Plagjiaturat: Rasti që nuk po merr epilog, të gjitha rrugët çojnë në UT por ajo hesht

02.11.2021

Në Fokus

Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj nga kur revista “Veritas” publikoi rastin e plagjiaturave të profesorëve nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, por ky rast ende nuk po merr epilog. Inspektorati i Arsimit, Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës thonë se nuk janë kompetent për të vërtetuar nëse profesorët kanë bërë plagjiat për punimet shkencore. Rasti është dashur që të paraqitet në Polici ose Prokurori, por kjo deri më tani nuk është bërë. Të gjitha rrugët çojnë në Universitetin e Tetovës, por nga atje vazhdojnë të heshtin për këtë rast, shkruan Portalb.mk.

Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj nga kur disa profesorë të Fakultetit të Mjekësisë në UT u akuzuan se kanë kryer veprën penale – plagjiaturë. Përderisa qytetarët vazhdojnë të presin zbardhjen e rastit, ende nuk ka një konkluzion për të, sepse Universiteti i Tetovës vazhdon të hesht për këtë rast duke mos informuar publikun.

“Dokumentet” për plagjiaturat e mundshme janë shëtitur në dyert e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës të cilët thonë se nuk janë kompetente për të vërtetuar në qoftë se një vepër shkencore është apo jo plagjiaturë. Megjithatë, dokumentet është dashur të dërgohen në Polici ose Prokurori.

Avokati Valentin Pepeljugovski, potencoi se Universiteti përkatës është dashur që rastin menjëherë ta dërgojë në Prokurorinë Publike.

Valentin Pepeljugovski, avokat.
Valentin Pepeljugovski, avokat.

“Në qoftë se një Universitet apo fakultet ka informacion se është kryer çfarëdo shkelje e të drejtës të autorit – plagjiaturë, ka obligim që të njëjtën ta paraqesë te Prokuroria Publike. Megjithatë, për mbrojtje të të drejtave morale dhe këmbim të dëmit shkohet përmes ankesës private, edhe atë civile dhe penale. Gjegjësisht, të drejtën e pronës intelektuale, përfshirë edhe ato autoriale dhe që janë të lidhura me atë janë të drejta private dhe për këtë autorët dhe bartësit e të drejtës janë të obliguar që të kujdesen për ata.” tha Valentin Pepeljugovski.

Avokati shtoi se kompetencë veprimi në raste të tilla ka policia dhe Prokuroria Publike, pas denoncimit nga ana e Universitetit, ndërkaq pas mbylljes së rastit dhe vendimit të plotfuqishëm gjyqësor, sipas Pepeljuvoskit, ngelet në dorën e Këshillit Mësimor Shkencor të fakultetit përkatës të veprojë. Ai shtoi se nuk është patjetër të jetë vërtetuar plagjiatura në mënyrë që institucionet e lartpërmendura të veprojnë, shtoi se ata mund të ndërmarrin masa edhe kur ka indice për diçka të tillë ndërkaq në fund kompetente është gjykata përkatëse.

“Institucionet nuk e kanë të ndaluar në momentin kur do të dyshojnë për diçka të tillë të ndërmarrin vetiniciativë. Megjithatë, kur do të ketë aktgjykim të plotfuqishëm me të cilën vërtetohet ekzistimi i plagjiaturës ata patjetër e kanë të veprojnë sipas ligjit. Përndryshe, për të vërtetuar në qoftë se një vepër është plagjiaturë, kompetente janë gjykatat.” tha Pepeljugovski.

Rasti i plagjiatëve nuk është dorëzuar në Polici apo Prokurori

Nga Policia për Portalb.mk njoftojnë se nuk ka pasur asnjë raportim për plagjiaturë gjatë këtij viti dhe atij të kaluarit.

“Në rajonin e SPB Tetovë gjatë këtij viti, si dhe vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë raportim për plagjiaturë të punimeve për master apo doktoratë, nga individ apo institucion tjetër arsimor. Edhe në rastin e profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë askush asgjë nuk ka denoncuar.” thanë nga SPB Tetovë.

Edhe nga Prokuroria Themelore Publike për Portalb.mk thanë se në Prokurorinë Themelore në Tetovë nuk ka të raportuar diçka të tillë.

Kjo deri tani nga Inspektorati i Arsimit nuk është bërë pasi në bazë të ligjit për të drejtat autoriale, autorët e punimeve vet duhet të denoncojnë rastin në prokurori.

Ndërsa Universiteti i Tetovës vazhdon të hesht për këtë rast edhe përkundër insistimeve të Portalb.mk për të marrë përgjigje.

