Ja çfarë nënshkruan Kurti dhe Zaevi në Shkup për rrugën e premtuar Tetovë-Prizren

01.10.2021

Në Fokus

17 shtator të këtij viti kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti nënshkruan “Memorandum për Mirëkuptim” në lidhje rrugën e premtuar Tetovë-Prizen, e cila tani e dhjetë vite po premtohet. Portalb.mk, ka siguruar dokumentin origjinal të memorandumit, i cili i përmban 6 nene.

Sipas Memorandumit premtohet, që palët do të bashkëpunojnë mes vete për studimin e fizibilitetit për projektin në fjalë dhe se do të formojnë komisione të përbashkëta mes dy shteteve të cilat do të nxjerrin konkluzione dhe rekomandime nga studimi i fizibilitetit.

Megjithatë, me këtë memorandum nuk parashihen afate kohore kur do të zbatohen aktivitetet.

  • Neni 1

Palët në këtë nen pajtohen që të definohet fusha e përgjithshme e bashkëpunimit dhe se fusha kryesore e këtij bashkëpunimi është studimi i fizibilitetit të rrugës Prizren – Tetovë.

“Ky Memorandum për Bashkëpunim ka për qëllim që ta definojë fushën e përgjithshme të bashkëpunimit mes palëve në lidhje me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë në fushën e infrastrukturës rrugore dhe t’i konstatojë parimet kryesore për këtë bashkëpunim. Palët do të punojnë ngushtë për zbatimin e këtij Memorandumi për bashkëpunim. Fusha kryesore e bashkëpunimit mes palëve do të jetë studimi i fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë, për të cilën palët do të kenë interes të përbashkët”, thuhet në nenin 1.

  • Neni 2

Ka të bëjë me palët e memorandumit dhe këtu shkruhen vetëm e emrat e qeverive, gjegjësisht të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

  • Neni 3

Në këtë nen janë të theksuara qëllimet e memorandumit, gjegjësisht theksohet interesi për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

“Palët pajtohen që të nxisin veprime të përbashkëta dhe ta vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës me interes për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, nëpërmjet aktivitetit të radhës me qëllim që të lidhen të dy shtetet dhe të vendoset pikë kufitare, sipas mundësi një të përbashkët (one stop shop) të bazuara në studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë”, thuhet në nenin 3.

  • Neni 4

Këtu paralajmërohen formime të komisioneve, të cilat do ta vlerësojnë studimin e fizibilitetit.

“Palët janë pajtuar që të formojnë Komisione të përbashkëta mes dy shteteve që ta vlerësojnë studimin e fizibilitetit të të dyja palëve dhe të tërheqin konkluzione përfundimtare dhe rekomandime në lidhje me projektin në fjalë”, thuhet në nenin 4.

  • Neni 5

Palët pajtohen që do të punojnë mes vete, por nuk theksohen afate kohore.

“Veprimet e parashikuara me këtë Memorandum Bashkëpunimi do të jenë në përputhje me legjislacionin që është në fuqi në të dy vendet”, thuhet në nenin 5.

  • Neni 6

Ka të bëjë me hyrjen në fuqi, të Memorandumit.

“Ky Memorandum hyn në fuqi pas nënshkrimit nga përfaqësuesit e palëve përkatëse, të definuara me nenin 2 (qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës)”, thuhet në nenin 6.

Plani për rrugën lidh direkt Tetovën me Prizrenin
Rruga e premtuar Tetovë – Prizren

Përndryshe, Memorandumi i Mirëkuptimit është një lloj marrëveshjeje mes dy ose më shumë palëve, në bazë të vullnetit mes tyre duke treguar se synojnë një linjë të përbashkët veprimi. Shpesh përdoret kur palët nuk nënkuptojnë një angazhim ligjor ose kur ata nuk mund të krijojnë marrëveshje të zbatueshme ligjërisht.

Nuk ka kurrfarë detajesh se në cilën periudhë kohore mund të fillojë ndërtimi i kësaj rruge me rëndësi të madhe ekonomike, kur do të mbarojë, apo sa do të kushtojë.

Qytetarët e RMV-së nga Tetova deri në Prizren udhëtojnë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojnë 380 kilometra, ndërsa me rrugën e premtuar kjo mund të shkurtohet në 190 kilometra.

Ndaje: