“Digjitalizimi në RMV gjatë vitit 2022: Larg shërbimeve me një klikim, faturën e paguajnë qytetarët” – Portalb.mk

Sfida me të cilën vazhdon të përballet Maqedonia e Veriut janë reformat në fushën e digjitalizimit, gjegjësisht progresi për të qenë në hap me zhvillimet e fundit për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve, duke u ofruar shërbime cilësore, të shpejta dhe efikase. Derisa bota dhe shtetet e perëndimit po avancohen çdo ditë e më tepër në këtë drejtim, vendi ende nuk ka infrastrukturë të mirëfilltë digjitale dhe për këtë, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të autoriteteve. Për vitin 2023 pritja më e madhe është formimi i Agjencisë Digjitale. Portalb.mk më poshtë sjell një pasqyrë se çfarë (nuk) u bë gjatë këtij viti si dhe cilat janë sfidat e vitit të ardhshëm këtë fushë.

Portali “E-shërbime” i mangët

Digjitalizimi i shërbimeve, padyshim që është në dobi dhe interes të qytetarëve, shtetit, por gjithashtu edhe i domosdoshëm për atje ku synojmë të integrohemi, BE-së. Hulumtimet ndër vite të Portalb.mk kanë dëshmuar dhe treguar se rezultatet nga raportet, analizat, apo anketat e institucioneve ndërkombëtare apo të brendshme, por edhe OJQ-ve për në këtë drejtim për vendin nuk janë vetëm kritika në letër, por problem serioz në përditshmërinë e qytetarëve që enden sporteleve për një dokument të caktuar.

Maqedonia e Veriut vazhdon të mos ketë bazë të të dhënave për përdorimin e shërbimeve elektronike që i japin institucionet publike, pra nuk dihet se sa shërbime janë dhënë, krahasuar me shërbimet me prani fizike.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë vështirë të nxjerrin dokumente “vetëm me një klikim” në Internet. Kjo ndodh sepse shteti ofron shërbime të kufizuara elektronike, potenciali i portalit nacional nuk shfrytëzohet ndërkaq ka banorë edhe pse kanë pajisje, ata nuk kanë informata të mjaftueshme për shërbimet elektronike.

Në RMV funksionon Portalit Nacional për Shërbime Elektronike – “E-uslugi”, ku mund të dorëzohen kërkesa për marrjen e disa shërbimeve elektronike, të paguhen kompensime apo taksa administrative, të ndiqet statusi i procedurave apo të ndërmerren hapa tjerë në kryerjen e ndonjë shërbimi administrativ, megjithatë për t’i kryer këto, duhet që të hapet fillimisht llogari apo të krijohet profil “e-ID”. Ky portal ka 87.468 përdorues të regjistruar, ndërkaq deri tani nëpërmjet tij janë bërë 30.156 aplikime.

Portali momentalisht ka 835 shërbime të disponueshme nga 1.288 institucione publike, ndërkaq 66 prej tyre janë elektronike, por vlen të theksohet se nuk shërbimet nuk janë tërësisht elektronike. Në shumicën e shërbimeve është e përshkruar vetëm procedura, por që për ta marrë dokumentin patjetër qytetarë të shkojë në institucion me prani fizike. Mbetet sfidë që të zgjerohet dhe sofistikohen numri i shërbimeve tërësisht elektronike.

Raporti i tretë për gjendjen aktuale dhe udhërrëfyes për promovimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut që u publikua nga Fondacioni Metamorfozis, i cili ka i cili ka të bëjë me periudhën qershor 2021 – qershor 2022, theksohet se pavarësisht numri i shërbimeve elektronike, si dhe numri i përdoruesve nga viti në vit po shtohet, megjithatë portali uslugi.gov.mk nuk është mjaftueshëm i promovuar te qytetarët. Në të njëjtën kohë, shumë prej shërbimeve nuk janë aspak elektronike, kurse për ato që janë të tilla, pritja është shumë e gjatë, gjë që është e papërshtatshme për kuptimin dhe qëllimin e tyre. Për sa i përket vullnetit dhe strategjisë politike, është në nivel të lartë dhe është pjesë e prioriteteve të Qeverisë. Në këtë fushë ka shumë strategji, por shumë nga ato janë të vjetruara dhe duhet të përditësohen.

