Nga sektori i shoqërisë civile vlerësojnë se në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë formalisht një sërë mekanizmash për pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e hartimit të politikave, megjithatë zbatimi i tyre në praktikë është i kufizuar dhe shpesh varet nga vullneti politik.
Milla Josifovska Danillovska nga Fondacioni Metamorfozis thotë se në vend ekziston hapësirë për përfshirje, por ajo as nuk është mjaftueshëm e garantuar, as e shfrytëzuar në mënyrë të plotë.

“Ajo që e konsiderojmë sfidë kryesore është fakti se një pjesë e madhe e institucioneve ende e shohin sektorin civil si dekor konsultativ, e jo si partner të barabartë për ndërtimin e politikave të qëndrueshme në dobi të qytetarëve. Konsultimet nuk realizohen gjithmonë me kohë dhe shpesh zhvillohen pa përmbajtje të mjaftueshme dhe pa një qëllim të qartë për të integruar propozimet e dhëna”, tha Josifovska Danillovska.
Ajo kujton se është e nevojshme të punohet në vendosjen e afateve të parashikueshme kohore që mundësojnë përfshirje të hershme në hartimin e politikave, forcimin e mekanizmave të llogaridhënies ku publikisht do të sqarohej se cilat komente janë pranuar ose refuzuar dhe për çfarë arsye, si dhe rritjen e përdorimit të mjeteve digjitale ekzistuese për pjesëmarrje, siç është ENER, përmes modernizimit dhe promovimit të tyre.
“Shoqëria civile kërkon mundësi të drejtë, të parashikueshme dhe të strukturuar për të kontribuar në krijimin e politikave publike efikase që në qendër vendosin interesat e qytetarëve, prandaj është thelbësore që institucionet ta njohin vlerën e tyre” përfundoi Josifovska Danilovska.
Pranvera Kasami, drejtore ekzekutive e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, për Portalb.mk theksoi se pavarësisht riaktivizimit formal të Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, rrethanat e përgjithshme për Organizatat e Shoqërisë Civile mbeten larg të qenit plotësisht të favorshme.

“Mungesa e proceseve të rregullta dhe domethënëse të konsultimit me shoqërinë civile po bëhet gjithnjë e më evidente. Vendime kyçe politike vazhdojnë të merren pa dialog paraprak ose transparencë. Veprime të tilla të njëanshme thellojnë pasigurinë brenda sektorit civil dhe krijojnë një atmosferë “mjegulle” institucionale, ku organizatat mbeten të pasigurta për prioritetet e ardhshme, kuadrin e financimit apo qëllimet e qeverisë. Shoqëria civile mbetet e përkushtuar për të kontribuar në zhvillimin e politikave publike dhe llogaridhënien. Ajo që nevojitet tani është angazhim i vërtetë, i strukturuar dhe i vazhdueshëm nga ana e qeverisë, duke siguruar që OShC-të të mos jenë vetëm vëzhguese, por pjesëmarrëse aktive në hartimin e agjendës së reformave të vendit”, tha Kasami.
Sipas Kasamit, qeveria duhet të ndërmarrë hapa të qartë dhe të qëndrueshëm drejt institucionalizimit të dialogut me shoqërinë civile.
“Kjo nënkupton: respektim të praktikave evropiane të konsultimit, garantim të transparencës në vendimmarrje, forcim të partneritetit me sektorin civil dhe përfshirje të tij në të gjitha reformat prioritare. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të hapur dhe bashkëpunuese mund të krijojmë politika më cilësore dhe një shoqëri më demokratike, të orientuar drejt vlerave evropiane” përfundoi Kasami.
Nga ana tjetër, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut zotohet se po punon në mënyrë aktive për rritjen e përfshirjes së shoqërisë civile në proceset e hartimit të politikave. Në përgjigjen e tyre për Portalb.mk, në lidhje me vlerësimet e Brukselit, nga sektori për informim i qeverisë theksojnë fjalët e mira nga Raporti.
“Është me rëndësi të theksohet se në raportin e Komisionit Evropian është vlerësuar pozitivisht themelimi i Këshillit për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, i cili siguron dialog të vazhdueshëm dhe të strukturuar ndërmjet Qeverisë dhe sektorit civil. Gjithashtu, në mbledhjen e 90-të të Qeverisë, të mbajtur më 8.07.2025, është miratuar Strategjia e Qeverisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Shoqërisë Civile, së bashku me Planin e Veprimit 2025-2028. Strategjia është përgatitur përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të organizatave civile në grupin punues, konsultime përmes Regjistrit Kombëtar Unik Elektronik të Akteve (ENER), si dhe dy debatave publike të mbajtura më 23.5.2025 dhe 13.6.2025. Për më tepër, Strategjia ka marrë mendim pozitiv nga Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, i konfirmuar në mbledhjen e tij të tretë, të mbajtur më 18.6.2025”, thonë nga Qeveria.

Qeveria, thuhet tutje në përgjigjen e tyre, e ndërton bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile mbi parimet e gjithëpërfshirjes, sigurisë juridike dhe transparencës.
“Qeveria kushton kujdes që ky bashkëpunim të mos jetë vetëm formal, por thelbësor. Në të kaluarën ky proces shpesh reduktohej në retorikë dhe konsultime protokolare, ndërsa sot partneriteti është real dhe përmbajtësor. Sipas programit qeveritar, një herë në vit organizohet Konferenca Vjetore e Organizatave të Shoqërisë Civile, ku përfaqësuesit e organizatave do të prezantojnë rezultatet e punës së tyre, si dhe aktivitetet e përbashkëta me institucionet qeveritare, në formë të një panairi civil. Ky aktivitet tashmë është realizuar vitin e kaluar dhe pritet të mbahet sërish edhe këtë vit. Me këto masa dhe aktivitete, Qeveria siguron përfshirje të vërtetë dhe jo formale të shoqërisë civile si partner në hartimin e politikave publike dhe prioriteteve strategjike të shtetit”, thanë nga Qeveria.
Kujtojmë se raporti i BE-së i bën thirrje qeverisë së Maqedonisë së Veriut të rrisë përpjekjet për përfshirjen aktive të shoqërisë civile në të gjitha fushat prioritare dhe proceset e konsultimit publik. Po ashtu, kërkohet miratimi i ndryshimeve ligjore dhe financiare që do të garantonin një sistem të qëndrueshëm dhe transparent të financimit publik për OJQ-të, i cili deri më tani ende nuk është realizuar.
Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.
