisë civile kanë tendencë të përputhen me normat e BE-së, kryesisht përmes harmonizimit ligjor ose përmes varësisë sonë nga teknologjitë dhe platformat e bazuara në BE. Në rast se BE-ja i dobëson masat e saj mbrojtëse të privatësisë ose e kufizon fushëveprimin e mbrojtjes së të dhënave personale, kjo do të dërgojë një mesazh shumë të fortë se një dobësim i tillë i rregullave është i pranueshëm, gjë që do t’a bëjë më të vështirë për vende si i yni të këmbëngulin për standarde më të forta të orientuara drejt qytetarëve dhe të drejtave të njeriut. Kjo është veçanërisht shqetësuese në procesin e përpjekjeve tona për të avancuar shërbime transparente dhe të përgjegjshme elektronike, për të ndërtuar besimin e publikut dhe për të siguruar përfshirjen e komuniteteve të cenueshme në sferën digjitale.
Për Maqedoninë e Veriut, rreziqet janë veçanërisht kritike. Dobësimi i rregullave të privatësisë të BE-së mund të çojë në një pranim më të gjerë të praktikave që u lejojnë kompanive të kenë më lehtë qasje në të dhënat nga pajisjet personale, të profilizojnë individë pa pëlqimin e tyre të plotë ose të përdorin informacione të ndjeshme për t’i trajnuar sistemet e inteligjencës artificiale me mbikëqyrje të kufizuar. Këto trende i dëmtojnë në mënyrë disproporcionale komunitetet e cenueshme të cilat janë tashmë të ekspozuara ndaj diskriminimit, keqpërdorimit të të dhënave dhe aftësisë së kufizuar për të kontestuar vendimet algoritmike. Nëse mjedisi rregullator zhvendoset drejt “lehtësisë për korporatat” në vend të mbrojtjes së publikut, këto komunitete mund të përballen me pabarazi edhe më të thella digjitale.
Në një rast të tillë, ky kthim mbrapa në BE do të mund t’i minojë përpjekjet shumëvjeçare për të promovuar qeverisjen e përgjegjshme digjitale, gjë që mund t’i inkurajojë institucionet të miratojnë qasje të ngjashme “më të lehta” ndaj menaxhimit të të dhënave, duke i dhënë përparësi efikasitetit ndaj të drejtave ose shpejtësisë ndaj masave mbrojtëse. Kjo do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me përpjekjet tona të vazhdueshme për të siguruar që transformimi digjital funksionon për t’i mbrojtur dhe për t’u shërbyer qytetarëve, e jo në kurriz ose në dëm të tyre.
Prandaj, këto zhvillime rreth Omnibusit Digjital duhet të monitorohen me kujdes dhe të diskutohen publikisht në Maqedoninë e Veriut, sepse ajo që ndodh në BE ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen tonë digjitale. Përderisa jemi duke i formësuar kornizat tona ligjore, strategjitë e transformimit digjital dhe shërbimet elektronike, duhet të këmbëngulim që privatësia, transparenca dhe llogaridhënia të mbeten themele të panegociueshme, pa lejuar që trendet rajonale t’i normalizojnë masat më të dobëta mbrojtëse ose t’i reduktojnë të drejtat digjitale në çështje lehtësimit administrativ. Në vend të kësaj, duhet të përqendrohemi në një transformim të përgjegjshëm digjital që kërkon masa të forta mbrojtëse, procese gjithëpërfshirëse dhe përkushtim për t’i mbrojtur të gjitha komunitetet, veçanërisht ato që janë më të rrezikuara.
Më 26 nëntor (e mërkurë) 2025, në Klubin e Deputetëve në Shkup u mbajt Forumi Kombëtar – Panairi i Organizatave të Shoqërisë Civile: “Bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile”, i organizuar nga “Civica Mobilitas” dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në forum folën Kryeministri i QeverisëHristijan Mickoski, Sekretari i Përgjithshëm, Igor Janushev dhe disa nga ministrat e Qeverisë, si dhe ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Ekselenca e Tij, Christoph Sommer.
Forumi Kombëtar mundësoi debate dhe prezantime të arritjeve të përfituesve të grantistëve të Civica Mobilitas përmes një seksioni ekspozitash, si dhe diskutime në panel mbi tema të ndryshme me interes, të tilla si arsimi, shëndetësia, digjitalizimi, mjedisi jetësor, qeverisja e mirë, bashkëpunimi midis qeverisë dhe shoqërisë civile, vetëqeverisja lokale, etj.
Një nga segmentet qendrore ishte paneli “Digjitalizimi”, të cilin e moderoi Milla Josifovska Danillovska, Menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis. Në hapje të panelit, ajo e theksoi rëndësinë e transformimit të përgjegjshëm digjhital si bazë për shërbime më të mira, më të shpejta dhe më efikase publike, të cilat sjellin më shumë transparencë, më pak korrupsion dhe përfitime reale për qytetarët. Për më tepër, ajo e theksoi rolin kyç të organizatave të shoqërisë civile në avancimin e politikave publike, transparencës dhe njohurive mediatike.
Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski, mbajti fjalim në këtë panel ku theksoi se digjitalizimi si një transformim strategjik nuk është vetëm një proces teknologjik, por një ndryshim thelbësor në mënyrën se si funksionon shteti dhe si ofrohen shërbimet publike. “Gjatë një viti e gjysmë të kaluar, kemi treguar se një tranzicion i suksesshëm digjital është i mundur vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe të hapur midis institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile.”
“Qëllimi ynë është ta zgjerojmë dhe ta thellojmë këtë model. Me atë rast, planifikojmë që në konsorciumet e ardhshme evropiane organizatat e shoqërisë civile të jenë partnerë të barabartë. Vetëm përmes një qasjeje të partneritetit, dialogut të hapur dhe veprimeve të përbashkëta mund të krijojmë shërbime digjitale që janë cilësore, gjithëpërfshirëse dhe të sigurta për të gjithë qytetarët” – tha Andonovski.
Publiku bëri një sërë pyetjesh që lidheshin me rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, edukimin digjital të të gjithë popullsisë, mbështetjen për lirinë e mediave dhe raportimin e përgjegjshëm, cilësinë dhe qëndrueshmërinë e politikës së të dhënave të hapura, shërbimet publike dhe proceset e tjera që lidhen me digjitalizimin.
Paneli përfundoi me një ftesë për të vazhduar diskutimin në edicionin e 21-të të konferencës e-Shoqëri.mk, e cila do të mbahet më 10 dhjetor në hotelin “Holiday Inn” në temën “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital.”
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, mori pjesë në takimin e konsorciumit të partnerëve të Programit të Aktivizmit Digjital. Takimi u zhvillua në Sarajevë, para mbajtjes së konferencës ndërkombëtare Megafon 2025.
Partnerët e programit u mblodhën në Sarajevë për dy ditë rrjetëzimi intensiv, reflektimi dhe planifikimi për të ardhmen. Fokusi i takimit ishte se si përmes Programit të Aktivizmit Digjital mund të mbështeten organizatat e shoqërisë civile dhe individët në mbarë botën përmes teknologjisë, mjeteve, njohurive, aftësive, mundësive për ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe inteligjencës artificiale etike.
Takimi shërbeu si një kujtesë për forcën dhe inovacionin në komunitetin global – Programin e Aktivizmit Digjital, i cili udhëhiqet nga partneri i hershëm i Fondacionit Metamorfozis, Fondacioni Techsoup.
Më 10 dhjetor 2025 në Hotelin “Holiday Inn” (Shkup),do të mbahet edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.mk në temën “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital”.
Këtë vit, Konferenca do të fokusohet në mënyrën se si përparimi i shpejtë teknologjik po i riformëson qëndrueshmërinë demokratike, të drejtat e njeriut dhe besimin shoqëror në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur. Transformimi digjital sjell një potencial të madh për inovacion, efikasitet dhe gjithëpërfshirje, por gjithashtu i ekspozon cenueshmëritë ndaj manipulimeve, kërcënimeve kibernetike dhe përdorimit joetik të teknologjisë. Sigurimi i integritetit si bazë e këtij transformimi është çelësi për ndërtimin e sistemeve të sigurta, transparente dhe të përgjegjshme që i mbrojnë qytetarët, duke mundësuar njëkohësisht përparimin. Sfida qëndron në gjetjen e ekuilibrit të duhur midis shfrytëzimit të përfitimeve të transformimit digjital dhe mbrojtjes nga rreziqet që dëmtojnë stabilitetin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor.
Fondacioni Metamorfozis organizoi një hakaton si pjesë e Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile të CIVICUS. Ngjarja u mbajt në Bangkok, Tajlandë, nga 1 deri më 5 nëntor 2025. Pesë ekipet, duke punuar me përkushtim, përfunduan dhe i paraqitën prezantimet e tyre demonstruese. Gjatë disa muajve të ardhshëm, ata do të punojnë në zhvillimin e një prototipi, nën mentorimin dhe drejtimin e Fondacionit Metamorfozis dhe CLi, me mbështetjen e CIVICUS.
Pesë projektet e zhvilluara përmes Hakatonit dhe të të mbështetura në fazën e granteve dhe mentorimit, janë renditur më poshtë.
“Path2Action” është një udhëzues hap pas hapi që u ndihmon organizatorëve në terren t’i shndërrojnë idetë në ngjarje të vërteta, shpejt dhe lehtë. Ai udhëzon në procesin e vendosjes së objektivave, përcaktimit të audiencës, formatit të aktivitetit, afatit kohor dhe rolet, ndërkohë që sugjeron partnerë, ofron një model buxheti dhe një listë kontrolli për logjistikën, si edhe gjeneron automatikisht materiale informuese në disa gjuhë. Brenda më pak se 30 minutave, përdoruesit marrin një plan të qartë, një listë detyrash dhe materiale të gatshme për t’u shpërndarë, për të nisur veprime efektive dhe të organizuara mirë.