Në një debat publik të organizuar nga Metamorfozis, u tha se mungon qasja strategjike për zhvillimin e digjitalizimit në nivel lokal, sepse pothuajse të gjitha strategjitë aktualisht janë të përqendruara në shërbimet e ofruara nga pushteti qendrore. Përshpejtimi i procesit të e-shërbimeve të komunave, mund të ndodhë edhe nëse përdoret portali qendror E-shërbime.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk në Canva

Larg shërbimeve me një klikim, faturën e paguajnë qytetarët

Një prej angazhimeve që edhe gjatë vitit 2022 nuk mbaroi është digjitalizimi i Librave Amë, me çka shteti do të ketë një bazë të të dhënave, të cilat mund t’i shfrytëzojë në sisteme elektronike për dhënien e shërbimeve. Në një intervistë me Kristina Petrovskën nga Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë, digjitalizimi i librave amë pritet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2023.

Në lidhje me procesin e digjitalizimit të librave amë, këtë vit, Policia Financiare dorëzoi padi penale kundër tre të punësuarve në Drejtorinë për Menaxhim me Librat Amë nën dyshimin se e kanë kurdisur tenderin dhe e kanë dëmtuar buxhetin për 46.000 euro.

Pavarësisht se dokumentet elektronike pranohen me ligj dhe kanë të njëjtën vlerë të dokumenteve fizike, institucionet tona ende nuk funksionojnë me dokumente elektronike. Këtë e treguam nëpërmjet hulumtimit, ku institucionet arsimore, bankat dhe noterët u treguan të pasigurt dhe të painformuar sa duhet nëse duhet të pranojnë një certifikatë të lindjes të lëshuar në mënyrë elektronike.

Nga ana tjetër, institucionet në RMV, shumë pak komunikojnë mes vete nëpërmjet Platformës së Interoperabilitetit e cila parashikon këmbimin e të dhënave, nëpërmjet sistemeve elektronike me qëllim të ofrohen shërbime në mënyrë më efikase dhe të shpejtë. Të dhënat që këtë vit siguroi Portalb.mk, tregojnë se në nivel të përgjithshëm të gjitha institucionet e Platformës kanë rënie të kryerjes së transaksioneve, në vend që ky numër të jetë më i lartë.

Nëpërmjet storjeve hulumtuese, Portalb.mk tregoi se si mungesa e lidhjes së institucioneve mes vete, qytetarët i ekspozon ndaj procedurave të pakuptimta administrative, të cilat veç tjerash kanë dhe kosto financiare. Pra, në vend që institucionet nëpërmjet sistemeve elektronike, vetë t’i gjejnë të dhënat dhe dokumentet, ata i obligojnë qytetarët që të shkojnë prej dere më derë për të nxjerrë lloj-lloj “vërtetimesh” e “certifikatash”, të cilat kushtojnë kohë, para dhe mund.

Gjithashtu, Portalb.mk këtë vit bëri edhe një hulumtim ku nxori në pah papërgjegjësinë e institucioneve të vendit, gjegjësisht komunave që i ndryshojnë emrat e rrugëve pa i regjistruar në Regjistrin Qendror dhe pasi institucionet nuk kanë sistem të përbashkët elektronik, qytetarët enden dhe paguajnë vërtetime.

