Mijëra kumanovarë tashmë katër dekada helmohen me arsenik dhe substanca të tjera helmuese (FOTO)

09.12.2021

Në Fokus

Fshatrat e Kumanovës Tabanoci, Llojani dhe Vaksinca me dekada helmohen me arsenik dhe substanca të tjera të rrezikshme që janë të shpërndara në dy lokacione përgjatë kufirit me Serbinë, njofton Portalb.mk.

Në lokacionin e parë, në afërsi të stacionit hekurudhor në Tabanoc, gjendet deponia ilegale me qindra tonelata zgjyrë nga miniera e mbyllur e kromit, antimonit dhe arsenikut “Llojan”, që e ka ndërprerë punën në vitin 1979.

Në Tabanoc, në afërsi të kampit të refugjatëve, shtëpive të banorëve të Tabanocit, por edhe lokacionit ku në të ardhmen do të ndërtohet pikë-kalimi i përbashkët kufitar hekurudhor ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, është deponia ku ka këso substanca të rrezikshme.

Ekipi i Meta.mk dhe Portalb.mk dolën në vendin e ngjarjes, në Tabanoc, dhe e panë se sa i rrezikshëm është vetë lokacioni. Hapësira ku është shpërndarë arseniku dhe substancat e tjera të rrezikshme nuk është fare e rrethuar e gjithashtu nuk ka fare paralajmërim për vendasit dhe të huajt se qëndrimi për një kohë më të gjatë, në atë vend, mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.

Foto: Portalb.mk

Në lokacionin në Tabanoc dikur ka qenë shkritorja e xehes, që sot është tërësisht e shkatërruar. Aty shihen shishe, rroba dhe mbetje të ushqimit, që tregon se në të kaluarën aty janë fshehur migrantë, të cilët kanë planifikuar të kalojnë kufirin me Serbinë.

Iu afruam substancave të rrezikshme për t’i incizuar se si janë të shpërndara, por sapo u afruam te vendi, e ndje era e athët e metaleve dhe përbërjeve të tjera të shpërndara atje. Ndonëse mbanim maska ​​​​mbrojtëse, pasi ecëm rreth e përqark në terren, pas 15 minutash u shfaq kokëdhimbje e mprehtë,.

Pranë deponisë në Tabanoc, banorët e fshatrave në afërsi mbjellin kultura bujqësore. Një lumë rrjedh shumë afër deponisë, ndërsa erën e arsenikut mund ta nuhasin si pasagjerët në stacionin hekurudhor aty pranë, ashtu edhe refugjatët e vendosur në një kamp në afërsi.

Nga Tabanoci u drejtuam për në fshatin Llojan, afër të cilit ndodhet ish miniera e kromit, antimonit dhe arsenikut. Ndërtesat e braktisura të minierës “Llojan” janë vend ideal për ndonjë film horror. Në minierën e zhveshur, pa dyer dhe dritare, mund të shihen mbetje ushqimesh, veshjesh dhe pijesh, çka tregon se edhe në këtë lokacion ka pasur persona që kanë qëndruar para pak kohe.

Në deponinë me zgjyrë në Llojan gjenden 15.000 tonelata sulfur arseniku, të cilat edhe sot e kësaj dite janë të shpërndara pranë ndërtesës së vetë minierës. Mbi ndërtesën e minierës vumë re dele dhe lopë, që popullata lokale i kulloste në zonën përreth ku toka, ajri, uji dhe bimët janë të ndotura me metalet e rrezikshme.

Prej te ndërtesa e shkatërruar e minierës dëgjohet zhurma e ziles së shkollës fillore “Rilindja”. Nxënësit shkojnë në shtëpi drejt fshatit Llojan. Ata çdo ditë janë të ekspozuar ndaj rrezikut prej arsenikut dhe përbërjeve të tjera të shpërndara në deponinë e zgjyrës, pasi objekti shkollor është vetëm rreth 100 metra vijë ajrore nga pika kritike.