“CrossCheck Lite” është një mjet i efektshëm dhe i fokusuar te privatësia, që u ndihmon gazetarëve dhe studiuesve të verifikojnë shpejt informacionin në të gjithë rajonin. Ai u lejon përdoruesve të fusin pretendime ose materiale mediatike, i analizon dhe i kategorizon automatikisht përmbajtjet dhe ofron burime dhe prova të rëndësishme brenda pak sekondave. I dizajnuar për t’u integruar pa probleme në rrjedhat ekzistuese të punës në redaksi, ai mbështet verifikimin e shpejtë, dokumentimin dhe bashkëpunimin. Struktura e tij fleksibile lejon përditësime dhe zgjerim të lehtë, duke siguruar që të mbetet efektiv edhe nëse ndryshojnë mjediset e informacionit dhe nevojat për verifikim.
„ActiVibe“ është një aplikacion i përshtatshëm për të rinjtë, që ofron storje fushatash dhe udhëzime praktike. Aplikacioni përfshin një seksion “Rezistenca jo e dhunshme” me mësime nga shembuj të së kaluarës, të tilla si: Të rinjtë armenë që përdorën artin e rrugës për të nxitur dialogun, ose një fushatë gjeorgjiane që dështoi, duke nxjerrë në pah gabimet që duhen shmangur. Brenda pak minutash, përdoruesit fitojnë qasje në taktika kreative, një listë kontrolli për sigurinë dhe inkurajime që burojnë nga përvojat e bashkëmoshatarëve. Qëllimi është fuqizimi i të rinjve me shembuj nga bota reale, udhëzime hap pas hapi dhe mjete të sigurta dhe kreative që e shndërrojnë frustrimin qytetar në aktivizëm konstruktiv.
Ky mjet është një sistem digjital inteligjence për rreziqet, i bazuar në inteligjencën artificiale, i dizajnuar për t’u ndihmuar organizatave të shoqërisë civile dhe mediave të pavarura që të parashikojnë dhe t’u përgjigjen fushatave të urrejtjes dhe dezinformatave. Qëllimi i tij është të ofrojë zbulim të hershëm të narrativeve armiqësore, vlerësim të rrezikut në kohë reale, mbështetje të gatshme për komunikim gjatë krizave, trajnime për rezistencë dhe udhëzime pas veprimeve—në mënyrë që organizatat të mund të veprojnë në mënyrë proaktive në vend që të improvizojnë nën presion.
“Paketa e Mjeteve për Komunikimin gjatë Sulmeve me Dezinformata” është një udhëzues i strukturuar që u ndihmon OShC‑ve dhe mediave të reagojnë shpejt dhe në mënyrë efektive kur janë në shënjestër të sulmeve. Ai ofron udhëzime hap pas hapi, modele mesazhesh shumëgjuhëshe të miratuara paraprakisht, pako provash me informacion të verifikuar dhe një matricë kanalesh për të prioritizuar shpërndarjen e mesazheve. Qëllimi i tij është të neutralizojë sulmet në kohë reale, duke i dokumentuar në të njëjtën kohë portalet, llogaritë dhe rrjetet e trollëve, për të ndërtuar mbrojtje më të forta kundër fushatave të ardhshme.
Më shumë lajme rreth produkteve të tyre do të pasojnë së shpejti.
Me mbështetjen e CIVICUS dhe në partneritet me Iniciativën për Njohuri Qytetare, Fondacioni Metamorfozis e zbaton projektin “Hakatoni i Demokracisë Digjitale – i cili synon të inkurajojë zhvillimin e zgjidhjeve inovative digjitale për të avancuar demokracinë dhe për të forcuar sektorin e shoqërisë civile.
Më 19 nëntor 2025, në hapësirat e Europe House në Manastir, u mbajt punëtoria lokale CarGrow 2.0, aleancës qytetare që e monitoron dhe e mbështet zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes. Punëtoria kishte për qëllim të prezantojë rolin e CARGrow 2.0 si një aleancë qytetare për monitorimin e reformave dhe të inkurajonte përfshirjen e organizatave lokale, aktivistëve dhe ekspertëve në procesin e monitorimit dhe avokimit. Ngjarja ishte e hapur dhe interaktive, me qëllim të ndërtimit të besimit dhe forcimit të kontributit qytetar në procesin e integrimit evropian.
Si pjesë e punëtorisë, Marijana Jançeska – Ugarkoviq foli për masat e planifikuara dhe të zbatuara në fushën e Digjitalizimit. Fondacioni Metamorfozis ka publikuar tashmë dy përmbledhje të angazhimeve të përmbushura dhe të parashikuara në fushën e Digjitalizimit nga Agjenda e Reformave, njëri në prill të vitit 2025, që është i disponueshëm këtu, dhe një përmbledhje në korrik të vitit 2025, që është i disponueshëm këtu.
