“Qytetarët enden prej komunave në Kadastër dhe anasjelltas, pasi institucionet nuk kanë sistem të përbashkët elektronik” – Portalb

storjen e kaluar kemi shpjeguar se si për nxjerrjen e një dokumenti në Kadastër, duhet të merret vërtetim prej komunës, sot do të shpjegojmë se si për nxjerrjen e një dokumenti prej komunës, duhet të merret vërtetim prej Kadastrës. Ky është një absurd administrativ, dy institucione kërkojnë prej qytetarëve që t’ua dëshmojnë vërtetësinë e dokumenteve, të cilët do të mund ta bënin vetë nëse do të ishin të lidhura me sistem të përbashkët elektronik. Por, kjo është vetëm maja e akullnajës, problemi është më i thellë, faji hidhet te njëri tjetri dhe për këtë qytetari shpenzon mund, para dhe kohë, shkruan Portalb.mk.

Qyteti i Shkupit, ashtu sikur të gjitha komunat e Maqedonisë së Veriut nuk është i lidhur nëpërmjet sistemit elektronik me Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive, organ i pushtetit qendror nën kompetenca të së cilës janë një sërë shërbimesh që kanë të bëjnë me çështjet pronësore. Ndërlidhja e komunave me këtë Agjenci nëpërmjet sistemit të interoperabilitetit, do t’ua lehtësonte qytetarëve nxjerrjen e dokumenteve të caktuara.

Storjen e kaluar, Portalb.mk tregoi nëpërmjet shembujve konkret se si mungesa e lidhjes së këtyre institucioneve, qytetarët i ekspozon ndaj procedurave të pakuptimta administrative, të cilat veç tjerash kanë dhe kosto financiare. Pra, në vend që institucionet nëpërmjet sistemeve elektronike, vetë t’i gjejnë të dhënat dhe dokumentet, ata i obligojnë qytetarët që të shkojnë prej dere më derë për të nxjerrë lloj-lloj “vërtetimesh” e “certifikatash”. Të dhënat e siguruara nga Portalb.mk tregojnë se edhe ata institucione në RMV që janë të lidhura nëpërmjet Platformës së Interoperabilitetit shumë pak komunikojnë mes vete.

Portalb.mk, ndoqi për së afërmi procedurën për nxjerrjen e “Vërtetimit për adresë të saktë”, një dokument i cili dëshmon saktësinë e adresës së banimit në rastet kur qytetarët ndryshojnë vendbanimin dhe rrjedhimisht me këtë duhet t’i përditësojnë dokumentet personale. Për nxjerrjen e këtij dokumenti, mes tjerash kërkohet që fletëpronësia e vendbanimit të mos jetë më e vjetër se gjashtë muaj, pasi qyteti i Shkupit dhe Kadastra nuk janë të lidhura me njëra tjetrën.

Nëpërmjet shembullit konkret do të tregojmë se si qytetarët detyrohen të nxjerrin fletëpronësi të re jo më të vjetër se gjashtë muaj, vetë pse Qyteti i Shkupit nuk ka qasje në sistemin e Kadastrës që të shohë nëse në periudhën e kaluar ka pasur ndonjë ndryshim në fletërponësi. Përveç kohës dhe mundit, qytetarët paguajnë nga 200 denarë për fletëpronësi të re, të cilën e nxjerrin në noter.

”Vërtetim për adresë të saktë”

Një qytetar nga Shkupi ka ndryshuar vendbanimin dhe rrjedhimisht me këtë duhet ta ndryshojë dhe adresën ku jeton. Për ta bërë këtë ndryshim Ministria e Punëve të Brendshme kërkon që të marrë “Vërtetim për adresë të saktë” të cilën duhet ta nxjerrë nga Qyteti i Shkupit.

Nxjerrja e këtij dokumenti bëhet te baraka 16 në – Sektorin për Kategorizim, Numërim dhe Emërtim të objekteve të infrastrukturës dhe merr kohë prej 2 deri në 5 ditë pune. Në mesin e dokumenteve të nevojshme, qytetari duhet të paguajë taksë prej 50 denarëve dhe kërkohet dhe fletëpronësia të mos jetë më e vjetër se gjashtë muaj (nxjerrja e të cilës kushton 200 denarë). Pra kostoja e përgjithshme është 250 denarë [nëse fletërponësia është më e vjetër se gjashtë muaj].

Kërkesa dhe vërtetimi për adresë të saktë
Kërkesa dhe vërtetimi për adresë të saktë

Portalb.mk, pyeti autoritetet e Qytetit të Shkupit se për çfarë arsye kërkohet që fletëpronësia të jetë jo më e vjetër se gjashtë, ata theksojnë se kjo kërkohet për shkak se mund të bëhen ndryshime në ndërkohë.

“Kërkohet të jetë jo më e vjetër se gjashtë muaj pasi që mund të ketë ndryshim të të drejtave të patundshmërisë dhe bartësit të së drejtës së patundshmërisë; ndryshim të të drejtave obligative (marrëveshje për dhënie me qira, koncesion, etj.); ndarje fizike të parcelës kadastrale; ngjitje të disa parcelave kadastrale dhe formim të parcelës së re”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Dragan Gocevski, foto: UKM
Dragan Gocevski, foto: UKM

Sipas profesorit universitar Dragan Gocevski, Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPA) i vitit 2015-të jep udhëzime se çdo organ i pushtetit që udhëheqë ndonjë procedurë nëse mundet mundet të marrë ndonjë mjet prove sipas detyrës zyrtare nga ndonjë organ tjetër duhet ta bëjë atë sipas detyrës zyrtare dhe jo ta harxhojnë palën.

“Megjithatë, ligje të veçanta ende nuk janë të gjitha të harmonizuara me LPA dhe këtu krijohet dilema. Një prej problemeve është se Qyteti i Shkupit është pushtet lokal, ndërkaq Kadastra pushtet qendror dhe shërbimet e saja i ka me pagesë. Kjo tejkalohet me digjitalizim. Derisa nuk zgjidhet me ligj që Kadastra për nevojat e vetëqeverisjes lokale me kërkesë të palës nuk do të kërkojë pagesë për dhënien e të dhënave, kjo do të qëndrojë si pengesë. Nëse do të kishin qenë të lidhura Qyteti i Shkupit me Kadastrën nëpërmjet ndonjë sistemi elektronik, nuk do të kishte kurrfarë nevoje për të kërkuar dokumente të tilla”, thotë për Portalb.mk Gocevski.

Edhe profesori Borçe Davitkovski,storjen paraprake theksoi se sipas LPA-së, organi vetë duhet t’i mbledh të gjitha dokumentet dhe jo qytetarët.

“Te ne sipas Ligjit për Procedurë Administrative organet janë të detyrueshme që kur e udhëheqin procedurën vetë t’i mbledhin të gjitha dokumentet. Kjo është obligative, por këtë asnjëherë nuk e punojnë dhe i maltretojnë qytetarët dhe për shembull nëse bëhet fjalë për në komunë, i detyrojnë të shkojnë në sportel tjetër merre atë, merre këtë dokument…”, tha Davitkovski.

Sipas nenit 7 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative procedura duhet të jetë ekonomik edhe efikas për palën, gjegjësisht të bëhet sa më thjeshtë dhe më pak harxhime

“Parimi i ekonomizikit dhe efikasitetit të procedurës
Procedura duhet të zbatohet në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, pa anulime dhe sa më pak harxhime për palën, a megjithatë të sigurohet respektim i plotë i të drejtave dhe interesave juridike të palëve dhe në pajtueshmëri të plotë me gjendjen faktike”, thuhet në nenin 7 të LPA-së.

Por, ky nuk është rast i vetëm, siç shpjeguam në storjen e kaluar, qytetarët paguajnë për moslidhjen e këtyre dy institucioneve edhe kur ata duan ta përditësojnë fletëpronësinë në Kadastër. Pra, në rast se një qytetarit i është ndryshuar emri i rrugës ku banon dhe nëse ai dëshiron që t’i përditësojë të dhënat në fletëpronësinë e tij, ai duhet që fillimisht të shkojë në komunën ku jeton, të marrë vërtetim se është ndryshuar emri i rrugës dhe pastaj të shkojë në Kadastër. Për çdo ndryshim duhet të paguhet nga 300 denarë, ndërkaq afati për nxjerrjen e dokumentit është 7 ditë.

Situatat e këtilla absurde janë vetëm “maja e ajsbergut” të problemit real. Prapa këtyre “vërtetimeve” e “certifikatave” institucionet që nuk janë të ndërlidhura mes vete nëpërmjet sistemeve elektronike, ashtu siç i kanë shtetet e përparuara.

Pse nuk janë të lidhura Qyteti i Shkupit me Kadastrën?

Agjencia për Kadastër
Agjencia për Kadastër, foto arkiv

Agjencia për Kadastër, thotë se kanë nënshkruar marrëveshje me Qytetin e Shkupit për shfrytëzimin e sportelit elektronik (e-Kat sportel) të Agjencisë për Kadastër dhe Patundshmëri. Marrëveshja është me numër 1015-1593/2 të vitit 17.01.2018.

“Në bazë të nenit 3 nga Marrëveshja, nëpërmjet aplikacionit “eKat-sportel”, shfrytëzuesit të shërbimeve i mundësohen shërbimet e radhës: Dorëzim të paraqitjes për regjistrim në Kadastër të Patundshmërive. Dorëzim të kërkesave për marrjen e të dhënave nga Sistemi Informativ i Kadastrës Gjeodezike (SIKGJ) në formë elektronike”, thonë për Portalb.mk nga Agjencia e Kadastrës.

Ata shtojnë se sipas nenit 5 të Marrëveshjes, të dhënat e marra nga SIKGJ lëndë të kësaj marrëveshje, shfrytëzuesi i këtyre shërbimeve mund t’i shpërndajë te palët e treta në mënyrën vijuese:

  • Nëse pala paraqitet si kërkues i të dhënave, është e detyrueshme që të plotësojë kërkesë me të dhënat e tij, a shfrytëzuesi i shërbimeve gjatë plotësimit të kërkesës elektronike për dhënien e të dhënave për përdorim të palëve të treta, është i obliguar që në kërkesë t’i vendos të dhënat e kërkuesit.
  • Të dhënat nga SIKGJ, ofruesi i të dhënave i dorëzon deri te shfrytëzuesi i shërbimeve në formë elektronike të nënshkruara nga Agjencia për Kadastër dhe Patundshmëri me certifikatë të verifikuar nga botuesi i autorizuar.
  • Të dhënat e marra shfrytëzuesi i shërbimeve i shtyp në formë të shkruar, i verifikon me nënshkrim të tij dhe vulë dhe i shpërndan deri te shfrytëzuesit përfundimtar.
    Këto të dhëna paraqesin dokumente publike dhe shfrytëzuesi i shërbimeve është i detyruar t’i shtyp vetëm në një mostër.

Por, marrëveshja e vitit 2018-të, dukshëm nuk është e mjaftueshme që të mos detyrohen qytetarët t’ua vërtetojnë Kadastrës dhe Qytetit të Shkupit ndryshimet e kryera në dokumentet e tyre.

Foto: Portalb.mk

Nga Qyteti i Shkupit thonë se kryetarja, Danella Arsvoska, disa herë e ka theksuar nevojën e domosdoshme për sigurimin e të dhënave për persona fizik dhe pronarët e objekteve si taksapagues nga Agjencia për Kadastër të Patundshmërive.

“Është dorëzuar kërkesë deri te zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, të bëjë përpjekje për marrjen e të dhënave në pajtueshmëri me paraqitjen e tij publike. Gjatë dorëzimit të kërkesës për Vërtetim për adresë të saktë në Qytetin e Shkupit kërkohet që të dorëzohet edhe fletëpronësi jo më të vjetër se gjashtë muaj pasi që mund të bëhen ndryshime juridike në baza të ndryshme në të njëjtin, a Qyteti nuk ka të dhëna të ndashme me Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive për ndryshimet e kryera”, thonë për Portalb.mk nga Qyteti i Shkupit.

Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Për kërkesën në fjalë Portalb.mk kontaktoi me Qeverinë të cilët konfirmuan se deri te Kabineti Bytyqit më 17.02.2022 nga ana e BNJVL ka arritur kërkesë se komunave u nevojiten të dhëna nga librat publik të Kadastrës. Për kërkesën nga kabineti i Bytyqit ka dërguar shkresë – kërkesë për përgjigje deri tek Agjencia për Kadastër dhe Patundshmëri, me qëllim që të deklarohen në lidhje me kërkesën e BNJVL-së.

