“Interneti është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për revolucionin digjital, por edhe për prosperitetin tonë të vazhdueshëm – e bile edhe për lirinë tonë. Internetin duhet ta ruajmë sikurse edhe demokracinë”.

Ky është nëntitulli i artikullit të paradokohshëm nga Tim Berners-Li i botuar në Scientific American Magazine më 22 nëntor 2010, në të cilin ai fokusohet në kërcënimet e reja për zhvillimin e mëtutjeshëm të rrjetit botëror: mungesa e neutralitetit të Internetit, rrjetëzimi social, standardet e mbyllura dhe përpjekjet nga ana e qeverive për t’i përcjellur komunikimet nëpërmjet Internetit.

Artikulli me titull “Të jetojë Interneti: ftesë për standarde të hapura të vazhdueshme dhe neutralitet” i jep mundësi ideatorit të WWW-së në vitin 1990, që të fokusohet në principet kryesore për dizajn të Internetit dhe në atë se si ato janë rrezikuar sot nga ana e politikave të reja nga lojtarët privatë dhe publikë në Internet.

Sër Tim Berners-Li e përmend neutralitetin e Internetit si një nga çështjet kyçe që duhet të mbrohen, me qëllim që të mundësohet zhvillim i papenguar i rrjetit botëror, në bazë të principeve të tij për univerzalitet dhe decentralizim.

Autori thekson në mënyrë të qartë se pse është i nevojshëm legjislacioni për t’u mbrojtur këto principe: “Mediumi komunikues neutral është bazë për ekonomi korrekte dhe konkuruese të tregut dhe bazë e demokracisë dhe e shkencës. Vitin e kaluar përsëri u ngjall debati për atë se a është i nevojshëm legjislacioni qeveritar për neutralitetin e Internetit. Legjislacioni është i nevojshëm. Edhepse Interneti dhe rrjeti botëror në përgjithësi bazohen në mungesën e rregullativës, disa nga vlerat themelore duhet të ruhen me ligj”.

Gjithashtu, babai i rrjetës botërore sqaron se pse standardet e hapura janë element kyç për ruajtjen e nivelit maksimal të inovacioneve në Internet: “Kur them ‘standarde të hapura’ e kam fjalën për standardet me të cilat çdo ekspert i përkushtuar mund të përfshihet në dizajnim, standarde të cilat në rrethe më të gjera konsiderohen të pranueshme, të cilat janë dispozicion pa pagesë në Internet dhe janë pa pagesë për programuesit dhe shfrytëzuesit. Standardet e hapura pa kompensim autorial që janë të lehta për t’u shfrytëzuar mundësojnë pasurim të llojllojshmërisë së ueb-faqeve, nga emrat e mëdhenj siç janë Amazon, Craigslist dhe Wikipedia, tek bloget më pak të njohura të shkruara nga admiruesit në moshë të rritur të hobive, e gjer tek videoinçizimet e vendosura nga tinejxherët“.

Sër Tim Berners-Li, gjithashtu, e përmend legjislacionin e palogjikshëm të BE-së, siç është ligji Hadopi në Francë apo Ligji për ekonomi digjitale në Mbretërinë e Bashkuar, për të vërtetuar se duhet të kontrollohet edhe procesi ligjdhënës për të siguruar respektim të të drejtave të njeriut edhe në Internet:

“Në këto raste, asnjë proces ligjor nuk i mbron njerëzit para se të çkyçen nga Interneti apo para se të bllokohen ueb-faqet e tyre. Duke i pasur parasysh mënyrat e shumta në të cilat Interneti është i rëndësishëm për jetët tona dhe punën tonë, çkyçja nga Interneti është një lloj privimi nga liria”.

Burimi: EDRI-grami „Lack of net neutrality and open standards threaten the web“ nr. 8.23, 1 dhjetor, 2010.