Nga ana tjetër, të punësuarit në institucionet publike vazhdojnë të publikojnë të dhëna në formën e një dokumenti PDF të skanuar, në vend që t’i ngarkojnë të njëjtat në formën PDF të hapur, kjo përbën problem për qytetarët dhe analizimin e të dhënave, pasi në PDF formatet është e vështirë të editohen dhe kopjohen të dhënat.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk në Canva

Mësimi pa libra elektronik, gjykatat me AKMIS të ri, inspektorët me sistem të ri elektronik

Në lidhje me digjitalizimin e arsimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se ka filluar digjitalizimi i teksteve shkollore dhe ky proces do të realizohet për pesë vjet. Për këtë kishte pikëpamje të ndara në opinionin e vendit: Disa kërkonin që të shfuqizohen librat fizik tërësisht dhe të mësohet vetëm me libra elektronik, por disa të tjerë e deklaronin të kundërtën. Duke e pasur parasysh se RMV nuk ka infrastrukturë të mirëfilltë digjitale për mësim vetëm nga librat elektronik, MASH u “tërhoq” një hap mbrapa dhe vendosi që të vazhdojë me mësimin sipas formës tradicionale. Njëkohësisht, librat botohen edhe në formë elektronike dhe nxënësit mund të mësojnë edhe prej atje, por ky opsion është vullnetar.

Gjatë vitit 2022, për herë të parë nxënësit u regjistruan në shkolla të mesme përmes formës elektronike. Megjithatë, nxënësit përsëri u desh që të njëjtat dokumente t’i dorëzojnë në shkolla para komisioneve për regjistrim, për të vërtetuar besueshmërinë e tyre.

Insistim dhe presion për digjitalizim të sistemit arsimor në vend pati edhe nga shoqëria civile, të cilët përmes aktiviteteve të ndryshme kërkuan futjen e metodave digjitale të të mësuarit. Studentët dhe të rinjtë kanë kërkuar më tepër të digjitalizohet edhe arsimi i lartë, ku përmes një dokumenti me tematikën “Digjitalizimi i arsimit të lartë – sfidat dhe mundësitë” janë dhënë rekomandime në lidhje me hartimin e një Strategjie Kombëtare për Digjitalizimin e Arsimit të Lartë.

Gjatë vitit 2022 nostrifikimi dhe ekuivalentimi i diplomave të huaja në Maqedoninë e Veriut filloi të realizohet në formë digjitale. Ndërsa Digjitalizimi gjatë aplikimit për bursa të nxënësve për vitin shkollor 2022/2023 ka ndikuar që këtë vit për herë të parë të mos ketë radhë të gjata nxënësish dhe prindërish, gjegjësisht kujdestarësh që presin para Ministrisë për të dorëzuar dokumentet e nevojshme.

Në fushën e gjyqësorit, në mars të vitit 2022 nisi procesi i instalimit të pajisjeve TIK në pesë gjykatat themelore si pjesë të Planit Operativ për digjitalizimin e gjyqësorit, ku përfshihej gjyqësori i Kavadarit, Strumicës, Shtipit, Shkupit dhe Gjyqin Civil. Përmes digjitalizimit të gjyqësorit, palët do të marrin pjesë në seanca, nëse nuk do të mundet të marrë pjesë fizikisht. Rikujtojmë që këtë vit, Mbretëria e Norvegjisë do të dhurojë 6,8 milionë euro për sistem të ri elektronik për shpërndarjen e lëndëve (AKMIS), pasi që sistemin e vjetër e manipuluan gjyqtarët. Gjatë vitit 2022 u mbajt gjykimi i parë në sallën e re digjitale në kuadër të Burgut të Idrizovës.

Në lidhje me digjitalizimin e inspektimeve, në dhjetor u promovua sistemi informatik për mbikëqyrje inspektuese “E-inspektor”. Platforma “E-inspektor” për modernizimin e shërbimeve inspektuese, i cili është përgatitur me ndihmën e Bankës Evropiane për Rinovim dhe Zhvillim (BERZH), filloi në shkurt të 2022 dhe do të zgjatë 18 muaj apo deri në gusht të vitit 2023 nën kujdesin e Këshillit Inspektues. Deri në vitin 2024 parashikohet që “E-inspektor” të lidhet me të gjitha 28 shërbimet inspektuese. Ai do të jetë i lidhur me të gjitha shërbimet inspektuese të nivelit qendror, me mundësi të kyçjes edhe të inspektorëve komunal. Do të mundësojë planifikim automatik të mbikëqyrjeve inspektuese në bazë të vlerësimit të rrezikut dhe ndjekjes së veprimit paraprak të subjekteve të mbikëqyrjes. Sistemi, gjithashtu do të mundësojë shpërndarje automatike të lëndëve tek inspektorët dhe rajonet/zonat.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk në Canva

Sektori civil mbikëqyrës dhe kontribuues në procesin e digjitalizimit të vendit

Në drejtim të transformimit të një vendi në vend më digjital, kontribuues edhe vitin 2022 si ato paraprake ka qenë sektori joqeveritar, me Fondacionin Metamorfozis lider në këtë fushë, që përmes aktiviteteve, hulumtimeve si dhe bashkëpunimin me sektorin qeveritar po përmirësojnë sadopak gjendjen në këtë drejtim. Këtu vlen të përmendet projekti “Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale – ICEDA” e cila zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis i Maqedonisë së Veriut), së bashku me organizata partnere nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Estonia. I njëjti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, i njëjti promovon shërbime digjitale më të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtij viti, përmes tij u realizua vizitë studimore në Estoni ku pjesëmarrës pari edhe nga Qeveria e vendit, pati disa shkëmbime rajonale të njohurive dhe dialogëve rajonalë për agjendën digjitale. U publikuan dy raporte për agjendën digjitale, i pari i publikuar në janar ishte Raport përmbledhës mbi progresin e agjendës digjitale për vitin 2021 në vendet e Ballkanit Perëndimor ndërsa i dyti i publikuar në qershor 2022 për Situatën aktuale dhe udhërrëfyes për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut (2022). Hulumtimi përfundimtar mbi gjendjen e zhvillimit të qeverisjes elektronike dhe shkrim-leximit digjital në vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2022 tani më është gati dhe pritet që ditëve në vijim të jetë publik edhe për opinionin.

Në këtë drejtim, përmes projektit u realizuan 29 infografiqe, 3 video, 2 animacione, 9 artikuj investigues dhe edukues, u mbajtën 6 uebinare, u ndanë 29 sub-grante ku pesë prej të cilave ishin në Maqedoninë e Veriut. Në këtë drejtim, Portalb.mk gjatë gjithë vitit ka raportuar për ngjarjet e tilla si dhe për problemet digjitale me të cilat ballafaqohet vendi.

Në dhjetor u mbajt edhe konferenca rajonale e-Shoqëri.mk ku pikërisht edhe këtu u nxorën në pah pikat se deri ku është Ballkani në Agjendën digjitale.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk në Canva

Shpresat dhe sfidat për vitet në vazhdim

Maqedonia e Veriut në dy vitet e ardhshme pritet të bëhet me Agjenci për Siguri Kibernetike e cila do të merret me parandalimin e sulmeve kibernetike të mundshme si dhe me Agjenci Digjitale. Këto i ka konfirmuar ministri i MSHIA, Admirim Aliti në një intervistë për Portalb.mk. Buxheti i MSHIA për vitin 2023, kap vlerën e 1.580.029.000 denarësh.

Vetëm pak ditë para se të mbarojë viti 2022, në seancën e 115-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u vendos që Maqedonia e Veriut të marrë pjesë në programin e Bashkimit Evropian “Evropa Digjitale për periudhën 2021-2027”. Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë është përgjegjëse për këtë nismë. Me nënshkrimin e marrëveshjes, vendi nga 01.01.2023 është anëtare në programin Evropa Digjitale dhe të gjitha organizatat civile, kompanitë dhe institucionet do të mund të marrin pjesë në projektet e realizuara përmes këtij programi, buxheti i përgjithshëm i së cilës është i planifikuar prej 7,5 miliard euro.

