Reklamimi politik i sponsorizuar në Facebook dhe Instagram gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut: I dukshëm, por i parregulluar

18.02.2026
Download
Downloads: 9

Kjo analizë ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të reklamimit politik të sponsorizuar në platformat e Metës (Facebook dhe Instagram) gjatë periudhës së fundit 20-ditore të monitorimit në kuadër të zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut. Në periudhën nga 29 shtatori deri më 17 tetor 2025, monitorimi përfshiu 52 kandidatë për kryetar komune dhe subjektet politike që i mbështesin në 26 komuna të përzgjedhura në mënyrë strategjike.
Nga 52 kandidatët e monitoruar, 28 kandidatë (54%) janë reklamuar në mënyrë aktive, gjegjësisht kanë sponsorizuara postime në të paktën një nga platformat e Metës. Në kuadër të këtij monitorimi të lokalizuar 20-ditor, u evidentuan 23.308 euro.. Shumica e reklamave në faqe u sponsorizuan drejtpërdrejt nga vetë kandidatët (92,6%), ndërsa pjesa tjetër u financua nga partitë politike që i përfaqësojnë. Për më tepër, të dhënat kumulative të mbledhura mbi reklamimin e përgjithshëm politik në Maqedoninë e Veriut nga Meta Ad Library, për të njëjtën periudhë, tregojnë se vetëm 50 faqet politike më aktive shpenzuan gjithsej 153.342 euro, gjë që tregon dominimin e faqeve qendrore të partive dhe të zyrtarëve shtetërorë dhe partiakë në krahasim me kandidatët individualë për kryetar komune. Meqenëse kostot më të mëdha totale i kanë subjektet politike kombëtare dhe udhëheqësit e partive, e jo kandidatët lokalë për kryetarë komune, kjo çon në përfundimin se partitë e kanë centralizuar buxhetin për promovimin e udhëheqësve të tyre dhe platformave kombëtare, gjë që më pas bartet edhe në nivel lokal.
Kostot e evidentuara për reklamimin në mediat sociale në platformat e Meta-s, të bëra nga 28 kandidatë që i sponsorizuan postimet e tyre (54% e gjithsej 52 kandidatëve të ndjekur), përfshinë 812 reklama aktive. Prej tyre, u vu re një një përqendrim i theksuar i aktivitetit digjital në rajonin e Shkupit, konkretisht në komunat e Çairit, Kisella Vodës dhe Butelit, të cilat së bashku përbënin 55% të buxhetit total të monitoruar.
Edhe pse pjesa më e madhe e përmbajtjes së monitoruar ka karakter promovues dhe zyrtar, përdorimi strategjik i financimit nga palët e treta dhe vendosja e narrativeve negative në mjedise konkurruese tregojnë se kemi të bëjmë me një skenë zgjedhore digjitale komplekse dhe të zhvilluar mirë.