Njësoj, si në Tabanoc, në minierën e Llojanit u futëm pa problem, sepse hapësira nuk është e rrethuar, nuk ka ndonjë shenjë, të paktën rreth zgjyrës se nuhatja, loja apo konsumimi edhe i sasive më të vogla të substancave mund të shkaktojë sëmundje të rëndë ose vdekje si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit.

Në zonën e minierës Llojan, gjetëm vetëm një ekskavator, por në afërsi nuk kishte askush për ta pyetur nëse ekskavatori ishte aty për të filluar pastrimin e terrenit.

Institucionet e hedhin topin mes veti

Se mbetjet dhe deponia e rrezikshme nga arseniku dhe metalet e tjera duhet të pastrohen e kanë të qartë edhe banorët, edhe autoritetet komunale edhe shteti.

Nga Ministria e Ekonomisë, për Meta.mk, thonë se në gusht të vitit 2014 është nënshkruar kontratë ndërmjet Qeverisë së RMV-së dhe koncesionarit “KALTUN MADENXHILIK” SHPK nga Shkupi, me të cilën parashihet eksploatimin e lëndës minerale teknogjene në lokacionin “Llojan”. Ky subjekt ka lidhur edhe marrëveshje koncesionare për lokalitetin në fjalë, ndërsa më datë 06.02.2018 për këtë kompani është lëshuar licenca për eksploatim të lëndëve të rrezikshme që ndodhen në Llojan.

“Në bazë të Ligjit për Lëndë të para Minerare, Kërkesës për lëshim të lejes për eksploatim, koncesionari ia ka bashkangjitur Vendimin për miratimin e Elaboratit për mbrojtjen e mjedisit, të lëshuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Drejtoria për Mjedis jetësor nr. 11-2714/3 datë 27.06.2016”, kanë informuar nga Ministria e Ekonomisë.

Nga kjo ministri nuk kemi marrë përgjigje konkrete përse materiet e rrezikshme nuk janë zhvendosur nga lokacioni në Llojan, por prej atje informojnë se kontrata për koncesion me këtë kompani është e vlefshme deri më 25.8.2024.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, për Portalb.mk thonë se në vend nuk ka deponi për mbeturina të rrezikshme, ku mund të zhvendoset zgjyra dhe xehet nga lokacionet ekzistuese në Tabanoc dhe Llojan.

“Sipas nenit 54 të Ligjit për Lëndë të para Minerare, pas lëshimit të lejes për eksploatim, koncesionari është i detyruar të fillojë eksploatimin e lëndës së parë minerare brenda dy vitesh për pasuritë minerare teknogjene”, thanë shkurtë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, duke na drejtuar për më shumë detaje në Ministrinë e Ekonomisë.

Për momentin nuk do të hynim në atë nëse dhe në çfarë mase koncesionari ia ka dalë të largojë lëndë të rrezikshme nga terreni në vitet e kaluara, por nga gjendja, që e pamë në terren, është e qartë se edhe në Llojan edhe në Tabanoc ka sasi të mëdha të shpërndara të arsenikut dhe substancave të tjera.

Për rreziqet nga ndotja e ujit, tokës, ajrit dhe gjithë ushqimit që prodhohet në këtë pjesë të rajonit të Kumanovës, Meta.mk kërkoi përgjigje nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor (ISHMJ).

Nga Inspektorati thonë se në shtator të këtij viti kanë bërë inspektime në minierën “Llojan” dhe deponinë në Tabanoc, ndërsa më herë janë bërë kontrolle periodike në të dyja lokacionet, ku si thonë nga ISGHMJ kanl gjetur se nuk ka shërbim për sigurim.

Inspektimet janë kryer në datat 12 dhe 14 shtator, në të dy lokacionet. Konkluzioni i Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor është se mbetjet e zgjyrës përmbajnë përqendrim të lartë të arsenikut dhe se përbëjnë rrezik të madh për shëndetin e njerëzve dhe mjedisit jetësor. Pas inspektimit, ISHMJ i ka dërguar shkresë Ministrisë së Mjedisit Jetësor për të filluar aktivitetet për pastrimin e deponive të mbeturinave të zgjyrës në Tabanoc.

Ajo që mund të gjendet në terren përreth minierës “Llojan” mund të lexohet në Studimi i fizibilitetit për minierën “Llojan”, të punuar në vitin 2007. Aty përcaktohen burimet e ndotjes, është bërë specifikimi dhe përcaktimi i sasive të ndotësve, janë përcaktuar zonat e kontaminuara dhe rreziku që shkaktohet nga kontaminimi.

Propozohen teknologjitë për mbyllje, pastrimt dhe riparim të tokës, për eksploatim në të ardhmen, duke përfshirë fondet e nevojshme për rehabilitim, por në terren në periudhën 2008-2010 është zbatuar vetëm projekti “Riparimi i qëndrueshëm dhe menaxhimi i ndotjes në Buçim dhe Llojan”. Në pjesën për Llojanin, në kuadër të projektit, është bërë rikultivimi i një pjese të zgjyrës së vjetër pranë shkollës fillore në fshatin Llojan, për shkak të nevojës urgjente për zvogëlimin e rrezikut mbi shëndetin e fëmijëve.

Nga Komuna Likovë, në territorin e së cilës gjendet fshati Llojan, për Portalb.mk bëjnë të ditur se janë komunë rurale dhe për shkak të kapacitetit të vogël financiar nuk kanë mundësi të pastrojnë plotësisht arsenikun dhe xehet tjera.

“Ka pasur iniciativa të ndryshme nga Ministria e Ekonomisë për hapjen e minierës, por është e qartë se për shkak të çmimit të lartë janë anuluar”, tha për Portalb.mk kryetari i Komunës Likovë, Erkan Arifi.

Për të lehtësuar jetën e popullatës nga fshati Llojan, Komuna e Likovës po e ndërton ujësjellësin komunal, ku tashmë është vendosur tubacioni kryesor nga penda e Gllazhnjës, fshatin Likovë e deri në fshatin Llojan; gjithashtu është vendosur edhe tubacioni kryesor nga fshati Sllupçan deri në fshatin Opajë dhe nga fshati Likovë deri në fshatin Nikushtak. Në fshatrat e Likovës kla filluar edhe ndërtimi i rrjetit dytësor të ujësjellësit, ndërsa qëllimi përfundimtar është që banorëve të fshatit Llojan të kenë ujë të pijshëm që nuk është i kontaminuar me arsenik dhe helme të tjera.

“Më parë ka pasur një projekt të disa shoqatave të huaja për pastrimin e arsenikut dhe xeheve të tjera në komunë, por fatkeqësisht nuk pastrimi nuk u realizua plotësisht sepse projekti ka kushtuar shumë. Asokohe Ministria e Ekologjisë e mbulonte pastrimin e arsenikut dhe xeheve të tjera dhe mbilleshin pemë”, sqaron kryetari Arifi.

Ai shton se Komuna e Likovës ka kontakte me pushtetin qendror dhe se bisedojnë për këtë problem, ndërsa autoritetet lokale janë plotësisht të hapura për bashkëpunim me autoritetet shtetërore dhe koncesionarin, si dhe me shoqatat mjedisore nga vendi dhe jashtë.

Banorët presin përmbushjen e premtimeve

Ekipi i Meta.mk dhe Portalb.mk bisedoi edhe me disa banorë të fshatit Llojan. Njërin e takuam në afërsi të minierës, duke kryer i vetëm punë bujqësore.

Ai na tha se arsenik më së shumti ka në fshatrat Llojan dhe Vaksincë, ndërsa banorët kanë problem me ujin e pijshëm. Shumica e shtëpive ende përdorin ujë nga puset, por ky lloj uji është shumë i dëmshëm, sepse i gjithë vendi është i ndotur me arsenik dhe metale të tjera.

“Sa i përket mbjelljes, po mbjellim, por bereqetin nuk do ta marrim si duhet, sepse 100 hektarë prej këtu e deri në Tabanoc janë shkatërruar nga arseniku, toka është shkatërruar, asgjë nuk bëhet. Shumë e dëmshme për bereqetin. Ata (autoritetet) premtojnë tashmë 20-30 vjet, por nuk bëjnë asgjë. “Do ta hapim sot, do ta hapim nesër, por nuk bëhet gjë, vetëm fjalë kot”, tha bashkëbiseduesi ynë, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Në mes të fshatit Llojan takuam Azir Azirin, i cili ishte i disponuar të fliste për problemin akut që kanë banorët e këtij rajoni.

Ai thotë se me ujë dikur janë furnizuar nga lumi i fshatit, por më pas tre persona ishin helmuar nga arseniku. Vetë uji mban erë arseniku.

“Lajmin e përhapa në fshat, u kam thënë njerëzve të mos e përdorin ujin e lumit dhe përreth lumit. Siç më kanë informuar njerëzit këtu, ka një pjesë ku nuk përdoret sepse uji është i helmuar me arsenik dhe kam dëgjuar nga të moshuarit se gjatë historisë ka pas raste të vdekjes së njerëzve nga kanceri në moshë të hershme të jetës për shkak të ujit”, tha Azir Aziri.

Ai na tregoi për hallin e banorëve të zonës, të cilët paguanin 4000-5000 euro për hapjen e një pusi, madje në thellësi deri në 80 metra vetëm për të gjetur ujë të pijshëm.

Banorët e Llojanit janë të revoltuar dhe të zhgënjyer nga institucionet dhe prej tyre kërkojnë që të punojnë për zgjidhjen e problemit që ua rrezikon jetët.

Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se vitin e kaluar është ndryshuar Ligji për Mjedisin Jetësor për të mundësuar identifikimin formal të zonave të kontaminuara në vend. Me këtë do të miratohen dispozita të reja me të cilat do të rregullohet menaxhimi me ndonjë zonë të kontaminuar, përkatësisht do të krijohet bazë ligjore për të miratuar metodologji për identifikim të një zone të caktuar si të kontaminuar.

Ky ligj është në fazën e miratimit në Kuvendin e RMV-së, pastaj Qeveria do të mund të shpallë një zonë të caktuar të kontaminuar dhe të miratojë Plan për menaxhim me zonën e kontaminuar. Pasi të përfundojë krejt procedura, vetë Plani do të përfshijë rehabilitimin e terrenit, me çka të paktën do të lehtësohej problemi i ndotjes së mjedisit.

Për rehabilitimin e terrenit, me studimin e fizibilitetit të vitit 2007 u vlerësua se do të nevojiteshin rreth 3,4 milionë dollarë. Prej atëherë e deri më sot xehja përhapet përmes erës, uji të pijshëm, mbillen dhe hahen kulturat bujqësore, kontrolli mbi gjithë këtë bëhet, por nuk ka asnjë reagim.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor sqarojnë se studimi i fizibilitetit do të duhet të rishikohet, ndërkohë që tashmë është e sigurt se vetëm për rehabilitimin e terrenit do të nevojiten shumë më tepër fonde se sa ishin përcaktuar në vitin 2007. Gjatë kësaj, në këto mjete nuk do të përfshihen mjetet e nevojshme për zhvendosjen e substancave të rrezikshme nga Tabanoci dhe Llojani.

Derisa institucionet thonë se për zgjidhjen e problemit nevojitet qasje e integruar dhe përfshirje e disa institucioneve, banorët e Llojanit dhe Tabanocit thonë se janë lodhur nga premtimet. Ata kërkojnë që sa më parë të kalohet në realizim konkret të aktiviteteve, me të cilat do të mund që së pari të ndalet vdekja e heshtur e banorëve të fshatrave përreth.

Kronikën e përgatitur për këtë temë, me pamje deponitë në fshatrat Tabanoc dhe Llojan do të mund ta ndiqni në emisionin e sotëm në Shortcut në Meta.mk dhe Portalb.mk.

Autorë: Bojan Blazhevski dhe Teuta Buçi

Ndaje: