1. A kërkon ACTA nga vendet që të imponojnë rregulla për “tre paralajmërime para çkyçjes nga interneti”?

Nga vendet që e ratifikojnë ACTA-n kërkohet ta inkurajojnë “bashkëpunimin” ndërmjet kompanive private për ta zbatuar ligjin. Parashihet që ky bashkëpunim të jetë i gjerë, duke përfshirë çkyçjen e shfrytëzuesve të fundit, në bazë të vendimeve të marra nga sektori privat. Kjo dëshmohet nga dokumenti i Parlamentit Evropian që doli në publik (fusnota 6, faqja 4):

“Shembull i një politike të tillë është ndërpreja (në rrethana përkatëse) e parapagimeve dhe e llogarive të shfrytëzuesve të kundërvajtësve të sërishëm në sistem ose në rrjetin e ofruesit të internetit

2. Domethënë kompanitë nuk janë të obliguara të vendosin masa represive kundër konsumatorëve?

Kompanive u kërcënohen sanksione penale nëse përfitojnë dobi “indirekte” ekonomike nga kundërvajtjet dhe/ose nëse konsiderohet se (me gjasë, si rezultat i mosmarrjes së masave represive, për shembull) “kanë ndihmuar dhe kanë përkrahur” një ose më tepër vepra kundërvajtëse. Domethënë, ato mund ose të ndërmarrin masa represive, ose kanë të drejtën që t’u hyjnë këtyre rreziqeve, nëse ashtu preferojnë.

3. Mirëpo, a është ACTA në përputhje të plotë me ligjet aktuale të BE-së?

Sanksionet penale për zbatimin e të drejtave intelektuale nuk janë pjesë e ligjeve të BE-së – në fakt propozimi i vetëm i tillë aspak nuk u pranua. Gjithashtu, sanksionet penale në ACTA shkojnë edhe më larg se sa ajo që u diskutua në propozimin e dështuar. Për shembull, Parlamenti Evropian kërkoi të ketë përjashtime për kopjimin privat dhe “përdorimin korrekt” për aktivitete si për shembull, të kritikuarit, komentimi, raportimi gazetaresk, mësimi, bursat ose hulumtimi. Ekzistojnë shumë pika të tjera ku harmonizimi me ligjet e BE-së është i dyshimtë – për shembull, dëmshpërblimet pothuajse të pakufizuara që mund të shqiptohen sipas ACTA-s, duke u bazuar në çmimin e shitjes me pakicë në vend të dëmit që është shkaktuar realisht.

4. Megjithatë, a është mirë të krijohet një “nivel i barabartë” për zbatimin e Ligjit për të drejtat për pronësi intelektuale?

ACTA ka për qëllim që të eksportojë pjesë nga legjislacioni i BE-së, nën supozimin e pasqaruar se ato do të kenë ndikim të njëjtë edhe në vendet e tjera, në mjedise krejtësisht të ndryshme ligjore. Për shembull, ACTA kërkon bartje të gjerë të të dhënave personale të konsumatorëve deri te pronarët e të drejtave dhe kontrollim të papërcaktuar vullnetar nga ana e pronarëve të të drejtave. Në kuadër të BE-së, Direktiva për e-privatësi dhe Direktiva e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave krijojnë një kontekst i cili mundëson një shkallë të caktuar të mbrojtjes së konsumatorëve. Krijimi i rreziqeve pa masa përkatëse mbrojtëse, paraqet rrezik për demokracinë dhe sundimin e të drejtës për qytetarët e partnerëve tanë tregtarë, ku masat e tilla mbrojtëse nuk ekzitojnë fare ose janë më të kufizuara. Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen për Bashkimin Evropian, me të cilën nga BE-ja kërkohet që ta përkrahë demokracinë dhe sundimin e të drejtës në marrëdhëniet e saja ndërkombëtare. Nuk mund të shkelim një ligj për hir të një ligji tjetër.

5. Së paku nuk ekziston rrezik aty ku ne vetë e imponojmë ligjin, apo jo?

Një numër i madh i dispozitave (për shembull qasja te të dhënat personale) në ACTA, burojnë nga Direktiva për zbatimin e pronësisë intelektuale (IPRED). Këto dispozita shkaktuan probleme serioze në disa vende evropiane – si për shembull në Mbretërinë e Bashkuar, ku të dhënat u shfrytëzuan që të detyrohen dhe, sipas një anëtari i të Odës së lordëve, të “shantazhohen” konsumatorët. Pasi këto dispozita të futen në ACTA, Bashkimi Evropian do ta ketë për obligim juridik ndërkombëtar që të mos i ndryshojë ato. Procesi i revizionit të IPRED-it nga ana e Komisionit Evropian është caktuar të fillojë pasiqë të miratohet ACTA nga ana e Parlamentit Evropian – gjegjësisht Bashkimi Evropian të vendosë të mos bëjë ndyshime të konsiderueshme në IPRED para se të vlerësohet ndikimi i saj.

