Koalicioni Rural: Fermerët akoma “enden” nëpër sportele, zbatimi i digjitalizimit në fazën fillestare

Mosha, shprehitë, mentaliteti, mungesa e njohurive të mjaftueshme, rezistenca ndaj ndryshimit dhe mësimit të gjërave të reja, frika nga gabimi – cila është arsyeja kryesore për nivelin e ulët të digjitalizimit në bujqësinë maqedonase? Pse është shumë më e lehtë për shumicën e fermerëve tanë të shkojnë në njësinë rajonale, madje edhe nëse kjo nënkupton humbje shtesë të kohës dhe rrezik për shëndetin e tyre në kushtet e KOVID-it, në vend se nga shtëpia, të ulen rehat para kompjuterit, të aplikojnë për subvencione ose të nxjerrin ndonjë dokumente? Hulumtimi i fundit i Koalicionit Rural tregoi se niveli i edukimit digjital është i ulët, veçanërisht në zonat rurale, por gjithashtu edhe se përdorimi i e-shërbimeve është në nivel jashtëzakonisht të pakënaqshëm. U dëshmua edhe fakti se me bujqësi në vend janë të angazhuar kryesisht të moshuarit, ndërsa për të rinjtë ky sektor nuk është mjaft tërheqës.

Sipas Ministrisë përkatëse, digjitalizimi është një realitet dhe fermerët tanë do të duhet të arsimohen dhe t’i përdorin mjetet digjitale. Nga ana tjetër, fermerët janë të ndarë në mendime. Disa mendojnë se problemi nuk duhet të vendoset vetëm tek ata, por edhe në institucionet.

– Brezat e vjetër e kanë shumë më të vështirë ta pranojnë ndryshimin dhe të gjinden me zgjidhjet digjitale, ndërsa të rinjtë që kanë më shumë njohuri në këtë fushë akoma, për fat të keq, nuk e konsiderojnë bujqësinë tërheqëse ose si sektor në të cilin do të ndërtonin profesionin dhe karrierën e tyre. Pikërisht këtu duhet të kërkohet edhe një pjesë e zgjidhjes – si të rritet konkurrenca e saj përmes modernizimit të sektorit, dhe kështu të rritet numri i të rinjve që do të merren me bujqësi ose do të zhvillojnë veprimtari të tjera në zonat rurale që do t’u sjellin atyre përfitim ekonomik përmes diversifikimit të ekonomive bujqësore, thotë për MIA, drejtoresha ekzekutive e Koalicionit Rural, Liljana Jonoski.

Nëse analizohen rezultatet e hulumtimit, vërehet një kontradiktë interesante: 87% e fermerëve të anketuar kanë profil në Facebook, por kur duhet të marrin ose të dorëzojnë ndonjë dokument, 64% i preferojnë shërbimet përmes sportelit. Ata shkojnë në sportele nëpër institucione, megjithëse gjithçka është në dispozicion të tyre me një klikim.

Sipas sondazhit, 29 për qind e të anketuarve e njohin shkëlqyeshëm internetin dhe komunikimet elektronike. Megjithëse 76 për qind kanë e-mailin e tyre përmes të cilit mund t’i kontaktojnë institucionet (Ministrinë e Bujqësisë, DHP), shumica nuk e përdorin atë. Nuk e dinë fjalëkalimin e tyre ose e-maili i tyre nuk është aspak aktiv. Kjo ishte një nga arsyet për turmat e mëdha që u krijuan vitin e kaluar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndalimit të lëvizjes për shkak të KOVID-it, duke pasur parasysh që e-maili ishte i nevojshëm edhe për të marrë leje për të lëvizur gjatë orës policore, thotë Jonoski.

Në fillim të këtij viti, përsëri për shkak të mosnjohjes së e-maileve dhe komunikimit elektronik, një numër i madh i fermerëve nuk e kontrolluan fletëparaqitjen e tyre vjetore tatimore, kështu që ata u përballën me pamundësinë për ta kthyer tatimin mbi të ardhurat që u takon çdo vit sepse në pjesën e të ardhurave të tjera, qendrat e blerjes ose kapacitetet përpunuese, me të cilat kanë lidhur kontrata prodhimi, i kanë vendosur lëndët e para, maskat, dezinfektuesit dhe materialet tjera që u janë dorëzuar fermerëve.

