Edicioni i shtatëmbëdhjetë i konferencës ndërkombëtare e-Society.mk, Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë u mbajt në periudhën nga 30 nëntori deri më 3 dhjetor në format hibrid, duke mbledhur folës, trajnerë dhe pjesëmarrës nga salla e konferencave në Shkup, por edhe nga mbarë bota. Konferenca kishte për qëllim të bashkonte praktikuesit dhe teoricienët për një sërë temash që i paraqesin sfidat urgjente dhe mundësitë e epokës digjitale. Ajo ofroi hapësirë për shkëmbimin e ideve në diskutime interesante në panel, hapësirë për të mësuar përmes trajnimeve dhe punëtorive, si dhe hapësirë për veprim përmes një hakatoni intensiv katër-ditor për të dhënat e hapura.
Konferencën e hapi Julian Vassalo, Zëvendës-Shef i Delegacionit të BE-së, Eric Yanovski, Përfaqësues i USAID-it për Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Christina Mand, Eksperte e lartë për e-demokraci nga Akademia për e-Qeverisje nga Estonia dhe Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis. Folësit e sesionit hyrës trajtuan aspekte të ndryshme të digjitalizimit – nga shërbimet digjitale, përfitimet nga të dhënat e hapura, edukimi mediatik dhe dezinformatat, duke e vendosur bazën për të gjitha sesionet që pasuan.
Konferenca u pasurua më tej me fjalime të shkurtra frymëzuese nga Laurie Tabour, eksperte për menaxhimin e ndryshimeve në Qendrën Estoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila foli për shërbimet digjitale dhe mundësitë e tyre; dhe Jakup Kalenski, anëtar i lartë në Këshillin Atlantik, i cili u fokusua në mjetet me të cilat dezinformatat e kërcënojnë demokracinë sot.
Temat që u diskutuan në tryezat e rrumbullakëta përfshinin pjesëmarrjen elektronike, të dhënat e hapura, edukimin mediatik, inteligjencën artificiale dhe dezinformatat. Megjithatë, konferenca ofroi hapësirë edhe për tre trajnime në fushën e sigurisë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave personale dhe aspektet ligjore, si dhe vetë-rregullimin e dezinformatave. Të tre trajnimet mbuluan çështje me rëndësi thelbësore për diskutimin e sfidave dhe mundësive të epokës digjitale.
Një risi në konferencën e këtij viti ishte Hakatoni për të dhënat e hapura, i cili bashkoi tre ekipe konkurruese që punuan për të krijuar zgjidhje të bazuara në vlera publike duke u bazuar në të dhënat publike. Zgjidhja fituese, e zhvilluar nga ekipi Web Pillar – Data Consulting, planifikon t’i hartëzojë shkollat, të dhënat e rëndësishme për to, si dhe distancën e tyre nga bastoret sportive dhe kazinotë. Ky është një aplikacion shumë premtues që do të rrisë vetëdijen për burimet financiare dhe infrastrukturën e shkollave në Maqedoninë e Veriut. Kjo zgjidhje do t’i shfrytëzojë të dhënat e disponueshme dhe do të kërkojë hapjen e akoma më shumë grupeve të të dhënave – natyrisht duke kontribuar në kërkesën dhe publikimin e grupeve të të dhënave nga institucionet.
Në konferencë morën pjesë 631 pjesëmarrës, 202 burra dhe 429 gra, nga 27 vende, gjë që kontribuoi për karakterin ndërkombëtar të konferencës.
Transmetimi i drejtpërdrejtë në Facebook arriti mbi 7644 njerëz dhe ne jemi shumë krenarë që mundëm të ofrojmë mënyra të ndryshme për pjesëmarrësit për ta ndjekur konferencën.
Shumë pikëpamje dhe përfundime interesante dolën nga konferenca e sivjetme e-Shoqëri.mk, ndërsa disa nga mësimet kryesore të nxjerra janë:
- Digjitalizimi duhet të jetë një qasje gjithëpërfshirëse/horizontale që shtrihet në të gjitha fushat e politikave dhe nuk mund të qëndrojë si një politikë në vetvete.
- E-pjesëmarrja merr vlerë nga ndërveprimi dhe qëllimet që i shërben/vlera që e gjeneron. Sidomos për shkak se teknologjia është kaq e fuqishme – ajo duhet të avancohet me vetëdije për të “mos lënë askënd prapa” dhe për t’u shërbyer grupeve të cenueshme, ashtu si edhe të gjithë të tjerëve.
- Angazhimi proaktiv në vendosjen e standardeve dhe udhëzimeve etike për vendimmarrjen automatike është shumë urgjent, siç është rëndësia e sigurimit të mbrojtjes së plotë të të dhënave personale.
- Dezinformatat janë një problem kompleks dhe kaq i vështirë për t’u monitoruar dhe luftuar, por gjithmonë vjen deri te ilaçi më efektiv – edukimi mediatik dhe të menduarit kritik.
- Roli i shoqërisë civile për të avokuar, edukuar, punuar me institucionet dhe publikun për t’i zhvilluar të gjitha këto debate dhe për të kërkuar zgjidhje për to në interes të të gjithëve, mbetet po aq i rëndësishëm si gjithmonë.
Më poshtë janë linket për disa nga sesionet e konferencës:
Dita 1
- Hapja e konferencës
- Fjalimi i shkurtër frymëzues, Laurie Tabour
- e-Pjesëmarrja dhe e- Angazhimi: Perspektivat rajonale – Veprimet lokale
- Të dhënat e hapura: kur oferta dhe kërkesa takohen në gjysmë të rrugës
Dita 2
- Përvojat nga edukimi joformal i të rinjve për edukimin mediatik dhe të menduarit kritik
- Diskutim në tryezë të rrumbullakët: Algoritmet, privatësia dhe siguria. Të flasim për të drejtat e njeriut
Dita 4
- Punëtori: Aspektet ligjore dhe vetërregullimi në luftën kundër dezinformatave
- Diskutim në tryezë të rrumbullakët: Dezinformatat dhe kërcënimi për demokracinë
- Diskutim në tryezë të rrumbullakët: Dezinformatat dhe kërcënimi për demokracinë
- Mbyllja e konferencës