Mungesa e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për të mbrojtur hapësirën digjitale në Ballkan e bën rajonin të cenueshëm ndaj manipulimeve, dezinformatave dhe ndikimeve të huaja. Ndërsa Bashkimi Evropian me Ligjin për Shërbimet Digjitale (LSHD) vendos rregulla të qarta për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të platformave online, vendet e rajonit ende nuk kanë një kornizë rregullatore të ngjashme.
Lufta kolektive kundër dezinformatave nuk ka të bëjë vetëm me korrigjimin e të pavërtetave. Ajo fokusohet në ruajtjen e shoqërive tona demokratike, në të cilat qytetarët marrin vendime dhe debatojnë në bazë të argumenteve. Lufta fokusohet në forcimin e edukimit mediatik në të gjitha nivelet, duke i bërë shoqëritë rezistente ndaj ndikimeve dhe ndërhyrjeve të jashtme. Sot, verifikimi i fakteve është nën sulm, e me këtë është sulmohet edhe demokracia. Kjo u theksua në konferencën e sotme me titull “Së Bashku për të Vërtetën: Qasje e Përfshirjes së Gjithë Shoqërisë për Mbrojtjen e Demokracisë”, që mbahet në Shkup, në organizim të Fondacionit “Metamorfozis”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, 2 Prillit.
Konferencën e hapën Ben Nupnau, Zëvendës-ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Stephan Mündges, Koordinator në Rrjetin Evropian të Standardeve për Verifikimin e Fakteve (EFCSN), si dhe Drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari.
“Metamorfozis është shembull në Maqedoni dhe më gjerë në luftën kundër dezinformatave. Me punën tuaj ju luftoni kundër cenimit të vlerave demokratike. Në BE kemi mekanizma për të luftuar dezinformatat me Ligjin për Shërbimet Digjitale dhe Ligjin për Lirinë e Medias. Platformat online që i kemi janë transparente dhe përmes tyre përhapet gazetaria e pavarur. Ne qëndrojmë me ju kur bëhet fjalë për mbrojtjen më të madhe për gazetarët dhe verifikuesit e fakteve. Kjo konferencë është një mundësi për të shkëmbyer praktika dhe për të forcuar përpjekjet tona për të ruajtur demokracinë dhe mediat e pavarura”, tha Nupnau, Zëvendës-Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend.
Stephan Mündges, Koordinator i Rrjetit Evropian të Standardeve për Verifikimin e Fakteve (EFCSN), theksoi se është detyrë e të gjithëve të forcohet demokracia dhe të vazhdohet lufta kundër përhapjes së dezinformatave.
“T’ju gënjejnë dhe t’ju manipulojnë do të thotë të mos jeni të lirë. Takohemi këtu në një kohë krize. Verifikimi i fakteve është nën sulm, e me këtë edhe demokracia. Këto sulme vijnë nga Lindja, por kanë filluar të vijnë edhe nga Perëndimi. Presioni politik nga SHBA-të po bën që kompanitë e mëdha teknologjike amerikane të tërhiqen nga lufta kundër dezinformatave. Programi i “Meta”-s nuk është perfekt, por është programi më i mirë për verifikimin e fakteve në një rrjet të madh social. Ai nuk i heq përmbajtjet, por e verifikon vërtetësinë e saj. Rreth 95 përqind e përdoruesve që i shohin ato etiketa nuk e klikojnë postimin, sepse nuk duan të shohin përmbajtje të rreme. Nëse “Meta” ndalon së përdoruri verifikimin e fakteve, Evropa do të jetë më e cenueshme, e po ashtu do të ulen edhe të ardhurat e verifikuesve të fakteve. “Meta” nuk është platforma e vetmi që tërhiqet, por edhe “TikTok”-u, “Microsoft”-i, “Google”, thekson Mündges.
Ai shtoi se verifikuesit e fakteve janë nën sulm në Ballkanin Perëndimor dhe se ndaj tyre ka bastisje dhe hetime të pabaza dhe se situata nuk është e mirë. Mündges theksoi bastisjen e policisë në zyrat e organizatës civile CRTA nga Serbia, e cila është gjithashtu anëtare e EFCSN-së.