– Kjo situatë meriton një hulumtim të veçantë në temën se sa fermerët në raste të caktuara për shkak të nivelit të ulët të edukimit digjital pësojnë dëme nga institucionet, si dhe sa negativ është trendi i vendosjes së proceseve të digjitalizimit vetëm nga njëra palë, në këtë rast vetëm nga institucionet nëse ky trend nuk ndiqet nga qytetarët, thekson Jonoski. Dëshpëruese janë edhe numrat në pjesën e kartave të pagesës. Kur u pyetën “a keni një kartë pagese”, 92% e të anketuarve u përgjigjën pozitivisht, por shumica e përdorin kartën vetëm për të tërhequr para nga bankomati. Vetëm 26 për qind e tyre i paguajnë faturat e tyre në mënyrë elektronike, ndërsa 11 për qind blejnë në internet.

Me përqindje të ngjashme janë edhe përgjigjet për dorëzimin e kërkesave për fletëpronësi (aktzotërim), aplikimet për subvencione dhe lëshimin e certifikatës së lindjes/martesës – dokumente që konsiderohen se janë shërbimet elektronike më të kërkuara, dhe janë pjesë e dokumenteve më të zakonshme që fermerëve u duhen kur dorëzojnë kërkesa për mbështetje financiare nga Programi Kombëtar për Zhvillim Rural dhe nga Programi IPARD. Gjithsej 41,5 për qind e të anketuarve u përgjigjën se kur aplikojnë për subvencione ata përdorin ndihmë nga punonjësit e institucioneve përgjegjëse, 37,8 për qind thanë se nuk aplikojnë në mënyrë elektronike, dhe 20 për qind se aplikojnë vetë. Nuk është problem posedimi i pajisjeve të mençura (smart) ose kompjuterëve, e as qasja në internet. Anketa tregoi se 85% e familjeve bujqësore kanë smartfon dhe përveç kësaj, ato kanë edhe laptop ose kompjuter desktop. Megjithatë, pak prej tyre kanë tabletë, vetëm 10 për qind. Gjithsej 93 për qind e të anketuarve thanë se kanë qasje në internet në vendin ku jetojnë dhe kanë pajisje me të cilat mund të përdorin internetin, tha Jonoski dhe shtoi se 62 për qind e të anketuarve janë të njohur me mundësinë e lëshimit elektronik të dokumenteve. Jonoski konkludon se fermerët kanë aftësi themelore digjitale, por duhet të punohet në arsimimin e tyre joformal përmes trajnimeve dhe praktikave të ndryshme. Këtë e konfirmon edhe fakti se në pyetjen “a do të përdornit shërbime elektronike nëse do t’ju ofrohej mbështetje”, pothuajse unanimisht me 93 për qind, u përgjigjën me PO.

Nëse mund të ri në Facebook nga 2-3 orë në ditë, jam i sigurt se mund të mësoj se si të përdor e-shërbimet, nëse asgjë tjetër, të paktën ato më të thjeshtat, theksoi njëri nga të anketuarit.

Fermerët të ndarë në lidhje me digjitalizimin

Vesna Janevska, një fermere e regjistruar nga Rosomani, beson se problemi me nivelin e ulët të digjitalizimit nuk duhet t’i atribuohet vetëm prodhuesve, megjithëse është fakt se ata që janë më të vjetër nuk punojnë në mënyrë elektronike. Arsyeja e joefikasitetit në këtë segment, sipas saj, duhet të kërkohet edhe në nivelin institucional. Fermerët, thotë ajo, nuk kanë besim derisa nuk e dorëzojnë personalisht dokumentin ose nuk e marrin atë të vulosur në dorë. Ndonjëherë ata dërgojnë dokumentet me rekomandim për t’u siguruar se do të mbërrijnë, por jo edhe në mënyrë elektronike.

-Cili nga fermerët më të vjetër se 50 vjet punon në mënyrë elektronike? E madje edhe atëherë kur doni të aplikoni në Njësinë rajonale, punonjësit shpesh ankohen se sistemi i tyre ka probleme ose se “ka rënë” (nuk funksionon). Punonjësi është ulur para kompjuterit, e ju prisni. 1.5 vjet më parë, kur aplikova për masën për gratë nga zonat rurale, mbeta në zyrën e punonjësit për katër orë. Thirrja u publikua në një kohë shumë të shkurtër, afati i aplikimit ishte i shkurtër, për mbledhjen e dokumenteve. Ndodh gjithashtu që nëse dikush dëshiron të aplikojë në mënyrë elektronike, punonjësit në njësitë rajonale e bindin atë se procedura është komplekse, gjë që nuk është në rregull, thotë Janevska.