6. Në kohë të krizës ekonomike, sigurisht që është mirë të promovohet rritja ekonomike në një marrëveshje tregtare?

Sipas studimit të pavarur për ACTA-n, të realizuar nga Parlamenti Evropian, “nuk mund të thuhet se në cilin moment mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale bëhet kundërproduktive”. Komisioni Evropian refuzoi të bëjë vlerësim të ndikimit, kështu që nuk ekziston asnjë lloj analize për atë se a janë masat e gjera, që janë propozuar në ACTA, sipas fjalëve në studimin e lartëpërmendur, “kundërproduktive”.

Në mënyrë të ngjashme, ACTA e “inkurajon” kontrollimin e rrjeteve nëpërmjet ndërmjetësuesve (ofruesit e internetit, ofruesit e ueb-hostimit, ofruesit e shërbimeve për pagesë, kërkuesit në internet, rrjetet për reklamim etj.). Nuk është bërë asnjë analizë që të vlerësohet rreziku i vërtetë real se ky aktivitet i kontrollimit do të shfrytëzohet që t’i mbajë kompanitë evropiane jashtë tregjeve të huaja. Edhe më keq, për shkak se këto janë masa plotësuese juridike “vullnetare”, do të ishte shumë e vështirë të merret një vendim nga Organizata Botërore e Tregtisë në luftën kundër çdo lloji të protekcionizmit.

7. Mirëpo do të ishte mirë të vendoset një standard të cilin do ta ndiqte bota?

Problemi qëndron në atë se natyra e mbyllur dhe e fshehtë e negociatave për ACTA-n, me ç’rast qëllimisht u anashkaluan forumet e parapara dhe të përcaktuara multilaterale, krijoi një standard në diplomaci kundërproduktive. Siç thuhet në studimin e Parlamentit Evropian, se “ekonomitë e reja të mëdha, Kina, Brazili dhe India, si duket nuk janë ftuar zyrtarisht që të marrin pjesë”, çoi deri te ajo që India ta mbështesë kauzën e Vendeve më pak të zhvilluara në Këshillin TRIPS, ku u ankua për “përjashtimin e shumicës së vendeve, duke i përfshirë edhe vendet në zhvillim dhe vendet më pak të zhvilluara”.

8. Në një botë të globalizuar, ACTA së paku do t’i ndihmojë bizneset evropiane në internet, apo jo?

ACTA kërkon nga shtetet nënshkruese ta inkurajojnë zbatimin e ligjit nga ana e kompanive private. Shpesh, kompanitë do të jenë në vende të tjera, ku ka regjime të ndryshme për të drejtat autoriale dhe shkallë të ndryshme të përgjegjësisë ligjore. Prandaj, në çdo moment, kompanitë në internet do të jenë të ekspozuara ndaj rrezikut që shërbimi i tyre të largohet nga kërkuesit e internetit, t’u bllokohen pagesat nga ana e ofruesve të shërbimeve për pagesë, emri i tyre i domenit (si për shembull www.edri.org) të hiqet nga kompania të cilën e kanë paguar që ta regjistrojë atë, kompania e cila menaxhon me regjistrin e emrave të domeneve ose rrjetin për reklamim – ose të bllokohen nga ofruesit e internetit jashtë vendit të tyre, të cilët dëshirojnë t’i mbrojnë bizneset e tyre nga konkurrenca.

9. E gjithë kjo është e tepruar – liria e të shprehurit dhe demokracia në fakt nuk rrezikohen, apo jo?

Një deputet konservativ i parlamentit gjerman pa qëllim vendosi në ueb faqen e tij disa fotografi të mbrojtura me të drejtat autoriale. Numri i madh i vizitave në ueb-faqen e tij çoi deri te shumëzimi i fotografive “në përmasa komerciale”. Ai përfitoi dobi “indirekte ekonomike” me atë së nuk i ka paguar fotografitë, ndërsa ofruesi i tij i internetit gjoja “e ka ndihmuar dhe e ka përkrahur” këtë “shkelje”, me atë që nuk ka ndërmarrë masa ndaj “kundërvajtësit”. A është ai apo ofruesi i tij i internetit kriminel? Sipas ACTA-s, ata janë kriminelë. Ky është kërcënimi për lirinë e të shprehurit dhe demokracinë.

10. Pse parlamentet shtetërore dhe Parlamenti evropian votojnë për ACTA-n – a nuk është nënshkruar tashmë, pra a nuk ka përfunduar ky proces?

ACTA pjesërisht është jashtë domenit të legjislacionit të BE-së (e ashtuquajtura acquis communautaire). Pjesa që është jashtë domenit të legjislacionit të BE-së (sanksionet penale) duhet të miratohet nga secili vend anëtar. Për pjesën që është në kuadër të legjislacionit të BE-së, mund të vendoset dhe të ratifikohet në nivel të BE-së. BE-ja mund vetëm ta pranojë ose ta refuzojë tekstin në tërësi – edhe pse asgjë nuk mund ta pengojë BE-në të vendosë rregulla të brendshme për vete, për atë se si duhet të zbatohet ACTA në praktikë.

Nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk është i njëjtë me nënshkrimin e një kontrate – kjo gjë thjesht e hap procesin e vendimmarjes brenda një qeverie.

Burimi: ЕDRI-gram „ACTA – Frequently Asked Questions“ nr. 10.2, 1 shkurt 2012.