Sot, Komisioni Evropian propozoi rregulla të reja me të cilat harxhimet për instalimin e internetit me band të gjerë do të zvogëloheshin për 30%.
Harxhimet për gërmimin e rrugëve me qëllim të vendosjes së kabllove optike paraqesin rreth 80% të harxhimeve të përgjithshme për vendosjen e rrjeteve për internet me bandë të gjerë. Me propozimin e sotëm, kompanitë mund të kursejnë prej 40 deri në 60 miliardë euro.
Interneti me bandë të gjerë është shtylla e kompanive telekomunikuese dhe i Tregut të vetëm digjital të cilin Komisioni po përpiqet ta krijojë. Fillimi i tij në këtë moment është ngadalësuar për shkak të më tepër rregullave dhe praktikave administrative në nivel nacional dhe sub-nacional. “Në shumicën e vendeve, rregullat e tashme e pengojnë konkurrencën e Evropës”, deklaroi Neli Kross, nënkryetarja e Komisionit Evropian.
Propozim-rregullativa e sotme bazohet në praktikat më të mira aktuale në Gjermani, Spanjë, Francë, Itali, Lituani, Holandë, Poloni, Portugali, Slloveni, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar, por çështjet organizative i lë në kompetencë të vendeve anëtare.
Neli Kross deklaroi: “Të gjithë meritojnë internet me bandë të gjerë. Dëshiroj të ballafaqohemi me burokracinë që na pengon në planet tona. Komisioni Evropian dëshiron të mundësojë futje më të shpejtë dhe më të lirë në përdorim të internetit me bandë të gjerë”.
Rregullat do të mund të zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në BEpasi të arrihet marrëveshje ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Komisioni dëshiron të ballafaqohet me katër fushat kryesore problematike:
Të sigurojë se ndërtesat e reja ose ato të renovuara janë të përgatitura për vendosjen e internetit të shpejtë me bandë të gjerë.
Të mundësojë qasje deri te infrastruktura nën kushte të arsyeshme dhe korrekte; për shembull çmimi, qasja deri te kanalet ekzistuese, pusetat, emituesit, instalimet e antenave, kullat dhe objektet tjetra shoqëruese.
T’i japë fund koordinimit të pamjaftueshëm të punëve ndërtimore, duke i mundësuar çdo operatori të rrjetit të negociojë për marrëveshje me ofruesit e shërbimeve të tjera infrastrukturore.
Ta thjeshtojë lëshimin e ndërlikuar të lejeve dhe ta shkurtojë kohën për dhënien e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për emituesit dhe antenat, duke i dhënë ose duke i refuzuar lejet në afat standard prej gjashtë muajsh dhe duke mundësuar që kërkesat të parashtrohen nëpërmjet një pike të vetme për kontakt.
Në këtë moment, nuk ka transparencë të mjaftueshme të infrastrukturës ekzistuese fizike që është e përshtatshme për futjen në përdorim të internetit me bandë të gjerë dhe nuk ka rregulla përkatëse që janë shfrytëzuar më shpesh për futjen në përdorim të internetit me bandë të gjerë në BE. Momentalisht nuk ekziston treg për infratstrukturën fizike e as potencial për shfrytëzimin e infrastrukturës që është në pronësi të ndërmarrjeve të tjera komunale. Dispozitat në disa vende anëtare madje i inkurajojnë ndërmarrjet komunale të bashkëpunojnë me operatorët e telekomunikacionit.