-Nëse dikush di të punojë në kompjuter, ai do të luftojë për një punë në administratë, e jo në fushë. Facebook po, shumica kanë, por mbi të gjitha të rinjtë. Të moshuarve që kanë profil në FB, atë ua kanë hapur fëmijët e tyre dhe u shërben vetëm për të bërë “pëlqime”. Nuk besoj se e kuptojnë TI-në. Unë personalisht varem nga djali im, veçanërisht kur duhet të futem në ndonjë punëtori në internet. Nëse bëj diçka keq, nuk di anglisht, e pres të vijë nga puna dhe të gjithë qeshen me mua. Atëherë them me vete, është më mirë të mos përfshihem sesa të bëhem subjekt i talljes, është e sinqertë Janevska.

Ndryshe nga ajo, Suzana Dimitrievska nga Mustafino ka përdorur intensivisht pagesën elektronike për tre vjet, e gjithashtu aplikon elektronikisht për subvencione. Por, ajo e kupton frikën e fermerëve më së shumti që të mos gabojnë, sepse edhe personalisht ka pasur një përvojë negative kur bëri një gabim kur bëri kërkesë për mbështetje në internet. Dimitrievska thotë se kooperativat mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm, për mbështetjen dhe promovimin e digjitalizimit në bujqësi, dhe fermerët jo se duhet, por patjetër duhet t’u përshtaten inovacioneve. Përdorimin e kompjuterëve duhet ta shohin si një detyrim nëse dëshirojnë të merren seriozisht me prodhimtari bujqësore.

– Unë planifikoj të kaloj plotësisht në punën elektronike bankare, dhe ky është viti im i tretë që aplikoj në mënyrë elektronike për subvencione pa shkuar fare në Njësinë rajonale. Nëse ngec, e di kush i di ato gjëra dhe kërkoj ndihmë. Vitin e kaluar, në vend që të shkruaja 1.000, shkrova 10.000. Në një rast të tillë, vjen një kontroll dhe inspekton për të përcaktuar se është bërë me të vërtetë një gabim teknik. Vërtetë, procesi zgjat pak më shumë, por zgjidhet, thotë Dimitrievska.

Digjitalizimi nuk është një tabu, thekson ajo, dhe kjo duhet t’u theksohet qartë fermerëve. Lidhur me rrjetet sociale, Dimitrievska thotë se është mirë që fermerët kanë Facebook sepse kështu mësojnë t’i përdorin celularët.

Cili është qëndrimi i autoriteteve?

Ministria e Bujqësisë konfirmon se numri i fermerëve që aplikojnë në mënyrë elektronike për subvencione është i vogël dhe se shumica preferojnë praninë fizike dhe ndihmën nga punonjësit për të dorëzuar një kërkesë elektronike.

– Edhe pse mënyra elektronike e aplikimit ka funksionuar për disa vite, interesi i fermerëve tanë është i dobët. Kjo për faktin se shumica e fermerëve janë më të moshuar dhe nuk kanë arsim kompjuterik. Edhe kriza e koronës nuk ndikoi që ata të vendosin për aplikimin elektronik, përkundër apeleve tona dhe udhëzimeve të paraqitura për aplikim elektronik, thonë për MIA nga MBPEJ-a. Megjithatë, sipas Ministrisë, digjitalizimi është një realitet dhe fermerët tanë do të duhet të arsimohen dhe t’i përdorin mjetet digjitale.

– Përdorimi i kompjuterëve në prodhimin bujqësor është karakteristikë e të rinjve, ndërsa fermerët e moshuar rrallë dinë ta zbatojnë vetë digjitalizimin në prodhimin bujqësor. Shpresojmë që me ndryshimin natyror të gjeneratës së të rriturve dhe me rritjen e interesit të të rinjve për sektorin e bujqësisë, i cili është rritur vërtet falë masave të ndërmarra, dhe mbi të gjitha masës “Fermeri i ri”, kjo situatë do të ndryshojë në të ardhmen, shtojnë nga MBPEJ-a.