Në janar të vitit 2025, si pjesë e CarGrow 2.0, Fondacioni Metamorfozis do të publikojë edhe raportin e tretë mbi aktivitetet e realizuara në fushën e Digjitalizimit. Raportet përmbajnë një pasqyrë të përgjithshme të situatës në këtë fushë, identifikim të segmenteve ku nevojitet kontributi i qytetarëve dhe sugjerime për aktivitete të ardhshme.
Nën organizim të Fondacionit “Metamorfozis”, ndërsa në bashkëpunim me International IDEA, sot në Shkup në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik u prezantua raporti “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI (Ndikime dhe manipulime të huaja të informacionit – Foreign Information Manipulation and Interference) gjatë zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut”. Dokumenti është përgatitur sipas një metodologjie ndërkombëtare që aplikohet gjatë përgatitjes së raporteve të ngjashme në partneritet me organizatat në Moldavi, si dhe në Senegal dhe Bregun e Fildishtë, raporton Portalb.mk.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është identifikimi i faktorëve që mundësojnë përhapjen e dezinformatave dhe manipulimeve përmes ndikimit të huaj gjatë proceseve zgjedhore, si dhe njohja e dobësive strukturore që e bëjnë vendin të prekshëm ndaj ndikimeve të dëmshme të organizuara.
Dezinformatat e rrënojnë besimin në demokraci
Khushbu Agrawal nga International IDEA shpjegoi se ky raport është pjesë e një projekti ndërkombëtar për luftimin e ndërhyrjeve të huaja në proceset zgjedhore dhe për ndërtimin e rezistencës në shoqëri.
“Në më shumë se 20 zyra në të gjithë botën ne punojmë për integritet zgjedhor, sidomos në kontekstin e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike. Ne analizojmë se çfarë e bën Maqedoninë e Veriut objektiv për ndikim dhe se cilat strategji përdoren nga aktorët që duan të manipulojnë. Fushatat dezinformative krijojnë mosbesim në proceset demokratike”, tha Agrawal.
Promovimi i raportit “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI-t gjatë zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut”. Foto nga Vanço Xhambaski
Goran Rizaov nga Fondacionit “Metamorfozis”, i cili është bashkautor i raportit me Despina Kovaçevska dhe Matej Trojaçanec, theksoi se fokusi i raportit nuk është aq shumë tek vetë ndikimi i dëmshëm i huaj, por mbi të gjitha, tek faktorët në vend që krijojnë hapësirë për përhapjen e dezinformatave dhe depërtimin e FIMI.
“Raporti nuk merret aq shumë me ndërhyrjet e huaja se sa me ‘mosndërhyrjen e brendshme’, më saktësisht ai i identifikon dobësitë në një shoqëri e të cilat e mundësojnë dhe e inkurajojnë përhapjen e ndikimit të dëmshëm dhe dezinformatat nga qendra të ndryshme të fuqisë. Këto janë kushte, praktika dhe dobësi në sistem”, theksoi Rizaov.
Si grupe mundësuesish u theksuan rrjetet sociale, sfera ligjore dhe rregullatore, mediat dhe gazetaria, institucionet dhe praktikat politike, si dhe mjedisi socio-politik dhe kulturor, ndërsa si nxitës raporti e thekson industrinë e manipulimit të informacionit, ekonominë e vëmendjes, si dhe qasjen në burime të huaja.
Narrativat antigjinore, instrument për ndikim
Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet çështjeve gjinore, me ç’rast Despina Kovaçevska thekson se një pjesë e madhe e narrativave antigjinore që shfaqen në vendin tonë janë “të importuara” dhe shpesh përdoren si mjet për ndikim politik.
“Përmes çështjeve gjinore po sulmohet edhe BE-ja. Po përhapen histori se si në Holandë ose Gjermani fëmijët “vishen me rroba të gjinisë tjetër”, dhe se e njëjta gjë do të na imponohet nëse anëtarësohemi në BE. Narrativa të tilla kanë ndikuar edhe në proceset e brendshme; Ligji për Barazinë Gjinore u tërhoq pas protestave”, tha Kovaçevska.
Ajo shtoi se gratë janë ende të nënpërfaqësuara në politikë, duke e theksuar faktin se në zgjedhjet e fundit kishim vetëm dy kryetare komune gra.
Promovimi i raportit “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI-t gjatë zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut”. Foto nga Vanço Xhambaski
“Gratë nuk kanë mbështetje. Por barazia gjinore nuk vlen vetëm për gratë, duhet punuar edhe me burrat”, shtoi Kovaçevska.
Duke folur për rrjetet sociale, ajo tha se dezinformatat përhapen kryesisht në TikTok, Facebook, Instagram dhe platformën X, ndërsa rregullimi i rrjeteve sociale është pothuajse inekzistent.
