Grupi austriak i punës kundër ruajtjes së të dhënave (Arbeitskreis Vorratsdaten – AKVorrat.at) më 14 dhjetor i dorëzoi një peticion parlamentit austriak, në të cilin kërkon që qeveria të jetë e obliguar në nivel të BE-së të angazhohet kundër Direktivës për ruajtjen e të dhënave dhe ta vlerësojë legjislacionin ekzistues anti-terrorist.

Gjashtë vjet pasi Direktiva për ruajtje të të dhënave u miratua nga Parlamenti evropian, por vetëm disa muaj pasi ajo u transponua në legjislacion shtetëror austriak, aktivistët e AKVorrat-it, ia dorëzuan një peticion me 4,471 nënshkrime nënkryetares së parlamentit austriak, Susanne Janistyn.

Para do kohësh, Parlamenti austriak krijoi mundësinë për nënshkrimin e peticioneve nëpërmjet internetit në ueb-faqen e tij, pasi të dorëzohen me sukses në formë të shkruar. Prandaj, ngjarja e sotme në Kuvend shënon vetëm arritjen e një qëllimi afatmesëm për AKVorrat. Duke filluar nga dita e hënë e javës së ardhshme, do të fillojë një fushatë e gjerë nëpërmjet internetit që të arrihet qëllimi të mblidhen 10,000 nënshkrime nëpërmjet internetit. Qytetarët austriakë, kanë të drejtë t’i nënshkruajnë peticionet në ueb-faqen e parlamentit duke filluar nga mosha 16 vjeçare.

Përderisa ruajtja e të dhënave paraqet çështjen më të spikatur të fushatës, peticioni poashtu ka për cak edhe një numër të madh të ligjeve të implementuara nën arsyetimin – luftë kundër terrorizmit. Prandaj, nga parlamenti austriak kërkohet që t’i rishqyrtojë të gjitha këto ligje dhe t’i anulojë ato, nëse konstatohet se nuk janë proporcionalë ose nuk janë të domosdoshëm në një shoqëri demokratike.

Direktiva për ruajtjen e të dhënave u transponua në ligjin shtetëror austriak në muajin prill të këtij viti, i cili do të hyjë në fuqi më 1 prill 2012. Nga kjo datë e më tutje, qytetarët asutriakë do të kenë mundësi të parashtrojnë ankesa kundër këtij ligji në Gjyqin Kushtetues të Austrisë. AKVorrat është e përkushtuar që ta shfrytëzojë maksimalisht këtë mundësi.

Burimi: ЕDRI-gram „Austria: Petition against Data Retention Directive“ nr. 9.24, 14 dhjetor 2011.