Inspektorati i Arsimit pati hetim disa ditor në Universitetin e Tetovës. Sipas hetimit, u konstatua se vetëm për dy profesorë ka bazë juridike për hetim të mëtutjeshëm. Megjithatë më pas, u shprehën se edhe këta profesorë nuk janë plotësisht me faj sepse nuk kanë përfituar juridikisht (d.m.th. se i njëjti nuk e ka shfrytëzuar atë punim shkencor për t’u zgjedhë profesor i gradës më të lartë apo për të mbrojtur temën e doktoratës dhe kështu me radhë.) nga punimet për të cilat akuzohen se i kanë vjedhur. Nga Inspektorati deklarohen se nuk janë kompetent për të kontrolluar plagjiaturat.

Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.
Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

“ISHA nuk ka kompetenca për verifikim të atyre punimeve përderisa nuk ka përfitime juridike dhe nuk e kanë kaluar fazën e kontrollit në bazën e plagjiaturave. Por me udhëzim të ISHA është formuar komision për verifikim të punimeve në kuadër të Fakultetit. Sa i përket punimeve shkencore të profesorëve edhe ato punime nuk janë përdorur për përfitime juridike dhe në bazë të ligjit për të drejtat autoriale, autorët e punimeve vet duhet të denoncojnë rastin në prokurori.” tha Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk thanë se sipas Ligjit për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore, të gjitha tezat master, specializimit dhe punimet seminarike të studentëve duhet të futen në sistemin plagijati.mk nga mentori, pra profesori. Kjo krijon një bazë të dhënash qendrore të këtyre punimeve, e cila më pas mund të përdoret për të zbuluar plagjiaturën. Nga ku pasi të vendoset një punim në sistemin “plagijati.mk” dhe të gjenerohet raport, mentori në mënyrë të pavarur vendos nëse është plagjiaturë.

“Në rastin konkret të Universitetit të Tetovës, bëhet fjalë për punime shkencore të kuadrit mësimor-shkencor që nuk i nënshtrohen verifikimit të sistemit plagijati.mk dhe për të cilat dyshohet se kanë shkelur disa të drejta autoriale. Dhe mbrojtja e të drejtës së autorit rregullohet me Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, që është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës.” thanë nga Ministria e Arsimit.

Nga Inspektorati i Arsimit nuk përgjigjen në qoftë se mund të shpallet e mbyllur kjo lëndë dhe profesorët e akuzuar të amnistohen pa u ngritur një procedurë konkrete kundrejt tyre si dhe në qoftë se ata si inspektorat ndjejnë përgjegjësi për këtë.

Prej te Inspektorati dhe Ministria e Arsimit, te Ministria e Kulturës

Irena Stefoska
Irena Stefoska

Humbja e kohës për zbardhjen e këtij rasti vazhdoi me dërgimin e punimeve të dyshimta në Ministrinë e Kulturës, nga ku rezultoi se as kjo e fundit nuk është kompetente. Nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk konfirmuan se me datë 6 prill nga Inspektorati i Arsimit kanë pranuar një kërkesë të tillë, megjithatë, potencuan se ata nuk janë kompetent për të vërtetuar origjinalitetin e një punimi shkencor as dhe kur kërkesa për këtë vjen nga një institucion tjetër.

Nga kjo ministri, në një përgjigje me shkrim, duke cituar nene të Ligjit për të drejtat autoriale dhe Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore treguan se nuk janë kompetentë për punime shkencore por për akte të tjera.

Të gjitha rrugët çojnë në UT, por UT hesht

Hera e parë dhe e fundit kur UT është deklaruar për këtë rast ishte me 17 mars, ku sipas tyre këto publikime janë thjeshtë tentativa për të njollosur këtë institucion nga botues anonim, revista pa adresë dhe persona me agjenda të dyshimta. Nga atje thanë se hulumtimet shkencore në Universitetin e Tetovës janë në përputhje me të gjitha kriteret dhe kushtet.

Arafat Shabani, foto nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Zëvendës-ministri i Arsimit, Arafat Shabani për Portalb.mk tha se si ministri nuk janë kompetent për këtë çështje, ai theksoi që sipas autonomisë që e ka universiteti, ato vetë i shqyrtojnë dhe kanë organet dhe sistemin e vet që nëse zbulojnë diçka duhet ta eliminojnë prej procedurave/rregullave të veta.

“Nëse ka përmasa tjera, duhet ta dorëzojnë në prokurori, këto informata faktikisht duhet prej UT-së ti merrni. Ne nuk kemi diçka oficialisht që na ka informuar Prokuroria dhe UT-ja.” tha Arafat Shabani.

Portalb.mk ka tentuar disa herë të merr përgjigje për shumë pyetje nga UT, në lidhje me rastin e plagjiatëve të Fakultetit të Mjekësisë, por të njëjtit vazhdimisht kanë heshtur si në emaile po ashtu edhe në thirrje. Të premten (22 tetor) Portalb.mk dërgoi edhe kërkesë me disa pyetje për rastin në fjalë, nëpërmjet ligjit për qasje të lire për informata me karakter publik, dhe nga UT obligohen që të na kthejnë përgjigje për të njëjtat. Gjithashtu kemi njoftuar edhe rektorin, sekretarin gjeneral dhe zyrën për informim por askush prej tyre nuk përgjigjet.

Në ueb-faqen e UT-së mungon edhe statuti i këtij universiteti, të cilin edhe e kemi kërkuar në kërkesën tonë. Këto janë pyetjet për të cilat Portalb.mk kërkon përgjigje nga UT:

Kërkesa me pyetje e Portalb.mk ndaj UT-së
Kërkesa me pyetje e Portalb.mk ndaj UT-së
  1. A i keni dorëzuar rastet e plagjiaturave në Prokurorinë Publike ose polici, nëse jo pse? Nëse po, deri në cilën fazë është ky proces?
  2. Pse nuk janë marrë masa ndëshkimi për profesorët e akuzuar për plagjiaturë?
  3. Cilat janë vendimet e këshillit mësimor shkencor për rastin e plagjiaturave? Pse nuk kanë marrë hapa konkret për rastin në fjalë?
  4. Kush janë në këshillin mësimor shkencor dhe çfarë duhet të bëjnë?
  5. A është formuar komisioni adekuat i cili do të përpilojë raport adekuat për temat e doktoratës të kandidatëve të akuzuar për plagjiaturë?
  6. Cila është politika e universitetit kundër plagjiaturave?
  7. Pse statuti i UT-së nuk gjendet në ueb-faqe?
  8. Na siguroni statutin e UT-së si dokument ju lutemi.
  9. Pse rasti i plagjiaturave po kalon në heshtje nga UT, kur opinioni duhet të informohet me këtë rast?

Çka thonë statutet e universiteteve tjera për plagjiaturën?

Siç u theksua, statuti i UT-së mungon në ueb faqen e të njëjtës, andaj analizuam statutet e disa universiteteve tjera se çfarë thonë për plagjiaturën.

statutin e Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” plagjiatura përmendet te llojet e shkeljeve disiplinore.

  • Në Nenin 39 pika 4, në shkeljet e renda disiplinore përfshihet: plagjiatura në formën e transferimit të punimit seminarik, detyrave të shtëpisë dhe esesë akademike të dikujt tjetër e cila do të duhej të punohej vetë në mënyrë të pavarur ose në grup, në emër të vetin.

statutin e Universitetit “Nënë Tereza” plagjiatura përmendet te llojet e shkeljeve disiplinore.

  • Në Nenin 313 pika 5, në shkeljet e rënda disiplinore përfshihet: plagjiatura në formën e transferimit të punimit seminarik të dikujt tjetër ose esesë akademike në emër të vetin.

statutin e Universitetit të Evropës Juglindore, plagjiatura përmendet te llojet e shkeljeve disiplinore.

  • Në Nenin 68, pika 2, në shkeljet e rënda disiplinore përfshihet plagjiatura në çfarëdo lloj forme.

Si dënohet plagjiatura në Kosovë?

Sipas nenit 130 të Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, një kandidati mund t’i revokohet titulli akademik Doktor shkence, ndër të tjerash nëse dëshmohet se punimi i tij/saj është plagjiat apo shkelje e të drejtës së autorit.

Po ashtu, një bartësi mund t’i hiqet titulli akademik nga Senati, me arsye dhe argument të fortë si dhe rekomandim të rektorit. Arsye apo argument i fortë, sipas nenit 134, përbën:

  • Falsifikimi apo mashtrimi gjatë vlerësimit ose provimit;
  • Plagjiatura apo shkelja e të drejtës së autorit në përgatitjen e diplomës apo të punimit tjetër me shkrim;
  • Ndonjë praktikë tjetër joetike.

Të njëjtat masa parashihen edhe sipas Statutit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

LEXO NË MËNYRË KRONOLOGJIKE TË GJITHË LAJMET PËR RASTIN E PLAGJIATURAVE NGA PROFESORËT E UT-SË:

Ndaje: