Me rastin e 28 janarit – Ditës Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Fondacioni për internet dhe shoqëri – Metamorfozis informon se është përfshirë në lëvizjen ndërkombëtare “Reclaim Your Face”. “Reclaim Your Face” është një lëvizje e filluar nga anëtarët e EDRi – Iniciativa Evropiane për të Drejtat Digjitale, në mënyrë që të kufizojë përdorimin e sistemeve për mbikëqyrje masive të qytetarëve përmes përdorimit të të dhënave personale biometrike të tyre. Të dhënat personale biometrike përfshijnë të dhëna mbi pamjen fizike dhe sjelljen e njerëzve, gjurmët e gishtërinjve, gjurmët e pëllëmbëve, njohjen e fytyrës, ADN-në, irisin dhe retinën, zërin, mënyrën e lëvizjes. Kurse mbikëqyrja biometrike është çdo monitorim, ndjekje dhe përpunim i të dhënave biometrike të personave ose grupeve të personave në mënyrë jo-selektive.

Gjithnjë e më shumë kompani private janë përqendruar në risitë teknologjike që do t’u mundësojnë atyre të marrin sa më shumë informacion në lidhje me identitetin e qytetarëve përmes të dhënave të tyre biometrike, ndërsa vendet vendosin sisteme për mbikëqyrjen biometrike të qytetarëve, të tilla si mbikëqyrja me video e hapësirave publike dhe përdorimi i sistemeve për mbledhjen e gjurmëve të gishtërinjve. Kjo tendencë nuk ndalet edhe pse Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR – General Data Protection Regulation) dhe ligjet kombëtare janë të rrepta në lidhje me përpunimin e të dhënave biometrike personale dhe kërkojnë analizë të veçantë për arsyeshmërinë e përdorimit të sistemeve të mbikëqyrjes biometrike, në bazë të të cilave vlerësohet nëse një mbikëqyrje e tillë do të lejohet. Bile edhe atëherë kur do të lejohet një sistem për mbikëqyrje biometrike masive, duhet të respektohet parimi i transparencës. Qytetarët duhet të informohen në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme se kush, në çfarë mënyre, për çfarë qëllimi i përpunon të dhënat e tyre personale biometrike, si dhe për të drejtën e pëlqimit, atëherë kur është e zbatueshme.

Lëvizja bën thirrje për: 1. transparencë – mënyra e vetme për të zhvilluar një debat demokratik dhe transparent është të zbulohen mjetet që përdoren për mbikëqyrje biometrike masive dhe të shpjegohen dhe justifikohen motivet e përdorimit të tyre. 2. tërheqjen e vijave të kuqe – mbikëqyrja masive biometrike e qytetarëve është e paligjshme në Bashkimin Evropian, ndërsa të dhënat personale biometrike janë të dhëna personale të ndjeshme, kështu që një pjesë e madhe e mënyrave të përdorimit të të dhënave biometrike nuk mund të arsyetohen me ligj. Vijat e kuqe duhet të ekzistojnë për të shmangur trajtimin diskriminues të qytetarëve dhe 3. respektin për njerëzit dhe privatësinë e tyre – prapa arsyetimit se mbikëqyrja do të ndihmojë në sigurinë dhe cilësinë e jetës, në fakt, ndërtohet një kulturë e dyshimit te qytetarët, sjelljet, shprehitë, lëvizjet e tyre. Është e pamundur të kesh një jetë dinjitoze pa dëshmuar se respektohet vullneti i lirë dhe zgjedhja e lirë.

Më shumë informacion në lidhje me “Reclaim You Face” mund të gjeni në: https://twitter.com/ReclaimYourFace, https://www.facebook.com/ReclaimYourFace, https://www.instagram.com/reclaimyourface/