Fondacioni Metamorfozis, së bashku me Rrjetin më të madh Evropian për të Drejtat Digjitale EDRi dhe organizata të shumta të shoqërisë civile dhe individë të shumtë, i bën apel urgjent Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare të BE-së që t’i hedhin poshtë ndryshimet e propozuara në të ashtuquajturin “AI Omnibus”, të cilat kërcënojnë të rrezikojnë seriozisht transparencën dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.

Pas paralajmërimeve të mëparshme rreth implikimeve të këtij procesi për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, Metamorfozis vazhdon të mbështesë në mënyrë aktive iniciativat për rregullimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.

Çfarë është e diskutueshme në propozimin e ri?

Pika kryesore shqetësuese është fshirja e nenit 49(2) të propozuar nga Ligji për Inteligjencën Artificiale. Ky nen paraqet një masë mbrojtëse kyçe që i obligon kompanitë që zhvillojnë sisteme me risk të lartë, e të cilat dëshirojnë që vetë të përjashtohen nga rregullat strikte (duke pretenduar se sistemi i tyre nuk përbën një risk të konsiderueshëm), detyrimisht ta regjistrojnë një përjashtim të tillë në një bazë të dhënash që është e disponueshme publikisht.

Nëse miratohet ky propozim, hapet një “boshllëk i rrezikshëm ligjor” që do të mundësonte:

  • Vetërregullim të pakontrolluar: Ofruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale do të jenë në gjendje të vendosin në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë mbikëqyrje se sistemi i tyre nuk është i rrezikshëm.
  • Transparencë të reduktuar: Publiku dhe organizatat e shoqërisë civile nuk do të kenë informacion se cilat kompani janë përjashtuar nga detyrimet, gjë që e bën të pamundur kundërshtimin e vendimeve të tilla.
  • Pamundësi për mbikëqyrje: Organet mbikëqyrëse do ta humbasin kontrollin mbi tregun, gjë që rrezikon seriozisht sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

“Kursim” prej 100 eurosh kundrejt mbrojtjes së të drejtave të njeriut

Në letrën e hapur theksohet se Komisioni Evropian e arsyeton këtë fshirje me uljen e barrës administrative, duke pretenduar se kjo do t’u kursejë kompanive mesatarisht vetëm 100 euro.

“Kursimi prej 100 eurosh për kompani është thellësisht joproporcional me ndikimin e dëmshëm që shkakton heqja e masës mbrojtëse për transparencë nga neni 49(2) dhe nuk është në përputhje me pretendimin e Komisionit se masat e synuara për thjeshtim në të ashtuquajturin ‘AI Omnibus’ mbeten brenda asaj që është e nevojshme për arritjen e objektivave të thjeshtimit dhe uljes së barrës administrative, pa e zvogëluar me këtë rast mbrojtjen e shëndetit, sigurisë dhe të drejtave themelore,” thuhet në komunikatën e rrjetit EDRi.

Pse është kjo e rëndësishme për ne?

Si një vend që synon harmonizimin me legjislacionin evropian, çdo ndryshim në Ligjin e BE-së për Inteligjencën Artificiale do të reflektohet drejtpërdrejt edhe në politikat vendase dhe në mbrojtjen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Metamorfozis mbetet në qëndrimin se teknologjia duhet t’u shërbejë njerëzve, e jo të zhvillohet në kushte jotransparente që favorizojnë interesat e korporatave mbi interesin publik.

Fondacioni Metamorfozis do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes procesin dhe të angazhohet për një të ardhme digjitale të bazuar në llogaridhënie dhe respektimin e të drejtave të njeriut.