“Në lidhje me kërkesën e dorëzuar, Agjencia për Kadastër dhe Patundshmëri ka dorëzuar përgjigje deri te BNJVL në të cilin detajisht janë deklaruar për kërkesën dhe njëkohësisht e plotësojnë me obligime të cilat komunat nuk i plotësojnë, në drejtim të gjenerimit të evidencës përkatëse, apo përditësimit dhe të dhënave cilësore. Gjithashtu, dëshirojmë të ju informojmë se kërkesa e BNJVL-së është shqyrtuar edhe në takimin e përbashkët të organizuar më 30.03.2022 mes Bordit Drejtues të BNJVL-së dhe përfaqësuesve të Qeverisë, por edhe drejtorit të Agjencisë së Kadastrës dhe Patundshmërive”, thonë nga Qeveria për Portalb.mk duke e bashkëngjitur edhe përgjigjen e plotë të Kadastrës që u është dorëzuar.

Kadastra kërkon që komunat të paguajnë për të dhënat e Sistemit Informativ të Kadastrës Gjeodezike

Sipas përgjigjes së Kadastrës, të cilin e ka dërguar te Kabineti i Bytyqit, për shërbimet e Sistemit Informativ të Kadastrës Gjeodezike, komunat duhet të paguajnë, pasi që avancimin e sistemeve me qëllim të përmirësimit të kualitetit të shërbimeve që i ofron Agjencia e Kadastrës e financon me të ardhurat e saja.

Sipas përgjigjes së Kadastrës, për shërbimet e Sistemit Informativ të Kadastrës Gjeodezike, komunat duhet të paguajnë, pasi që Kadastra avancimin e sistemeve me qëllim të përmirësimit të kualitetit të shërbimeve që i ofron Agjencia e financon me të ardhurat e saja.

“Sipas dispozitave të Ligjit për Kadastër të Patundshmërive dhe Rregullores për shfrytëzim, shpërndarje, qasje, dhënie, ruajtje dhe mbrojtje të të dhënave nga Sistemi Informativ i Kadastrës Gjeodezike, për shfrytëzim dhe depërtim në të dhënat e SIKGJ-së paguhet kompensim, përveç kur të dhënat janë të nevojshme për prokuroritë publike, Avokatinë e Maqedonisë së Veriut dhe ministrive, por edhe subjekteve tjera në raste të konstatuara me ligj”, thuhet në përgjigje, të cilën të plotë mund ta lexoni n dokumentin e mëposhtëm.

Përgjigja e Kadastrës për BNJVL from Portalb.mk

Ata thonë se në drejtim të harmonizimit të vazhdueshëm të gjendjes së regjistrit të pronës së patundshme i cili është subjekt i tatimit dhe të cilin e udhëheqin komunat dhe Qyteti i Shkupit, Agjencia për Kadastër të Patundshmërive në bazë të kërkesave të dorëzuara dhe pagesë përkatëse për dhënien e të dhënave nga SIKGJ, në pajtueshmëri me dispozitat ligjore, do t’i dorëzojë të dhënat për patundshmëri të cilat janë të regjistruara në kadastër të patundshmërive.

Kadastra informon se komunat nuk mbajnë evidencë për emrat e rrugëve

Në mesin e disa rekomandimeve të Kadastrës për komunat, Kadastra i nxjerr në pah problemet, për një pjesë të të cilave shkroi storja e Portalbit ku shpjegoi mes tjerash se si qytetarët heqin të zinjtë e ullirit për t’i shkatërruar nyjat e burokracisë administrative, pasi komunat për populizëm i ndryshojnë emrat dhe nuk i përditësojnë regjistrat.

Sipas Kadastrës shumica e komunave nuk mbajnë evidencë për emrat e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore, pavarësisht se janë të detyruar me ligj. Pikërisht këtë e

“Gjatë vizitës në komunat, në territorin e të cilave zhvilloheshin aktivitetet në terren, është konstatuar se numër i madh i komunave nuk e udhëheqin evidencën elektronike/regjistrin elektronik të emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore”, thuhet në përgjigjen e Kadastrës.

Sipas tyre, të dhënat për emrat e rrugëve dhe numrat e shtëpive udhëhiqen në tabela exel ose word, në letër ose fare nuk mbahet evidencë.

“Mbledhja e të dhënave tregon në faktin se komunat nuk i respektojnë dispozitat e ligjit për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore. Ekziston numër i madh i rrugëve të paemëruara dhe të pashënuara (mungojnë tabela me emra të rrugëve), numër i madh i objekteve është pa numër shtëpie (mungojnë tabela me numër të objekteve), ekzistojnë më shumë objekte me një numër, objekte me adresa të dyfishta dhe ngjashëm”, thonë nga Kadastra.

Por, ata shtojnë se për tejkalimin e këtij problemi Agjencia e Kadastrës ka organizuar disa punëtori, por komunat nuk kanë shfaqur interes për fillimin e aktiviteteve lidhur me të dhënat e mbledhura nga terreni.

“Duhet të korrigjohen të dhënat për rrugët dhe numra te shtëpive; të emërohen rrugët për të cilat nuk janë mbledhur të dhënat në terren; të harmonizohen emrat e rrugëve në pajtueshmëri me evidencën elektronike për emrat e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore të cilën duhet ta udhëheqin në pajtueshmëri me Ligjin; t’u vendoset numër objekteve për të cilat nuk është gjetur e dhënë, numërim dhe rinumërim i objekteve; shënim i rrugicave në terren, atje ku nuk janë të shënuara; shënim të objekteve në terren, atje ku nuk janë shënuar”, thuhet në rekomandimet e Agjencisë së Kadastrës.

Sipas tyre, kjo shkakton mospërputhje të të dhënave adresore në institucionet të cilat në bazë të kompetencave të tyre ligjore janë të obliguar të kenë të dhëna të rregulluar adrese, si janë Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Statistika, Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë, Qyteti i Shkupit, komunat në Maqedoninë e Veriut, Regjistri Qendror i Maqedonisë së Veriut.

Digjitalizimi i shërbimeve, ndonëse i nevojshëm madje dhe i domosdoshëm, në Maqedoninë e Veriut po zvarritet dhe shpesh pengohet nga çështjet burokratike të ligjeve dhe procedurave, derisa zhvillimi teknologjik dhe vendet e zhvilluara po “vrapojnë” me shpejtësi. Derisa institucionet tona merren me “vërtetime, vula dhe nënshkrime”, shtetet e përparuara ndërtojnë sisteme që qytetarëve t’ua lehtësojnë qasjen deri te shërbimet duke u kursyer kohë, mund dhe para.

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerë për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Link deri tek origjinali: Qytetarët enden prej komunave në Kadastër dhe anasjelltas, pasi institucionet nuk kanë sistem të përbashkët elektronik – PORTALB

Ndaje:


                  
meta tim sliki-02.jpg

"Qytetarët

enden

prej

komunave

Kadastër

dhe

anasjelltas,

pasi

institucionet

nuk

kanë

sistem

përbashkët

elektronik"

-

Portalb

Tekste të tjera në blog

Forumi i Qeverisjes së Internetit në Japoni bën thirrje për përpjekje të përbashkëta në ndërtimin e një interneti që i fuqizon të gjithë njerëzit

02.12.2023

Koment në Forumin e Qeverisjes së Internetit në Kioto nga Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis Forumi i Qeverisjes së Internetit (IGF) është një nga platformat më të rëndësishme kur bëhet fjalë për politikat e internetit. Ai shërben si një forum vjetor që mbahet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara duke u mundësuar palëve […]

SI TË (MBI)JETOJMË NË NJË SHOQËRI TË PËRMBYTUR NGA URREJTJA NË INTERNET?

14.11.2023

Fotoja nga Freepik Një nga sfidat më të mëdha kur ne si aktivistë/e kuir (“queer”) përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin publik dhe vullnetin institucional për jetën tonë të përditshme është të qëndrojmë të qetë, të arsyeshëm dhe të sigurt përballë përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtjes ndaj nesh dhe komuniteteve tona. Periudhën e kaluar, si […]

RMV, nuk sanksionohet gjuha e urrejtes në internet, posaçërisht ndaj grave – PORTALB

13.11.2023

Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva) Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, […]

Balancimi midis Lirisë së të shprehurit dhe Gjuhës së urrejtjes

10.11.2023

Liria e shprehjes është një bazë themelore e një shoqërie demokratike. Paaftësia e shtetit për të kufizuar këtë të drejtë, pa një ” arsye të justifikueshme “, është një tregues i nivelit të pjekurisë demokratike të një shoqërie. E drejta për lirinë e shprehjes është e garantuar nga një seri aktesh ligjore ndërkombëtare, të cilat […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës

10.11.2023

Foto nga cottonbro studio / Pexels Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës – PORTALB

09.11.2023

Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve që përhapin gjuhën e urrejtjes po […]