Organizatat e tubuara në koalicionin ad-hoc “Fronti për lirinë e të shprehurit” që i kundërvihet procedurës jotransparente për miratimin e Propozim-ligjit për përcaktimin e përgjegjësisë qytetare për shpifje dhe ofendim, në konferencën e sotme për shtyp të mbajtur te OJQ-ja Infocentar në Shkup, kërkoi që i tërë procesi të kthehet në fillim, që të mundësohet në procesin për përgatitjen e ligjit të kyçen sa më shumë palë të interesuara.

“Ne jemi të fokusuar në atë që procesi të kthehet në fillim. Të mos futemi në diskutim material, por të fitojmë mundësi të hyjmë në një diskutim të tillë, për shkak se ka shumë palë të interesuara për këtë çështje”, tha Biljana Bejkova nga OJQ-ja Infocentar.

Uranija Pirovska, drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë theksoi se ligji e përfshin gjithë shoqërinë qytetare dhe se Kuvendi, me faktin që pas leximit të parë të propozimit i ka ikur organizimit të diskutimit publik dhe informimit të qytetarëve, institucioneve, organizatave qytetare, sindikatave dhe subjekteve të tjera, e ka shkirtuar hapësirën dhe mundësinë që sektori qytetar të theksojë komentet dhe vërejtjet e tyre.

“Konsiderojmë se mënyra e këtillë e veprimit do të ketë pasoja të mëdha, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një ligj që e prek lirinë e të shprehurit”, tha Pirovska.

Zharko Trajanovski nga Koalicioni për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave seksuale dhe shëndetësore të komuniteteve të margjinalizuara theksoi se nga i tërë sektori qytetar, në përgatitjen e ligjit ka qenë e kyçur vetëm Shoqatat e gazetarëve të Maqedonisë, edhe pse ligji nuk i tangon vetëm gazetarët, por gjithë qytetarët.

“Miratimi i ligjeve të këtilla mund të paraqesë hyrje serioze – censurë tashmë kemi – në diçka edhe më të tmerrshme, në diktaturë”, tha Trajanovski dhe theksoi se analizat e organizatave qytetare, që janë realizuar brenda disa javëve që kur ka hyrë në procedurë Ligji për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim që kanë të bëjnë me lirinë e të shprehurit, kanë treguar se nuk do të jetë e mundur që teksti i ligjit të përmirësohet me intervenime me amandamente.

“Mu për këtë edhe protestojmë dhe apelojmë deri te politikanët që procesin ta kthejnë prapa dhe seriozisht ta marrin parasysh pjesëmarrjen e organizatave qytetare në këtë proces. Poashtu, i paralajmërojmë të gjithë politikanët që do të votojnë për këtë ligj se nesër do t’i akuzojmë se janë bashkëpjesëmarrës në futjen e censurës në Republikën e Maqedonisë”, tha Trajanovski.

Roberto Beliçanec nga Qendra për zhvillimin e mediumeve (QZHM) bëri analizë të dispozitave kontestuese të Propozim-ligjit dhe një listë me të gjitha shkeljet e standardeve ndërkombëtare të legjislacionit për ofendim dhe shpifje. (Analiza gjendet në ueb-faqen e QZHM-së – www.mdc.org.mk). Beliçanec e përmendi edhe përpjekjen që ky grup ligjesh të futen dhe të miratohen në procedurë eksprese, pa debat serioz, që rezultoi me atë që Propozim-ligji për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje të ketë mangësi serioze. Beliçanec, poashtu, e akuzoi faktorin e jashtëm, për hisen e tyre në tregimin për mostransparencën e këtij procesi.

“Kemi mbulim të gjithë këtij tregimi me agjendë evropiane dhe këtu kemi një ortakëri evropiane me finesë në këtë tregim. Nuk e di sa mbajnë arsyetimet se ligji i ka kaluar, përderisa nuk i shohim ekspertizat. Mund të gjendemi në situatë të flasim për një ligj dhe për ekspertiza të Këshillit të Evropës të cilat nuk i ka parë asnjë njeri i gjallë, përveç aktorëve të procesit”, tha Beliçanec dhe shtoi se akoma nuk është tepër vonë që ligji të hapet për një debat publik serioz.

“Të gjithë ata që në këtë moment janë të uulur në Kuvend, i ftojmë që ta hapin procesin, t’i hapin komisionet për participim, vërejtjet t’i marrin me seriozitet. Nëse tashmë intervenojnë me amandamente, do të duhet të intervenojnë – së paku nga ajo që e analizoi organizata ime – në 20 nga 35 nene sa ka ky ligj. Apelojmë përsëri, të ndërpritet ky tregim sa nuk është vonë, të kthehet prapa, për shkak se një muaj dallim nuk do të ndryshojë asgjë në Maqedoni, në aspekt të integrimeve evropiane, por mund të ndryshojë shumë në aspekt të mundësimit të lirisë së të shprehurit”, tha Beliçanec.

Xhabir Deralla nga Civil – Qendra për liri, përsëriti se procesi i miratimit të ligjit duhet të ndalohet dhe të kthehet në fillim, me pjesëmarrje të të gjitha palëve të interesuara në mënyrë që, siç tha ai, të fillojë procesi i kthimit të demokracisë dhe sundimit të të drejtës në vend.

“Mënyra e këtillë e punës së pushtetit, duke u fshehur në të njëjtën kohë pas agjendave të caktuara evropiane, është tepër e tejdukshme. Në Maqedoni ka numër të mjaftueshëm njerëzish që mendojnë lirshëm dhe me kokën e tyre”, tha Deralla.

Filip Stojanvoski nga Fondacioni Metamorfozis e shqyrtoi zgjidhjen e propozuar ligjore që parasheh përgjegjësi plotësuese sa i përket komunikimit nëpërmjet internetit, gjegjësisht përgjegjësinë e provajderëve të shërbimeve të internetit për përmbajtjet e publikuara në internet.

“Nëse mbetet kështu siç është, ajo që mund të supozohet si pasojë do të jetë mbyllja e mundësisë për komunikim publik nëpërmjet internetit, ueb-faqeve, forumeve dhe të ngjashme, si masë preventive nga ana e firmave të cilat do të jenë të frikësuara nga mundësia që të futen nëpër konteste gjyqësore për ofendim dhe shpifje. Në qoftë se në këtë proces përfshihen të gjithë faktorët dhe nëse ai është pjesë e asaj që qytetarët e kanë në dispozicion si debat publik, ka më tepër gjasa  që të fitohet një zgjidhje kualitative. Në këtë situatë, kjo nuk është kështu”, tha Stojanovski.

Uranija Pirovska shtoi se konferenca e sotme për mediumet është vetëm hyrje në një seri aktivitetesh që do të pasojnë gjatë ditëve të ardhshme, dhe shtoi se organizatat e pranishme në konferencën për shtyp do të formojnë një koalicion që do të luftojë për lirinë e të shprehurit në RM.

Burimi: OJQ-ja Infocentar „Граѓанските организации бараат враќање на процесот и јавна дебата за новиот закон за клевета“ 10 tetor 2012.