Institucionet si shkaktar i shkeljes së privatësisë në media

Edhe nëse autoritetet kompetente shtetërore zbulojnë të dhëna private të një dhunuesi ose të viktimës, mediat nuk duhet ta transmetojnë atë informacion. Një gabim nga ana e autoriteteve shtetërore nuk nënkupton “leje” për shkeljen e parimeve etike të profesionit. Kështu thotë Kodi i Etikës së Gazetarëve të Serbisë, por praktika mediatike shpesh është krejtësisht e ndryshme. Pse është kështu?

Çdo ditë shohim tituj dhe storje në media në të cilat aksidentet e trafikut, krimet dhe ngjarjet e ngjashme tragjike përshkruhen në mënyra të tmerrshme, në të cilat bëhen vizita në shtëpitë e viktimave dhe familjeve të tyre, në të cilat kontrollohen llogaritë e mediave sociale, bëhen spekulime për atë se çfarë lloj personi është (ose ishte) dikush, me kë është (ose ishte) ajo, etj. Informacioni merret nga fqinjët, burime të sigurta pranë familjes, burime anonime nga policia, etj. Mediat publikojnë fotografi të familjarëve dhe të kopshteve të tyre, por nganjëherë fotografitë merren edhe nga letërnjoftimet e njerëzve.

Rastet si ky – ku informacioni i poseduar nga një institucion në njëfarë mënyre gjen rrugën drejt mediave – paraqesin një problem të veçantë, ilustrues i situatës në sferën tonë mediatike dhe i nivelit të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Problemi këtu është një partneritet i krijuar mirë ndërmjet institucioneve publike dhe mediave individuale në shkeljen e ligjit, i cili është fitimprurës për të dyja palët.

Ndoshta shembulli më i njohur i bashkëpunimit ndërmjet mediave dhe institucioneve në cenimin e privatësisë së qytetarëve është rasti i Igor Vukotiqit. Fotografia e tij u shfaq në faqen e parë të së përditshmes së Beogradit “Blic”, brenda një grafiku që i përshkruan anëtarët e grupit të krimit të organizuar (GKO) ”Shkaljari”. Vukotiqi, megjithatë, ishte një burrë “i zakonshëm” nga Zemuni, i cili nuk kishte asnjë lidhje me asnjë GKO. Edhe pse gabimet janë të mundshme, ajo që ndodhi ishte shqetësuese sepse nuk ishte një foto e rastit e Igorit që ishte shfaqur në faqen e parë, p.sh. një foto nga pushimi që ai mund ta kishte postuar në Facebook, por ajo e përdorur në letërnjoftimin e tij. Me fjalë të tjera, kjo ishte fotografia që institucionet duhej ta përdornin me përgjegjësi dhe në mënyrë të ligjshme. E megjithatë, ajo përfundoi në gazetë. I pyetur gjatë procedurave gjyqësore se si kishte ndodhur kjo, redaktori i atëhershëm i “Blic”-it u përgjigj:

“Burimi i informacionit i përket qarqeve më të larta të shërbimit të sigurisë dhe gazeta e ka përdorur shpesh këtë burim informacioni pa pasur asnjë problem.”

Gjatë Javës së privatësisë 2023, Igor foli për pasojat që ka pësuar nga kjo shkelje e privatësisë. Igor ende nuk ka arritur t’i hedhë poshtë pretendimet se është anëtar i një GKO; jeta e tij nuk është më e njëjta dhe frika se mund të jetë në rrezik nuk pushon kurrë. Një problem i veçantë qëndron në refuzimin e vazhdueshëm të gazetës për të pranuar gabimin dhe dështimin e institucioneve për t’i siguruar atij mbrojtjen e duhur:

“Prisja një ndjeshmëri, që gazeta të botonte një korrigjim, duke thënë se nuk isha unë. Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Institucionet nuk reaguan, unë mbeta vetë, të gjej një mënyrë për t’u përballur me situatën.” tha Igori.

