Rajoni autonom i Spanjës, Ekstramadura, filloi me rindërtim strategjik të TI-së së saj, me qëllim që të kursejë miliona euro dhe që ta rrisë përdorimin e softuerit të lirë, njoftoi Cenatic, Qendra për resurse e qeverisë spanjolle për softuer të lirë dhe standarde të hapura.

Javën e kaluar, kryetari i Ekstramadurës, Hoze Antonio Monago, deklaroi se rajoni gjithnjë e më shumë do të përdorë softuer të lirë, “që do të rezultojë me kursime të konsiderueshme për administratën publike”.

Rajoni mbetet i përkushtuar ndaj përdorimit të softuerit të lirë, thotë Cenatic në njoftimin me të cilin e paralajmëroi fillimin e rishqyrtimit të strategjisë për TI të Ekstramadurës. Rishqyrtimi duhet të përfundojë në afat prej tre muajsh dhe duhet të ofrojë një udhërrëfyes për zhvillimin e teknologjisë informatike në tetë vitet e ardhshme.

Qeveria e Ekstramadurës thotë se pret që me këtë rindërtim të kursehen rreth 30 milionë euro në vit.

Cenatic shton se kryetari i Ekstramadurës, Hoze Antonio Monago i ka konfirmuar angazhimet për shfrytëzimin e softuerit të lirë nga administrata e rajonit. Sipas Cenatic, kryetari ka paralajmëruar se administrata publike në Ekstramadurë “në një të ardhme të afërt” do të fillojë ta shfrytëzojë këtë softuer, në ç’mënyrë “administrata do të kursejë mjete të konsiderueshme”.

Burimi: Joinup.eu „Extremadura overhauls IT to save millions and to increase open source“ 31 mars 2012.