Menyja

Organizatat rinore e përshëndesin tërheqjen e Propozim-ligjit për të rinj

45 organizatat rinore dhe qytetare e përshëndesin vendimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për ta tërhequr Propozim-ligjin për të rinj, i cili nga ana e ekspertëve dhe publiku i gjerë u vlerësua si jodemokratik dhe kufizues për të rinjtë.

Vendimi u mor mbrëmë vonë, në mbledhjen e hapur të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Siç u njoftua në profilet zyrtare të qeverisë në Facebook dhe në Twitter, Propozim-ligji për të rinj tërhiqet nga procedura kuvendore me qëllim që të bëhen konsultime më të gjera me organizatat rinore joqeveritare. Vendimi i Qeverisë u soll vetëm gjysmë dite pas konferencës për shtyp të organizatave rinore, të mbajtur para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Organizatat që ngritën iniciativë për mbrojtjen e pjesëmarrjes rinore dhe të cilat parashtruan propozime për ndryshime dhe plotësime të Propozim-ligjit deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, konsiderojnë se tërheqja e tij është e dobishme dhe është bërë në momentin e vërtetë, para se të bëhet dëm më i madh mbi organizimin rinor. Organizatat potencojnë se në procesin e krijimit të zgjidhjeve ligjore i cili do të bëhet në të ardhmen duhet të kyçen në mënyrë të drejtpërdrejt të gjithë faktorët rinorë, duke i përfshirë edhe të gjitha organizatat e interesuara rinore dhe forumet rinore të partive politike.

Iniciatorët i falënderojnë për angazhimin dhe përkushtimin të gjitha 45 organizatat dhe i ftojnë të gjithë të rinjtë të interesohen më tepër për politikat rinore dhe organizimin e të rinjve në nivel lokal dhe shtetëror. 45 organizatat do të vazhdojnë edhe më tutje të marrin pjesë në mënyrë aktive në analizën dhe në krijimin e zgjidhjeve efektive të problemeve të të rinjve. Fokusi do të orientohet drejt sigurimit të kushteve për formim të Parlamentit kombëtar rinor, si trup i vetëorganizuar i të gjitha llojeve të shoqatave të të rinjve në Republikën e Maqedonisë, pa dallim të moshës së tyre, orientimit politik, se a bëhet fjalë për shoqatë formale ose joformale, përkatësisë etnike, fetare apo të ndonjë lloji tjetër.

Poqese miratohej, propozim-ligji aktual do të fuste më tepër burokraci, kontroll dhe kufizim të organizimit të të rinjve, ndërsa precedent plotësues ishte që organi më i lartë përfaqësues i të rinjve në vend të jetë Këshilli shtetëror i të rinjve, në të cilin, më shumë se gjysma e anëtarëve janë përfaqësues të ministrive të Republikës së Maqedonisë.

Procesi i përfaqësimit kundër zgjidhjeve të propozuara jodemokratike u përcoll edhe me aktivitet të shtuar të të rinjve në internet, duke u dërguar ankesa vendimmarrësve si dhe duke i tag-uar në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter.

Burimi: mladizakon.org „Младинските организации го поздравуваат повлекувањето на Предлог-законот за млади“ 31 tetor 2011.

Artikujt e ndërlidhur