“Institucionet reagojnë ndaj komenteve me gjuhë urrejtjeje vetëm nëse ka dhunë të drejtpërdrejtë”, tha ajo.
Mediat janë hallkë e dobët në mbrojtjen kundër dezinformatave
Rizaov foli edhe për sektorin mediatik si një nga segmentet më të cenueshëm.
“Mediat nuk është e vetëqëndrueshme sepse nuk kanë fonde të mjaftueshme. Kjo i bën ato të cenueshëm ndaj ndikimeve politike, sidomos përmes financimit shtetëror, gjë që mund të çojë drejt vetëcensurimit”, theksoi ai.
Si shembull ai e theksoi sjelljen e institucioneve gjatë tragjedisë në Koçan, kur Qeveria, përmes një deklarate, u mbajti leksion mediave për atë se çfarë është etika gazetareske, domethënë se nuk u lejohet t’i regjistrojnë dhe fotografojnë momentet e tragjedisë.
Sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale, Rizaov tha se inteligjenca artificiale gjithnjë e më shumë po përdoret në prodhimin e lajmeve të përditshme.
“Nuk them se kjo është diçka e keqe, por lexuesi duhet ta dijë se përmbajtja është krijuar në mënyrë sintetike”, tha ai, duke theksuar se pagat e ulëta, vendet e pasigurta të punës dhe presionet ekonomike krijojnë një mjedis në të cilin gazetaria profesionale mbijeton me vështirësi, gjë që ndikon në rënien e besimit në mediat kryesore.
Matej Trojaçanec nga “Metamorfozis” i prezantoi përfundimet e raportit dhe tha se lufta kundër FIMI kërkon bashkëpunim të koordinuar midis qeverisë, mediave, shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit privat.
“Dezinformatat janë kërcënim për demokracinë, besimin publik dhe aspiratat për integrimin euroatlantik”, theksoi ai.
Promovimi i raportit “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI-t gjatë zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut”. Foto nga Vanço Xhambaski
Si rekomandime kryesore të shënuara në raport janë: zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie kombëtare për luftë kundër dezinformatave, reformimi i reklamave politike dhe financimit të mediave, rikthimi i besimit publik përmes institucioneve transparente dhe edukimit mediatik, harmonizimi i rregulloreve me Bashkimin Evropian dhe përforcimi i kornizave ligjore përmes bashkëpunimit ndërsektorial.
Pas prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit u mbajt një seancë dialogu me palët e interesuara, ku si folës morën pjesë Biljana Georgievska, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Etikës në Media, Emilija Petreska Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe Riste Zmejkovski nga Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.
Më 13 nëntor 2025, në hapësirat e Qendrës së Inovacionit Innox (Shkup), Fondacioni Metamorfozis organizoi një punëtori me titull “Bazat e sigurisë kibernetike dhe vetëmbrojtjes digjitale” për 35 pjesëmarrëse në kuadër të programit rajonal CybHER!
Punëtoria u organizua në bashkëpunim me Këshillin Britanik, me mbështetjen profesionale të Ljubica Pendaroska Krstevskës, eksperte e sigurisë kibernetike.
Gjatë punëtorisë, përmes shembujve praktikë dhe diskutimeve, pjesëmarrësit u njohën me konceptet themelore të sigurisë kibernetike, me një fokus të veçantë në kornizat ligjore dhe rregullatore, si dhe me llojet më të shpeshta të kërcënimeve digjitale dhe mënyrat për t’i njohur dhe parandaluar ato. Theks i veçantë iu vu njohurive digjitale dhe mbrojtjes së të dhënave personale, ku pjesëmarrëset morën këshilla të dobishme për krijimin e fjalëkalimeve të sigurta, përdorimin e autentifikimit me shumë faktorë dhe sjelljen e sigurt në rrjetet sociale. Punëtoria përfundoi me një ushtrim praktik në grup dhe diskutim, përmes të cilit u bë një përmbledhje e mesazheve dhe rekomandimeve më të rëndësishme për navigim të përgjegjshëm dhe të sigurt në hapësirën digjitale.
Ngjarja u organizua nga Fondacioni Metamorfozis, në kuadër të projektit CybHER, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe i zbatuar nga Këshilli Britanik.
Fondacioni Metamorphosis, përmes “Disinfo Radar”-it të tij, është përzgjedhur mes 30 zgjidhjeve që prezantohen në Forumin e Paqes në Paris 2025 — një platformë globale që vë në pah inovacione konkrete për paqen dhe reziliencën demokratike.
Kjo përzgjedhje përfaqëson një njohje të fortë ndërkombëtare për lidershipin afatgjatë të Metamorphosis në përballjen me dezinformimin në Ballkanin Perëndimor.
Forumi mbahet në Paris më 29–30 tetor 2025 me temën “Koalicione të reja për paqen, njerëzit dhe planetin”.
Hapësira e Zgjidhjeve (Space for Solutions) e Forumit bashkon projekte me zgjidhje inteligjente nga e gjithë bota, me qëllim të shkëmbimit të metodave, krijimit të partneriteteve dhe rritjes dhe përmirësimit të rezultateve. Përzgjedhja përmes kësaj thirrjeje globale konkurruese e pozicionon “Disinfo Radar”-in krah për krah me iniciativa që vendosin standarde për integritetin e informacionit.
“Disinfo Radar” është një sistem paralajmërimi të hershëm (pre-bunk) që parashikon momentet e ndjeshme që mund të nxisin narrativa të dëmshme, të cilat shkaktojnë tensione etnike dhe polarizim në shoqëri, dhe më pas i shpërndan ato tek mediat, shoqëria civile, edukatorët dhe institucionet përmes analizave të zbatueshme dhe pikave të shkurtra kyçe për komunikim, me qëllim informimin paraprak – përpara se përmbajtjet me informacione manipuluese të krijohen dhe të përhapen. Zgjidhja kombinon ekspertizën njerëzore me analizë dhe monitorim të mbështetur nga AI, bazuar në një bazë rajonale narrativash dhe aktorësh, të cilat publikohen në buletinin mujor “Watch & Warn”.
Ky është një hap i rëndësishëm për Metamorphosis dhe për rajonin. Për më shumë se dy dekada, Fondacioni Metamorphosis e ka avancuar demokracinë, reziliencën digjitale dhe integritetin e medias përmes verifikimit të fakteve, edukimit mediatik, të dhënave të hapura dhe transparencës të mundësuar nga teknologjia.
Në një epokë të operacioneve të koordinuara me informacione manipuluese dhe dezinformim, “Disinfo Radar” e zhvendos fokusin nga rrëzimi reaktiv drejt proaktivitetit — duke parashikuar narrativat dhe duke shpjeguar rrezikun prej tyre. Disinfo Radar i pajis aktorët demokratikë në vijën e parë që të veprojnë me kohë dhe me efektivitet. Pikërisht këtë lloj inovacioni të orientuar drejt rezultateve synon ta forcojë Forumi i Paqes në Paris.
Prezantimi i “Disinfo Radar”-it në Forumin e Paqes në Paris 2025 e konfirmon ndikimin rajonal të Fondacionit dhe hap mundësi të reja për bashkëpunim me partnerë globalë dhe mentorim përmes Programit të Shkallëzimit (SCUP).
“Dezinfo radari” ka dalë nga puna e projektit rajonal Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor (FB, X.com), i mbështetur nga Mbretëria e Holandës.
Ndiqeni projektin dhe paralajmërimet mujore: antidisinfo.net ose programin zyrtar të Paris Peace Forum #PPF2025 #antidisinfo #WesternBalkans #AI #DisinfoRadar
Për të përparuar në rrugën e tyre të integrimit evropian, vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor duhet të sigurojnë lirinë dhe pluralizmin e medias. Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, kjo nënkupton tejkalimin e angazhimeve formale dhe dëshmimin përmes veprimeve konkrete se reformat demokratike janë më shumë sesa fjalë në letër.
Disa javë më parë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor përpara publikimit të Paketës së Zgjerimit 2025 dhe raporteve të vendeve, në të cilat Komisioni vlerëson përparimin e secilit shtet në përafrimin me normat dhe standardet e BE-së.
Ndër temat e ndryshme që u trajtuan gjatë vizitës së saj, von der Leyen theksoi se liria dhe pluralizmi i medias janë parakushte kyçe për të ecur përpara në procesin e integrimit në BE.
Më 20 tetor, partnerët nga iniciativa “Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias” (Media Freedom Rapid Response – MFRR) dhe “Avokimi Transnacional për Lirinë e Informacionit në Ballkan” (Transnational Advocacy for Freedom of Information in the Balkans ATLIB) organizuan një uebinar për të diskutuar zhvillimet e fundit në sektorin e medias në rajon, duke u përqendruar në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Duke hapur aktivitetin, Këshilltari i Ambasadës, Thomas Botzios, nga Njësia për Adriatikun dhe Ballkanin në Ministrinë Italiane të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, e theksoi rëndësinë e ndërtimit të lidhjeve transnacionale me partnerët ballkanikë për të promovuar mediat e lira dhe të pavarura dhe për të siguruar që standardet demokratike të respektohen nga të gjitha vendet kandidate.
Situata e lirisë së medias në rajon mbetet komplekse dhe kontradiktore, vuri në dukje Maja Sever, Presidente e Federatës Evropiane të Gazetarëve. Ndërkohë që është bërë përparim — siç është protokolli i ri i Malit të Zi për të rritur sigurinë e gazetarëve — vazhdojnë të ekzistojnë shqetësime serioze. Dezinformimi, manipulimi i informacionit nga jashtë, presioni politik, brishtësia ekonomike, dobësia e tregjeve lokale të medias dhe mungesa e rregullimit të mjaftueshëm të mediave online vazhdojnë të paraqesin sfida të mëdha.
Edhe pse këto probleme janë të zakonshme në të gjithë rajonin, secili vend përballet me çështje specifike që kërkojnë përgjigje të përshtatura sipas konteksteve politike lokale.
Në Mal të Zi, dobësitë strukturore vazhdojnë të minojnë pavarësinë dhe lirinë e shumë mediave, veçanërisht në nivel lokal. Kushtet e këqija socio-ekonomike e bëjnë gazetarinë një profesion të brishtë, gjithnjë e më të ekspozuar ndaj fushatave të shpifjes — shpesh në internet — dhe ndaj padive abuzive të hartuara për të heshtur zërat kritikë. Ky fenomen, i njohur si SLAPPs, më në fund po fillon të marrë më shumë vëmendje në peizazhin mediatik të Malit të Zi.
Një shqetësim tjetër urgjent është mungesa e pavarësisë së transmetuesit publik, i cili mbetet i përfshirë në marrëdhënie klienteliste që e kufizojnë rëndë aftësinë e tij për të vepruar në interes të publikut, siç theksoi Olivera Nikoliç nga Instituti i Medias i Malit të Zi.
Në Maqedoninë e Veriut, ritmi i reformave mbetet i ngadaltë. “Kemi bërë disa përparime, por qëllimet përfundimtare janë ende të largëta” – tha Zoran Riçliev nga Fondacioni Metamorfozis. Tregu mediatik i vendit është i vogël dhe shumë i fragmentuar, duke i bërë mediat të ndjeshme ndaj presioneve të jashtme politike dhe ekonomike. Financimi dhe reklamat shtetërore vazhdojnë të pasqyrojnë kontroll të fortë politik mbi mediat, duke nxitur klientelizmin dhe korrupsionin.
Megjithëse ka pasur disa hapa pozitivë — siç është përmirësimi i sigurisë së gazetarëve dhe ndryshimi i Kodit Penal për të njohur sulmet ndaj gazetarëve si sulme ndaj zyrtarëve publikë — përputhshmëria me standardet evropiane mbetet e paplotë. Një nga praktikat më shqetësuese është reklamimi i politik i paguar nga buxheti i shtetit gjatë fushatave zgjedhore,gjë që e shtrembëron tregun mediatik dhe e minon pavarësinë redaksionale.
Nga një perspektivë më e gjerë rajonale, dhe në dritën e procesit të anëtarësimit në BE, ka ende hapësirë të konsiderueshme për përmirësim. Megjithëse vendet kandidate mund t’u referohen shteteve anëtare të BE-së për udhëzime në zbatimin e normave evropiane, shkëmbimi nuk duhet të jetë njëkahësh. Edhe shtetet anëtare përballen me kërcënime ndaj lirisë së mediave dhe me sfida në zbatimin e rregulloreve të miratuara rishtazi. Në këtë kontekst, avokimi ndërkombëtar paraqet një mjet të vlefshëm.
Duke iu referuar zbatimit të Ligjit Evropian për Lirinë e Mediave në Kroaci, Maja Sever theksoi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta — ndarjen e njohurive, strategjive dhe veprimeve — për të siguruar zbatimin adekuat të standardeve dhe llogaridhënien e plotë nga vendimmarrësit.
Në fund, siç ua kujtoi pjesëmarrësve bashkëpunëtori i OBCT-së, Massimo Moratti, liria e mediave mund të garantohet vetëm kur sundimi i ligjit në përgjithësi funksionon në mënyrë efektive, p.sh. kur një gjyqësor i pavarur është në gjendje të zbatojë ligjin dhe ta mbajë përgjegjës pushtetin politik. Miratimi i ligjeve të reja, në vetvete, nuk është i mjaftueshëm për të forcuar lirinë e mediave. Këto ligje duhet edhe të zbatohen.
Ndërtimi i partneriteteve transnacionale midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është thelbësor për të mbajtur vëmendjen të përqendruar te liria e mediave në një kohë kur demokracia në të gjithë Evropën përballet me kërcënime në rritje dhe kthim prapa. Ndërkohë që progresi legjislativ duhet të mirëpritet, është koha që ndryshimi të bëhet i dukshëm në terren. Për ta arritur këtë do të kërkohet një përpjekje e koordinuar dhe shumë-nivelëshe, që përfshin të gjitha palët e interesuara përkatëse, si në vendet kandidate ashtu edhe brenda vetë Bashkimit Evropian.
Ky botim është rezultat i aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të iniciativës “Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias” (Media Freedom Rapid Response – MFRR) i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe në kuadër të projektit “Avokimi Transnacional për Lirinë e Informacionit në Ballkan” (Transnational Advocacy for Freedom of Information in the Balkans – ATLIB), një projekt i bashkëfinancuar nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar. Të gjitha mendimet e shprehura përfaqësojnë pikëpamjet e autorit të tyre dhe jo ato të institucioneve bashkëfinancuese.
Samiti mblodhi mbi 2,000 reformatorë, liderë dhe ekspertë nga mbi 70 vende me një qëllim të vetëm: forcimin e besimit, transparencës dhe demokracisë në një botë që ndryshon me shpejtësi. Samiti u përqendrua në rindërtimin e besimit publik, mbrojtjen e hapësirës qytetare dhe përdorimin e përgjegjshëm të të dhënave dhe inteligjencës artificiale për një qeverisje më të mirë. Miratimi i Deklaratës së Vitoria-Gasteiz nga gati 160 qeveri dhe organizata e riafirmoi angazhimin global për bashkëpunim, integritet dhe qëndrueshmëri në qeverisjen demokratike.
Gjatë seancës plenare hyrëse, Samiti i shprehu respket mikeshës së mirë të PQH-së dhe ish-anëtares së Komitetit Drejtues të PQH-së, Helen Darbyshire. Në nder të saj, u publikuan fituesit e parë të thirrjes së parë për aplikime në kuadër të Fondit për Shoqërinë Civile “Helen Darbyshire”, në nder të avokueses së ndjerë për qasjen në informacion dhe të drejtat e njeriut. Midis këtyre fituesve ishte edhe Fondacioni “Metamorfozis” në partneritet me Qendrën për Komunikime Qytetare. Këto grante do t’i forcojnë proceset e qeverisjes së hapur, do të mbështesin angazhimin e shoqërisë civile dhe do të inkurajojnë reforma ambicioze midis anëtarëve të PQH-së.
Si pjesë e Samitit, Dançe Danillovska – Bajdevska, Drejtoresha e Programeve në Fondacionin “Metamorfozis”, ishte folëse në panelin “Më shumë sesa angazhim: Përmbledhje e 15 viteve të rrugëtimit të PQH-së”. Si përgatitje për shënimin e atij përvjetori, sesioni bëri një pasqyrë të arritjeve kryesore dhe të ndikimit të partneritetit dhe, përmes qasjes së bashkimit të të dhënave dhe tregimeve, prezantoi të dhëna të hollësishme për ndikimin e PQH-së mbi politikat, vendet dhe reformatorët në qeveri dhe shoqërinë civile gjatë dekadës së fundit. Përmes një formati të prezantimeve të shkurtra, sesioni i bashkoi reformatorët dhe ofroi një mundësi për të dëgjuar storje të vërteta nga autoritetet kombëtare dhe lokale, shoqëria civile dhe liderët e opinionit (duke i përfshirë edhe disa nga anëtarët themelues) rreth mënyrës se si e kanë përdorur platformën PQH për t’i çuar përpara qëllimet e tyre.
Në fjalën e saj, Danillovska-Bajdevska foli për rrugëtimin 15-vjeçar të Maqedonisë së Veriut brenda kësaj iniciative, duke e përshkruar atë si një bashkësi vlerash dhe si një platformë për qëndrueshmëri që e ka forcuar transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e qytetarëve – madje edhe gjatë periudhës së “shtetit të kapur”. Ajo i theksoi reformat kryesore të arritura përmes PQH-së, të tilla si Thesari i Hapur, Portali Kombëtar i të Dhënave të Hapura, regjistri i pronarëve të vërtetë dhe Ligji për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, duke e theksuar rolin kyç të shoqërisë civile në bashkë-krijimin dhe monitorimin e gjashtë Planeve Kombëtare të Veprimit. Duke i theksuar arritjet në nivel lokal, ajo tregoi se janë publikuar mbi 280 grupe të dhënash nga 50 komuna, duke fituar njohje ndërkombëtare për mjetet për transparencë komunale të Maqedonisë së Veriut në Samitin Botëror të PQH-së në Seul.
Ajo theksoi më tej se një nga ndikimet më të mëdha të PQH-së në Maqedoninë e Veriut është institucionalizimi i pjesëmarrjes qytetare përmes Këshillit për Partneritet për Qeverisje të Hapur dhe Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, e cila tani përfshin më shumë se 75 organizata. Pavarësisht sfidave të tilla si kapaciteti i kufizuar institucional, ndryshimet politike dhe zbatimi i ngadaltë i ligjeve, ajo theksoi se suksesi i vërtetë i PQH-së nuk matet vetëm përmes të dhënave dhe harmonizimit, por përmes besimit, bashkëpunimit dhe kulturës së hapjes që ndërtohet midis qeverisë dhe shoqërisë civile. Mesazhi i saj kryesor ishte i qartë – ndikimi i vërtetë i qeverisjes së hapur nuk qëndron vetëm në reformat e zbatuara, por edhe në mënyrën se si ato i transformojnë marrëdhëniet, llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve në institucione.
Samiti u mbyll me fjalën përmbyllëse nga Hirësisë së Tij, Mbretit Felipe VI, i cili theksoi se qeveria e hapur është gur themel i demokracisë dhe besimit publik.