“Raportuesit pa kufinj” do ta shënojë Ditën botërore kundër censurës në internet më 12 mars. Kjo ngjarje ka për qëllim t’i mbledhë në një vend të gjithë ata që përkrahin një internet të vetëm, pa kufizime dhe që është i qasshëm për të gjithë.
Gjithashtu, kjo ngjarje duhet ta tërheqë vëmendjen për faktin se interneti paraqet shtytës të lirisë, duke krijuar hapësira të reja për këmbim të ideve dhe të informatave. Megjithatë, gjithnjë e më shumë qeveri, edhe pse e dijnë këtë, reagojnë me përpjekje që ta kontrollojnë internetin.
Raportuesit pa kufinj do ta shënojë këtë ditë duke e publikuar listën më të re të “Armiqve të internetit”. Në këtë listë janë përmendur vende si Irani, Kina, Arabia Saudite, Vietnami dhe Tunizia, ku kufizohet qasja në internet dhe maltretohen shfrytëzuesit e tyre të internetit.
Do të publikohet edhe një listë e vendeve të cilat janë vendosur “nën mbikëqyrje” për shkak se kanë pasur qëndrim shqetësues ndaj internetit.
“Raportuesit pa kufinj” për herë të parë do ta ndajë “Shpërblimin për shfrytëzues të internetit”, me përkrahje të Google, më 11 mars 2010, në orën 19:00, në kuadër Ditës botërore kundës censurës në internet. Shpërblimi do t’i ndahet ndonjë shfrytëzuesi të internetit, bloguesit ose sajber-disidentit që ka dhënë kontribut të konsiderueshëm për mbrojtjen e lirisë së të shprehurit në internet. Ceremonia e ndarjes së shpërblimit do të mbahet në selinë e Google – Francë, në Paris.
“Raportuesit pa kufinj” ka dizajnuar një logo që e simbolizon mbrojtjen e të shprehurit të lirë në internet. Në logon është paraqitur një mi kompjuterik që lirohet nga zinxhirët e tij. Logoja mund të shkarkohet pa pagesë dhe është në dispozicion në të gjitha ngjyrat. A dëshironi ta shprehni përkrahjen tuaj për Ditën botërore kundër censurës në internet? A dëshironi ta mbroni internetin i cili nuk ka kufizime dhe është në dispozicion për të gjithë? Mos u hamendni ta shkarkoni këtë logo dhe ta publikoni në blogun ose ueb-faqen tuaj, ose ta jepni ta shtoni në nënshkrimin e e-mailit tuaj.
Burimi: Reporters without borders “World Day Against Cyber Censorship” 1 mars 2010.