Dikush nga Agjencia e Sigurisë së Informacionit (BIA) ia dha fotografinë e Igorit medias. Komisioneri për Informatat me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale kreu një mbikëqyrje inspektuese dhe në bazë të gjetje, bëri kallëzim penal ndaj një personi të paidentifikuar për transferimin e paautorizuar të të dhënave personale gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Ky raport, sikurse dhe shumë raporte të tjera të ngjashme, nuk pati asnjë përfundim gjyqësor. Rasti është ende në prokurori.

Edhe pse mund të supozojmë se kjo ishte thjesht një rastësi dhe se askush nuk kishte ndërmend ta rrezikonte Igorin, dëmi ishte bërë. Dhe kjo është bërë nga një zyrtar i paidentifikuar i BIA-s, duke u përpjekur padyshim të arrijë diçka duke ia dhënë fotogradfinë gazetës. Për momentin nuk dihet nëse ka pasur interes financiar apo ndonjë interes tjetër. Por, ne mund të hamendësojmë se çfarë e motivoi gazetën të përdorë këtë metodë të marrjes së informacionit – të kesh diçka ekskluzive në faqen e parë e rrit numrin e lexuesve dhe një numër i shtuar lexuesish e rrit fitimin.

Mund të nxjerrim tre mësime të rëndësishme nga rasti i Igorit. Para së gjithash, ndonjëherë mund të dëgjohet se privatësia nuk është aq e rëndësishme, se ne nuk duhet të shqetësohemi për privatësinë tonë nëse nuk kemi bërë ndonjë gjë të gabuar, ose se asnjë dëm i madh ose asgjë e rëndësishme nuk mund të na ndodhë nëse dikush hyn në të dhënat tona. Duke vëzhguar rastin e Igorit, mund të shohim se kjo është larg realitetit. Megjithëse Igori nuk bëri asgjë të keqe, ai përballet me frikën reale se fati i tij do të ishte i njëjtë me atë të anëtarëve aktualë të dy GKO-ve që kanë qenë në një konflikt të përgjakshëm disavjeçar. Me fjalët e tij:

“I gjithë sistemi juaj është ngatërruar. Përkujtoni, shikoni… Akumulatori [i veturës sime] u prish dhe kumbari im u hodh nga makina, menduam se një Zot e di se çfarë po ndodhte. Thjesht, e gjithë jeta juaj ndryshon. Mënyra se si lëvizni, shoqëroheni dhe mendoni, sëmureni mendërisht dhe fizikisht […] Sinqerisht, nuk do të fle i qetë para se të ndiqet penalisht ai person [punonjësi i BIA-s që ia dha të dhënat gazetës] ose ata që kanë dhënë urdhra për këtë”.

Kjo storje e tregon rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë edhe kur nuk kemi asgjë për të fshehur. Kjo është arsyeja pse privatësia vepron si një mburojë që na mbron nga sulmet ndaj autonomisë, integritetit dhe sigurisë sonë.

Së dyti, figurat publike, të famshmit apo sportistët nuk janë të vetmit që ndiqen nga mediat dhe të dhënat nuk rrjedhin nga institucionet vetëm nëse dikush rebelohet dhe duhet diskredituar. As që është e nevojshme të ndodhë një tragjedi që grabitqarët mediatikë të fillojnë të rrotullohen rreth viktimave. Emri dhe mbiemri juaj duhet vetëm të krijojnë një përputhje interesante me emrin dhe mbiemrin e një personi me interes për mediat, në mënyrë që të fillojë tregtimi i të dhënave biometrike, të cilat duhet të jenë të mbrojtura nga institucioni, punën e të cilit ne financojmë. Infrastruktura e shkeljeve të privatësisë është e zhvilluar mirë, pyetja e vetme është se kujt do t’i cenohet intimiteti nga mediat në momentin përkatës në ndjekje të klikimeve dhe shitjeve dhe fitimeve më të larta. Prandaj, shkeljet e privatësisë mund t’i ndodhin secilit prej nesh.

