Në kuadër të Ditës për qeveri të hapur, më 21.03.2012 në Shkup, ministri për shoqëri informatike dhe administratë, mr. Ivo Ivanovski e promovoi propozimin e Planit aksional për zhvillimin e qeverisë së hapur në RM, si pjesë e iniciativës globale Partneritet për qeveri të hapur, duke i ftuar të gjithë faktorët nga sektori qeveritar, afarist, civil dhe shkencor-arsimor të kyçen në kompletimin e tij.
Dita për qeveri të hapur përfshinte konferencë njëditore me mbi 100 pjesëmarrës, si dhe diskutim paralel nëpërmjet rrjetit social Twitter me hashtag-un #opengovmk.
Në hapjen e ngjarjes, së bashku me ministrin Ivanovski, morën pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në RM, Kristofer Ivon, drejtoresha e zyrës së Bankës Botërore në RM, Lilia Burunçiuç dhe Oleg Petrov, koordinator programor në Bankën Botërore, të cilët e potencuan rëndësinë e konceptit të qeverisë së hapur si pjesë integrale e zhvillimit të sistemit demokratik modern dhe ekonomisë së tregut, duke e shprehur përkrahjen për përpjekjet e Maqedonisë në drejtim të zhvillimit të saj.
Gjatë pjesës punuese, një numër i ekspertëve të huaj dhe të vendit e nxitën debatin për temat për qeverinë e hapur dhe posaçërisht të dhënat e hapura, gjegjësisht të dhënat publike, te të cilat pushteti mundëson qasje të lehtë duke i përdorur teknologjitë e reja. Xhef Kapllan nga SHBA-të dhe Еndrju Stot nga Britania e Madhe i përcollën përvojat botërore, ndërsa prof. Dimitar Trajanov nga FSHIIK përcolli njohuri nga komuniteti akademik i Maqedonisë.
Përfaqësueset e MSHIA-së, Marija Nikolloska dhe Irena Bojaxhievska e prezantuan propozim planin aksional për iniciativën për partneritet të hapur [mk, en], me ç’rast u zhvillua diskutim me përfaqësuesit e sektorëve të ndryshëm shoqërorë që merrnin pjesë në këtë ngjarje. Gjatë diskutimit u theksua se qeveria e hapur dhe të dhënat e hapura nuk janë punë vetëm e informatikanëve, se zbatimi i Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik është shumë i rëndësishëm për tërë procesin dhe pjesëmarrjen qytetare në përgjithësi, dhe se është jashtëzakonisht i rëndësishëm zhvillimi i arsimit të gjithë popullatës (që të tejkalohet jazi digjital), si dhe zhvillimi i besimit ndërmjet të gjitha palëve të interesuara.
Të gjithë të interesuarit u ftuan që propozimet dhe vërejtjet e tyre t’ia dërgojnë MSHIA-së nëpërmjet postës elektronike (te marija.nikoloska dhe irena.bojadzievska, të dyja @mioa.gov.mk) dhe ta vazhdojnë diskutimin edhe nëpërmjet formave të tjera:
- LinkedIn: grupi për diskutim Macedonia Open Government Community, ku gjuhë pune janë gjuha maqedone, angleze dhe shqipe, dhe që është pjesë e rrjetit global Open Development Technology Alliance anëtar i të cilit nga RM-ja është Fondacioni Metamorfozis.
- Ping.mk: grupi për qeveri të hapur opengov, i dedikuar për dokumentim publik të linkeve deri te artikujt dhe dokumentet relevante, me mundësi për diskutim.
Një ditë më vonë, njëra nga OJQ-të e pranishme, Softueri i lirë Maqedoni, e publikoi kontributin e saj në diskutim edhe publikisht në internet.
Prezantimet nga ngjarja: