Menyja

Qeveria ruse përpiqet ta rrisë kontrollin mbi internetin

Organet ruse të sigurisë ndërmarrin masa të reja për zgjerimin e mbikëqyrjes së tyre të internetit, duke kërkuar nga ofruesit e internetit që përkohësisht t’i ruajnë të gjitha të dhënat e trafikut në internet dhe t’ia vënë ato në dispozicion të Shërbimit federal për siguri (FSB).

Sipas një artikulli të botuar në gazetën Kommersant, Vympelkom, pronari i rrjetit celular Beeline ka parashtruar ankesë deri te Ministria për komunikime në lidhje me dispozitën e re të publikuar më 21 tetor 2013, të përgatitur nga ministria nl bashkëpunim me FSB-në, me të cilën do të kërkohet nga ofruesit e internetit që ta ndjekin gjithë trafikun në internet, duke i përfshirë edhe adresat IP, numrat e telefonit dhe emrat shfrytëzues.

Dispozita që duhet të hyjë në fuqi në korrik të vitit 2014, poashtu kërkon nga ofruesit e internetit që t’i ruajnë të dhënat e trafikut 12 orë pasi janl mbledhur ato dhe t’u japin qasje ekskluzive deri te ato shërbimeve të sigurimit. Vympelkom thotë se me këtë dispozitë shkilen disa nene të Kushtetutës ruse, duke e përfshirë edhe të drejtën për privatësi dhe gjykim të drejtë.

Xhulius Tai, udhëheqës i firmës së avokatëve Bartolius konsideron se me këtë dispozitë shkilet jo vetëm Kushtetuta, por edhe Kodi penal, Ligji për procedurë penale dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. “Mundësitë aktuale juridike dhe teknike për qasje deri te të dhënat personale të shfrytëzuesve në internet nga ana e agjencive policore janë të mjaftueshme. Zgjerimi i pakufizuar i këtyre mundësive do të çojë deri te shkelja e të drejtave të qytetarëve të thjeshtë”, tha z. Tai.

FBS-ja do ta mbikëqyrë internetin nëpërmjet sistemit SORM, Sistemit për veprime hetuese operative, i cili kërkon nga ofruesit e internetit të vendosin “kuti të zeza” në serverët e tyre, duke e orientuar gjithë trafikun në internet nëpërmjet zyrave të FSB-së në kohë reale, dhe t’i ndjekin adresat IP dhe emrat shfrytëzues.

Sipas bloguesit Eldar Murtazin, analist në Mobile Research Group, për shkak se FSB nuk ka resurse ose teknologji për ndjekje efikase të gjithë trafikut në internet në kohë reale, në fakt do t’i angazhojë ofruesit e internetit të bëjnë mbledhje dhe ruajtje të të dhënave, ndërsa kërkesa për ruajtje 12-orëshe do të jetë vetëm masë zbutëse.

Gjithsesi kjo do të thotë harxhime të mëdha për ofruesit e internetit, të cilët do të duhet ta blejnë dhe ta mirëmbajnë pajisjen e nevojshme për mbledhjen e të dhënave për shkak se në këtë dispozitë nuk ka informatë se autoritetet do të siguronin ndonjë lloj financimi për këtë.

 

 

Burimi: ЕDRI-gram „The Russian govt seeks to increase its control over the Internet“ nr. 11.21, 6 nëntor 2013.

 

Artikujt e ndërlidhur