Mungesa e një përfundimi gjyqësor për rastin e Igorit na mëson diçka edhe më të rrezikshme. Institucionet e ngarkuara për parandalimin apo sanksionimin e atyre që i bëjnë publike të dhënat e qytetarëve në media, nuk i kanë dhënë ende shumë arsye “burimeve të besueshme” dhe mediave që të heqin dorë nga kjo praktikë. Prokuroria nuk e ka identifikuar personin që e ka keqpërdorur fotografinë biometrike të mbajtur në evidencën e Agjencisë për Sigurinë e Informacionit, që do të thotë se nuk ka aktakuzë, si parakusht i domosdoshëm për një përfundim gjyqësor të rastit. Analizat e deritanishme të praktikës gjyqësore për veprën penale të përdorimit të paligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve, tregojnë se gjykatat serbe nuk kanë pranuar asnjë rast të vetëm për shkeljen e privatësisë së dikujt apo komprometimin e të dhënave që i përkasin një numri të madh të qytetarëve. Rastet e pakta të sanksionuara të përdorimit të paligjshëm të të dhënave përfshijnë shkelje me pasoja më pak drastike se ato që i përjetoi Igori. Të gjitha përfunduan me dënime me kusht ose qortime.

 

Mbi rastet e fundit të keqpërdorimit të të dhënave personale në rajonin e Ballkanit Perëndimor

 

Gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale në Mal të Zi, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) bëri të mundur që qytetarët të përdorin një aplikacion për të kontrolluar nëse nënshkrimet e tyre të mbështetjes ishin në bazën e të dhënave për mbështetjen e kandidatëve. Në postimet në mediat sociale dhe letrat drejtuar KSHZ-së, qytetarë të shumtë u ankuan për keqpërdorim të të dhënave të tyre, pasi zbuluan se kishin “mbështetur” një nga kandidatët për president. Kjo çështje nuk ka marrë ende një përfundim gjyqësor.

 

Në Kosovë, komprometimi më i rëndësishëm i të dhënave në vitin 2022 u regjistrua në faqen e Agjencisë për Zhvillim Rajonal, ku lista e përfituesve të subvencionimit përfshinte të dhëna personale të më shumë se 20,000 qytetarëve. Agjencia e Informimit dhe Privatësisë lëshoi një vendim duke e gjobitur këtë institucion me 30 mijë euro dhe duke e urdhëruar heqjen e të dhënave nga faqja e tij zyrtare.

 

Në Maqedoninë e Veriut, në fillim të marsit të këtij viti, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, duke vepruar në bazë të Ligjit për Mbështetje Financiare të Kategorive të Cenueshme të Qytetarëve me qëllim të përballjes me krizën energjetike, publikoi listat e përfituesve të mbështetjes financiare në përputhje me këtë ligj. Lista e postuar në ueb-faqen e Ministrisë përfshinte emrat, mbiemrat dhe adresat e tyre. Ata njoftuan se posti do të qëndrojë për një kohë të shkurtër me qëllim të informimit të përfituesve, gjegjësisht se lista e përfituesve të mbështetjes financiare do të hiqet pas tre ditësh. Ndonëse në bazë të ligjit, ky veprim i Ministrisë e cenonte privatësinë e një kategorie të cenueshme qytetarësh. Ky nuk ishte akti i parë i tillë i Ministrisë – vitin e kaluar ajo publikoi një listë të ngjashme të përfituesve të mbështetjes financiare. Këto raste ngrenë çështjen e justifikimit kur bëhet fjalë për zgjidhje ligjore që kërkojnë publikimin e të dhënave të ndjeshme.

 

Mungesa e dënimeve efektive për keqpërdorimin e të dhënave personale mund të çojë vetëm në shkelje edhe më të mëdha etike në media dhe, për rrjedhojë, edhe në raste të reja të ngjashme me ato të Igorit. Pra, nuk duhet të habitemi nëse diçka e ngjashme ndodh përsëri.

Në rrethana të tjera, ndoshta do ta përmbyllnim tekstin mbi privatësinë duke thënë se duhet të bëjmë çmos për të mbrojtur të dhënat tona. Ne duhet të shikojmë se kujt ia japim të dhënat tona, nuk duhet t’i ndajmë ato me çdo kë dhe nuk duhet të pajtohemi me përfitime të ndryshme konsumatore që arrihen përmes transaksioneve që e cenojnë privatësinë tonë. Edhe pse të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje një këshille të tillë, kur bëhet fjalë për rastin e Igorit, ky sugjerim është thjesht i papërshtatshëm dhe i pamjaftueshëm. Viktimat e shkeljeve të tilla të privatësisë mund të bëjnë pak për të parandaluar ngjarje të dëmshme.

Në vend të kësaj, përgjigja qëndron te institucionet. Para së gjithash në institucionet që nxjerrin të dhëna, sepse kanë për detyrë ta parandalojnë këtë. Mes entuziazmit në rritje për digjitalizimin e administratës publike që synon të mundësojë ofrimin efikas të shërbimeve publike elektronike, mbrojtja e privatësisë është bërë më e rëndësishme se kurrë më parë dhe duhet të përfshihet në proceset e reformës së administratës publike. Përpjekjet e shoqërisë civile, si iniciativa ICEDA që zbatohet në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, synojnë të mbështesin institucionet publike për të harmonizuar reformat e politikave publike me kërkesat e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e mbrojtjes së të dhënave personale.

Më pas, përgjigja qëndron në përmirësimin e funksionimit të institucioneve që kanë për detyrë dhe obligim të kryejnë hetime të plota penale pasi të ketë rrjedhje të të dhënave. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, integriteti profesional i gazetarëve dhe redaktorëve duhet të mbizotërojë mbi atë që aktualisht nxit dhe motivon shkeljet e përditshme të të drejtave të privatësisë së qytetarëve për të cilët raportojnë mediat.

———————————————————————————————————————

Ky tekst edukativ është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Projekti “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshim Demokratik (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Ndaje:


                  
meta tim sliki-02.jpg

Institucionet

si

shkaktar

i

shkeljes

privatësisë

media

Tekste të tjera në blog

Forumi i Qeverisjes së Internetit në Japoni bën thirrje për përpjekje të përbashkëta në ndërtimin e një interneti që i fuqizon të gjithë njerëzit

02.12.2023

Koment në Forumin e Qeverisjes së Internetit në Kioto nga Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis Forumi i Qeverisjes së Internetit (IGF) është një nga platformat më të rëndësishme kur bëhet fjalë për politikat e internetit. Ai shërben si një forum vjetor që mbahet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara duke u mundësuar palëve […]

SI TË (MBI)JETOJMË NË NJË SHOQËRI TË PËRMBYTUR NGA URREJTJA NË INTERNET?

14.11.2023

Fotoja nga Freepik Një nga sfidat më të mëdha kur ne si aktivistë/e kuir (“queer”) përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin publik dhe vullnetin institucional për jetën tonë të përditshme është të qëndrojmë të qetë, të arsyeshëm dhe të sigurt përballë përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtjes ndaj nesh dhe komuniteteve tona. Periudhën e kaluar, si […]

RMV, nuk sanksionohet gjuha e urrejtes në internet, posaçërisht ndaj grave – PORTALB

13.11.2023

Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva) Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, […]

Balancimi midis Lirisë së të shprehurit dhe Gjuhës së urrejtjes

10.11.2023

Liria e shprehjes është një bazë themelore e një shoqërie demokratike. Paaftësia e shtetit për të kufizuar këtë të drejtë, pa një ” arsye të justifikueshme “, është një tregues i nivelit të pjekurisë demokratike të një shoqërie. E drejta për lirinë e shprehjes është e garantuar nga një seri aktesh ligjore ndërkombëtare, të cilat […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës

10.11.2023

Foto nga cottonbro studio / Pexels Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës – PORTALB

09.11.2023

Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve që përhapin gjuhën e urrejtjes po […]