-Sigurisht, të gjithë ata që kanë njohuri dhe dinë të punojnë në kompjuter, por, që nuk kanë shumë njohuri dhe aftësi, me ndihmën e shërbimeve tona nga qendra e thirrjeve ose sektorëve, arrijnë të dorëzojnë aplikacione me anë të mbështetjes përmes telefonit. Ka edhe aplikantë të tillë që kanë paraqitur aplikime në mënyrë të pavarur për vite me radhë dhe nuk kanë asnjë problem për të aplikuar. Për ata që nuk kanë njohuri për teknologjitë e reja moderne, shërbimet e njësive rajonale të MBPEJ-së janë në dispozicion dhe të punësuarit së bashku me aplikantët dorëzojnë aplikacione, shpjegon për MIA, drejtori i Agjencisë, Nikica Baçovski.

Sipas tij, nga viti në vit rritet numri i aplikantëve që paraqesin aplikime vetë dhe pa mbështetje, jo vetëm për subvencione në bujqësi, por edhe për marrjen e mbështetjes financiare përmes masave të Programit për Zhvillim Rural.

-Fermerët përshtaten me risitë që prezantohen, dhe kjo bëhet kryesisht për ta shkurtuar kohën që u nevojitet për të dorëzuar kërkesa. Me kërkesat elektronike ata mund të futen në sistem në çdo kohë, gjegjësisht mund ta bëjnë këtë edhe në orët e vona të mbrëmjes kur me të vërtetë nuk kanë aktivitete rreth të mbjellave. Në atë mënyrë, zvogëlohet koha e tyre dhe shpenzimet që i kanë për të shkuar deri te Njësitë rajonale dhe mbi të gjitha për t’i shmangur pritjet, shton drejtori.

Nga viti 2016, të gjitha aplikimet për “pagesa direkte të e-subvencioneve” dorëzohen në mënyrë elektronike. Nëse nuk janë në sistemin e “pagesave direkte të e-subvencioneve”, kërkesat nuk pranohen si të dorëzuara. Dallimi është se disa nga aplikimet krijohen me ndihmën e punonjësve në zyrat rajonale, e disa nga aplikimet, gjegjësisht aplikantët që dinë të aplikojnë, i dorëzojnë ato vetë. Për të marrë mbështetje financiare nën masat e Programit të Zhvillimit Rural, aplikimet dorëzohen në mënyrë elektronike, e dorëzohet edhe dokumentacioni shoqërues.

-Agjencia duhet t’i ndjekë trendet dhe të sigurojë një transparencë më të madhe dhe aplikantët të kenë qasje në aplikimet e tyre në çdo kohë. Prandaj, ne jemi duke punuar në mënyrë aktive për fillimin e një modeli përmes të cilit të gjithë aplikantët nën Programin e Pagesave Direkte, Programin e Zhvillimit Rural dhe IPARD, do të jenë në gjendje të marrin informacionin bazë mbi rrjedhën administrative të aplikimeve, projekteve dhe pagesave të tyre, përmes pajisjeve të tyre elektronike duke futur NUAQ, NUAS ose NUT. Në këtë mënyrë, barra për punonjësit e AMFBZhR-së do të lehtësohet shumë, por edh efermerët do të jenë në gjendje të shohin në kohë reale se cili është statusi i kërkesës së tyre të paraqitur. Ata nuk do të kenë nevojë të telefonojnë në qendrën e kontaktit për të pyetur në lidhje me statusin e aplikimit të tyre, thotë Baçovski.

Të dhënat nga Agjencia e Pagesave tregojnë se gjatë fushatës së vitit të kaluar për parashtrimin e kërkesave për subvencione, 9.130 persona i paraqitën kërkesat e tyre në mënyrë elektronike. 57.818 personat e mbetur paraqitën aplikime elektronike, por të krijuara me ndihmën e punonjësve në njësitë rajonale. Nga ata 9,130 persona që i paraqitën kërkesat vetë nga shtëpia, aplikimet ishin në fushën e bujqësisë (3.858), prodhimit hortikulturor (1. 937), mirëmbajtjes së vreshtave (1. 484), mirëmbajtjes së vreshtave ekzistuese (2.006), bagëti të shënuara (1.205), viçat e marrë (157), dele të shënuara (321) dhe dhi të shënuara (196), informojnë nga Agjencia.

