Kryesia irlandeze e Këshillit të BE-së distribuoi një “dokument për diskutim” për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në prag të mbledhjes së Këshillit për punë të brendshme, që do të mbahet këtë javë në Dablin.
Si kryesi e parë që ishin në këtë “Vit evropian të qytetarit”, kishim arsye të presim se irlandezët do të fusin në përdorim mënyra të reja për mbrojtjen e qytetarëve. Propozimet e tyre të para definitivisht paraqesin risi, por gjithsesi jo për mbrojtjen e të drejtave fundamentale të qytetarëve.
Për shembull, në bazë të situatës momentale në Irlandë, ideja është se të gjitha kompanitë mund të bëjnë çka të duan me të dhënat personale, pa u frikësuar se do të ndëshkohen. Sanksionet, siç janë dënimet me para, “nuk duhet të jenë të detyrueshme ose së paku të jenë me kusht, pas tërheqjes së mëparshme të vërejtjes ose pas qortimit”. Me fjalë të tjera, bëni çka të doni, më e keqja që mund t’ju ndodhë është të merrni vërejtje.
Nënkuptohet, shpesh propozohen politika që duken më të këqija në teori se sa në praktikë. Megjithatë, në këtë rast duhet vetëm ta shohim praktikën aktuale në Irlandë, që të shohim se si në fakt duket qasja e tillë. Ngjarja në lidhje me bazën e të dhënave të policisë irlandeze, e njohur me emrin “PULSE”, jep një pasqyrë rrëqethëse të botës së re të guximshme, në të cilin dëshiron të na fusë kryesia irlandeze.
Në vitin 2007, komesari irlandez për mbrojtjen e të dhënave u pajtua për formimin e një strukture për “vetë-rregullim” me policinë. Në vitin 2010, në raportin e një gjykatësi për vlerësimin e regjimit irlandez për ruajtjen e të dhënave u identifikuan keqpërdorime serioze në kuadër të këtij sistemi “të butë” rregullator. Si duket, keqpërdorimet kaluan pa u vërejtur nga organi për mbrojtjen e të dhënave që kishte mungesë të madhe të resurseve, dhe i cili e kishte miratuar futjen në përdorim të regjimit “vetë-rregullator”. Organi e shfrytëzoi mundësinë që të mos zbatojë procedurë urgjente kundër policisë.
Në vitin 2011, katë vjet pas futjes në përdorim të sistemit, organi irlandez për mbrojtjen e të dhënave, më në fund erdhi në përfundim se sistemi “nuk i plotëson standardet e pritura”. Përsëri, organi irlandez për mbrojtjen e të dhënave zgjodhi mundësinë që të mos ngrejë procedurë kundër policisë. Më në fund, pas pesë vjetëve të keqpërdorimit të vazhdueshëm dhe të qartë të të dhënave të qytetarëve, organi për mbrojtjen e të dhënave, në vitin 2012, njoftoi se do të bëjë revizion të bazës së të dhënave të PULSE-it, ndërsa nga ajo që mund të konstatohet, përsëri zgjodhi të mos ndërmarrë masa kundër shkeljeve aktuale të të drejtave fundamentale të qytetarëve. Në ndërkohë, mundemi vetëm të supozojmë se keqpërdorimet vazhdojnë me ritëm të njëjtë.
Sipas propozimit irlandez, kjo qasje do të ishte e detyrueshme, gjegjësisht në fillim duhet të jepen vërejtje pasi të bëhet keqpërdorimi i të drejtave fundamentale të njerëzve,duke u dhënë kompanive dhe organeve shtetërore “duar të lira” që t’i shkelin të drejtat tona deri sa organi për mbrojtjen e të dhënave të konstatojë dy herë se kompania e ka shkelur ligjin.
Nëse futja në përdorim e strategjive aktuale irlandeze në nivel të gjithë Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë adekuate për qëllimin, nuk është shumë e keqe, realiteti është edhe më i keq. Për momentin, kompanitë janë të detyruara ta regjistrojnë përpunimin e të dhënave te organi për mbrojtjen e të dhënave personale, në ç’mënyrë organi së paku informohet për përpunimin që është duke u bërë. Sipas Rregullores së re që është propozuar, këto obligime për regjistrim do të zbuteshin në mënyrë të konsiderueshme, që ka kuptim në kontekst të propozimit inicial të Komisionit. Në këtë kontekst, megjithatë kjo do të nënkuptonte zvogëlimin e mëtejshëm të veglave që i kanë në dispozicion organet edhe ashtu të kufizuara për mbrojtjen e të dhënave. “Vrapi drejt fundit” (“Race to the bottom”) do të zëvendësohej me zhytje të sinkronizuar.
Dy javë pasi filloi “Viti evropian i qytetarit” dhe dy javë nga fillimi i mandatit, programi i Kryesimit irlandez me Bashkimin Evropian fillon të duket si një parodi e keqe:
“Përdorimi gjithnjë e më i madh i internetit, mediumeve sociale, globalizimi i bartjes së të dhënave dhe arritjet e tjera teknologjike e lehtësuan jetën për miliona njerëz, por gjithashtu e rrisin mbledhjen, shfrytëzimin dhe përpunimin e të dhënave personale në nivel global. Marrëveshja e Lisbonës përmban një bazë të re ligjore për rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, ndërsa Karta për të drejtat fundamentale poashtu e përfshin mbrojtjen e të dhënave personale si e drejtë themelore. Si pjesë e fokusit të Agjendës digjitale, kryesia do të punojë në drejtim të arritjes së marrëveshjes me Këshillin rreth aspekteve kyçe të pakos për mbrojtjen e të dhënave. Kjo ka për qëllim të sigurojë se qytetarët do të kenë kontroll më të madh mbi të dhënat e tyre personale. Përparimi që do ta realizojë kryesia në këtë fushë do ta forcojë besimin në ekonominë digjitale dhe do ta përkrahë rritjen e Tregut të vetëm digjital”.
