Bashkimi Evropian do të nisë hetime për të shqyrtuar se si do t’i shfrytëzojë të dhënat e shfrytëzuesve. Google e refuzoi propozimin e BE-së që ta shtyjë fillimin e politikës së re për privatësi, e cila fillon më 1 mars.
Politika e re e Google do të lejojë që të dhënat e shfrytëzuesve nga një shërbim i Google të shfrytëzohen edhe nga shërbimet e tjera, siç është YouTube ose kërkuesi i internetit Google. Qëllimi i saj është që të jetë më e thjeshtë dhe më lehtë e kuptueshme për shfrytëzuesit, që ata ta kuptojnë se cilat të dhëna të tyre i shfrytëzon Google. Shërbimet do t’i mbajnë politikat e tyre të privatësisë për arsye ligjore.
Në Google thonë se janë të bindur se politika e tyre e privatësisë është në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian për mbrojtje të të dhënave të shfrytëzuesve. Mirëpo, sipas Vivien Reding, komesare evropiane për drejtësi, politika e re e Google nuk është sa duhet transparente.
Hetimin do ta udhëheqin rregullatorë francezë, të cilët do të kontrollojnë se si shfrytëzohen të dhënat e shfrytëzuesve nga shërbimet e ndryshme. Rregullatorët thonë se nuk janë të sigurt se shfrytëzimi i tillë i të dhënave është në përputhje me ligjet dhe rregullat e BE-së.
Ky hetim fillon në një kohë të papërshtatshme si për Google, poashtu edhe për BE-në, për shkak se Bashkimi Evropian përgatit rregulla të reja digjitale, të cilat do t’i obligojnë ueb-shërbimet si Google dhe Facebook, që të kërkojnë leje nga shfrytëzuesit për t’i ruajtur të dhënat e tyre ose për t’i shitur për reklamim me qëllim të caktuar, shkruan Rojters.
Аutor: Viktor Dano
Burimi: IT.com.mk „Полисата за приватност на Google е спротивно законите на ЕУ“ 1 mars 2012.