Për të inkurajuar digjitalizimin në bujqësi, Koalicioni Rural rekomandon zhvillimin e aplikacioneve lehtësisht të arritshme dhe të kuptueshme, me udhëzime të hollësishme në një gjuhë të kuptueshme për fermerët dhe banorët e zonave rurale, rritjen e sigurisë së dokumenteve elektronike përmes promovimit të tyre më të madh, ndarjen e storjeve pozitive me banorët lokalë për efikasitetin dhe efektivitetin e e-shërbimeve nga ata që i kanë përdorë ato, si dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë në terren dhe punën me fermerët.

– Ne e konsiderojmë të domosdoshme dhe futjen graduale të e-shërbimeve si mënyrë e vetme ose prioritare e komunikimit të institucioneve, futjen e modeleve/programeve edukative për të rritur aftësitë digjitale të fermerëve dhe banorëve në zonat rurale, të zhvilluara në bashkëpunim me institucionet, kryesisht me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Agjencis së Punësimit, duke zhvilluar një fushatë për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur e-shërbimet, duke e subvencionuar lëshimin e nënshkrimeve elektronike për qytetarët e zonave rurale dhe të margjinalizuara dhe krijimin e një rrjeti lokal të ndërmjetësve mobil për të promovuar dhe ndërmjetësuar hyrjen në platformë, thotë drejtoresha ekzekutive, Liljana Jonoski.

Storja hulumtuese gazetareske u përgatit në kuadër të projektit “Digjitalizimi në Bujqësi – TANI!” i financuar si nën-grant në kuadër të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Koalicioni Rural është një nga tre organizatat nga Maqedonia e Veriut që u bë pjesë e rrjetit rajonal ICEDA – Rrjeti për rritjen e pjesëmarrjes qytetare në zbatimin e Agjendës Digjitale, i cili është aktiv jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Plani vjetor i punës së Koalicionit rural është i mbështetur nga Civica Mobilitas.

Vërejtje: Teksti është marrë plotësisht nga ueb-faqja e Koalicionit Rural, i cili mban përgjegjësi të plotë për përmbajtjen e tij. Për tekstin origjinal, klikoni këtu.

Ndaje:


                  
meta tim sliki-02.jpg

Koalicioni

Rural:

Fermerët

akoma

“enden”

nëpër

sportele,

zbatimi

i

digjitalizimit

fazën

fillestare

Tekste të tjera në blog

Forumi i Qeverisjes së Internetit në Japoni bën thirrje për përpjekje të përbashkëta në ndërtimin e një interneti që i fuqizon të gjithë njerëzit

02.12.2023

Koment në Forumin e Qeverisjes së Internetit në Kioto nga Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis Forumi i Qeverisjes së Internetit (IGF) është një nga platformat më të rëndësishme kur bëhet fjalë për politikat e internetit. Ai shërben si një forum vjetor që mbahet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara duke u mundësuar palëve […]

SI TË (MBI)JETOJMË NË NJË SHOQËRI TË PËRMBYTUR NGA URREJTJA NË INTERNET?

14.11.2023

Fotoja nga Freepik Një nga sfidat më të mëdha kur ne si aktivistë/e kuir (“queer”) përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin publik dhe vullnetin institucional për jetën tonë të përditshme është të qëndrojmë të qetë, të arsyeshëm dhe të sigurt përballë përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtjes ndaj nesh dhe komuniteteve tona. Periudhën e kaluar, si […]

RMV, nuk sanksionohet gjuha e urrejtes në internet, posaçërisht ndaj grave – PORTALB

13.11.2023

Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva) Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, […]

Balancimi midis Lirisë së të shprehurit dhe Gjuhës së urrejtjes

10.11.2023

Liria e shprehjes është një bazë themelore e një shoqërie demokratike. Paaftësia e shtetit për të kufizuar këtë të drejtë, pa një ” arsye të justifikueshme “, është një tregues i nivelit të pjekurisë demokratike të një shoqërie. E drejta për lirinë e shprehjes është e garantuar nga një seri aktesh ligjore ndërkombëtare, të cilat […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës

10.11.2023

Foto nga cottonbro studio / Pexels Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës – PORTALB

09.11.2023

Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve që përhapin gjuhën e urrejtjes po […]