Në buxhetin për vitin 2023 të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës janë parashikuar mjete për digjitalizim të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset në vlerë prej 154.795.000 denarë, apo 38 milionë denarë më shumë se vitin e kaluar.

Maqedonia e Veriut ka rrugë të gjatë përpara saj për sa i përket transformimit digjital. Ndonëse vendi ka bërë reforma në këtë drejtim, megjithatë ka ende shumë punë për t’u bërë. Kjo është konstatuar edhe në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Raporti thekson mangësitë ku vendi duhet të punojë si dhe pikat ku vendi ka bërë përparim.

Link deri tek origjinali: https://portalb.mk/828743-digjitalizimi-i-sherbimeve-ne-rmv-gjate-vitit-2022-rruge-e-gjate-me-plot-gjemba/

Kjo storje është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA”, që bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike – Serbia (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e storjes hulumtuese është përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Ndaje:

3
meta tim sliki-02.jpg

Tekste të tjera në blog

Maqedonia e Veriut ndodhet ende në faza të hershme të digjitalizimit, nevojitet ekspertizë për sigurinë kibernetike

18.11.2024

Digjitalizim, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk Vlerësimi gjithëpërfshirës i KE-së në raportin e progresit për situatën e digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut është se, megjithëse ka pasur disa përparime, përpjekjet për digjitalizim janë ende në faza të hershme dhe kanë shumë mangësi. Shërbimet digjitale janë në zhvillim, por shumë procedura mbeten offline dhe kërkohet përmirësim i portalit […]

Hulumtimi mbi dezinformatat dhe shoqërinë civile i nxjerr në pah sfidat e mëdha demokratike në Evropë

05.09.2024

TechSoup, përmes Programit të tij të Aktivizmit Digjital, ka publikuar katër raporte gjithëpërfshirëse për hartëzimin rajonal që hedhin dritë mbi sfidat kritike dhe nevojat urgjente të organizatave të shoqërisë civile nëpër Evropë. Të zhvilluara me përpjekje të përbashkëta përmes rrjetit të partnerëve të TechSoup-it në Evropën Qendrore dhe Lindore, këto raporte ofrojnë një përmbledhje të […]

Rekomandimi ynë për lexim gjatë verës

29.07.2024

Kur bëhet fjalë për lexim gjatë verës, shumica do të zgjidhnin përmbajtje të lehta argëtuese, por për ata që janë të interesuar për diçka më të thellë, ne kemi një rekomandim të shkëlqyeshëm. “Mirazhi i së vërtetës: kompleksitetet dhe sfidat e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor” është lexim i përsosur për ata që duan të mësojnë […]

Forumi i Qeverisjes së Internetit në Japoni bën thirrje për përpjekje të përbashkëta në ndërtimin e një interneti që i fuqizon të gjithë njerëzit

02.12.2023

Koment në Forumin e Qeverisjes së Internetit në Kioto nga Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis Forumi i Qeverisjes së Internetit (IGF) është një nga platformat më të rëndësishme kur bëhet fjalë për politikat e internetit. Ai shërben si një forum vjetor që mbahet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara duke u mundësuar palëve […]

SI TË (MBI)JETOJMË NË NJË SHOQËRI TË PËRMBYTUR NGA URREJTJA NË INTERNET?

14.11.2023

Fotoja nga Freepik Një nga sfidat më të mëdha kur ne si aktivistë/e kuir (“queer”) përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin publik dhe vullnetin institucional për jetën tonë të përditshme është të qëndrojmë të qetë, të arsyeshëm dhe të sigurt përballë përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtjes ndaj nesh dhe komuniteteve tona. Periudhën e kaluar, si […]

RMV, nuk sanksionohet gjuha e urrejtes në internet, posaçërisht ndaj grave – PORTALB

13.11.2023

Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva) Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, […]