“Çfarë mund të ndryshojmë? Verifikuesit e fakteve nuk do të zhduken, ne kemi një projekt të madh, me të cilin do të punojmë për të forcuar rrjetin tonë pan-evropian për të gjithë aktorët relevantë, sepse puna e verifikuesve të fakteve është e paçmueshme dhe ajo mbetet për të funksionuar e pavarur nga ndikimi politik” – shtoi Mündges.
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, foli për nevojën e harmonizimit urgjent të kornizës rregullatore të vendeve të Ballkanit me parimet e Ligjit për Shërbime Digjitale.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk i kanë garancitë e nevojshme ligjore, teknike dhe institucionale për të mbrojtur të drejtat e njerëzve në internet. Ndryshe nga BE-ja, ne nuk përfitojmë nga mbrojtjet që i ofron Ligji për Shërbime Digjitale, megjithatë të gjithë jetojmë në të njëjtën hapësirë digjitale. Kjo krijon një hendek të rrezikshëm në sigurinë dhe integritetin e internetit në Evropë. Prandaj, kërkojmë harmonizimin e menjëhershëm të kornizës rregullatore të vendeve të Ballkanit me parimet e Ligjit për Shërbime Digjitale dhe krijimin e një kornize të fortë rajonale për integritetin e informacionit” – tha Jashari.
Ai vuri në dukje se qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë dukshëm të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe të paligjshme në internet dhe se dezinformatat janë kudo – duke depërtuar në diskursin politik, ato e minojnë besimin dhe e shtrembërojnë realitetin.
“Ndërkohë, platformat e mediave sociale, veçanërisht të ashtuquajturat platforma të mëdha online, vazhdojnë të përfitojnë nga algoritmet dhe t’i amplifikojnë mospajtimet dhe dezinformatat, edhe pse ato janë kryesisht të papërgjegjshme në rajonin tonë” – shtoi Jashari.
Konferencës, me fjalimin e tij me video, iu drejtua edhe Soren Liborius, Kryekëshilltar në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), dha në konferencë.
“Dezinformatat janë një problem thelbësor me të cilin duhet të vazhdojmë të merremi. Në vitin 2015, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së ranë dakord se duhet bërë diçka për të luftuar dezinformatat e Rusisë. Pastaj filloi lufta e Donbasit, e më pas ndodhën të gjitha aktivitetet që çuan në agresionin e sotëm dhe kështu u vendos që të formohej një ekip për të luftuar përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për përhapjen e dezinformatave. EEAS ka një platformë publike, në të cilën ia komunikojmë publikut gjetjet tona, cilat janë tendencat që janë prezente, si lidhen ato me zhvillimet politike. Ne kemi zhvilluar edhe metodologjinë tonë. Në platformën euvsdisinfo.eu, kemi një bazë të dhënash, të disponueshme për publikun, ka edhe shembuj se si pala ruse përhap dezinformata” – tha Liborius.
Raporti i EEAS mbi kërcënimet nga manipulimet e huaja dhe ndërhyrjet në informacion u prezantua nga analistja e të dhënave, Chiara Pacenti, e cila foli për FIMI-n dhe kërcënimin në nivel global. Ajo vuri në dukje se Ukraina është objektivi kryesor kur bëhet fjalë për sulmet ruse FIMI, që synojnë dobësimin e lidhjeve perëndimore, NATO-s, BE-së, G7-ës.
Konferenca e sotme ndërkombëtare gjithëditore fokusohet në kërcënimet nga dezinformatat, manipulimet dhe ndërhyrjet e huaja (FIMI), integritetin zgjedhor, verifikimin e fakteve dhe bashkëpunimin ndërsektorial. Në Tiranë, nga ana tjetër, do të mbahet forumi i mbrëmjes “Demokracia ka Rëndësi – Faktet kanë Rëndësi”, i organizuar nga qendra “Faktoje”. Forumi do të nxjerrë në pah peizazhin e verifikimit të fakteve në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal dhe do të ndahet çmimi për ekselencën gazetareske – Fatos Baxhaku.
Nga: Antonija Popovska