Мени

Hiqet nga përdorimi sistemi francez me tre paralajmërime para çkyçjes nga interneti

Ligji francez për tre paralajmërime para çkyçjes nga interneti, i njohur si Hadopi, me vite ishte arsye për debate dhe kontroverza, fillimisht për shkak se lejonte çkyçjen e lidhjeve të internetit për personat për të cilët është konstatuar se ilegalisht shkarkojnë materiale të mbrojtura me të drejtat autoriale. Mirëpo, qeveria franceze tani heq dorë nga kjo qasje.


Më 9 korrik 2013 u publikua dekreti me të cilin eliminohej mundësia për ndërprerjen e lidhjeve të shfrytëzuesve për shkak të pretendimeve se i kanë shkelur të drejtat autoriale. Tani do të zbatohet sistemi automatik për dënime me para për ata të cilët pretendohet se e kanë shkelur ligjin për të drejtat autoriale.

Në qershor të vitit 2013, një komision prej nëntë anëtarësh, në krye me kryetarin e mëparshëm të Kanal Plus, Pjer Leskur, publikoi një raport për politikat e industrive zbavitëse në erën digjitale në të cilin, në mes tjerash, konstatohet se sistemi me tre paralajmërime para çkyçjes nuk i ka dhënë rezultatet që i ka pritur qeveria. Komisioni rekomandoi që qeveria të heqë dorë nga sistemi i çkyçjes së kundërvajtësve nga interneti.

Kjo masë do të zëvendësohet me dënimin e “klasës së pestë”, gjegjësisht me dënim me para në vlerë prej 1.500 eurosh, i cili mund të arrijë edhe në 3.000 euro në rast të shkeljes së vazhdueshme dhe “kur dispozitat e lejojnë këtë”. Sipas ministrit për kulturë, Oreli Filipeti, për shqiptimin e dënimit do të vendosë gjykatësi, i cili do të jetë organi i vetëm që do të mund “të vendosë për relevancën dhe lartësinë” e dënimit me para. Organi i pavarur Hadopi më nuk do të ekzistojë. Ky mund të jetë edhe një lajm i mirë. Por jo edhe në të vërtetë, sepse sistemi me tre paralajmërime para çkyçjes nga interneti do të vazhdojë si masë “pedagogjike” dhe me të do të menaxhojë organi rregullator audiovizuel – CSA (Conseil supérieur de l’audiovisuel).

Në ndërkohë, Irlanda po shkon në një drejtim krejtësisht tjetër. Më 3 korrik 2013, Gjykata supreme irlandeze e përkrahu qasjen “tre paralajmërime para çkyçjes” duke i përkrahur katër kompaintë muzikore që u ankuan për urdhërin për ekzekutim të dërguar nga Komesari për mbrojtjen e të dhënave më 5 dhjetor 2012 deri te Eircom, me të cilin kërkohej ta ndërpresë zbatimin e protokolit për tre paralajmërime me të cilin shfrytëzuesit marrin tre paralajmërime për shkarkim ilegal të përmbajtjeve para se t’u ndërpritet lidhja e internetit.

Gjykata supreme njëzëri e refuzoi ankesën e Komesarit për të dhëna kundër vendimit të Gjykatës së Lartë, për shkak se agjencia irlandeze për mbrojtjen e të dhënave nuk precizoi se cilat dispozita të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave janë shkelur me protokollin.

Burimi: ЕDRI-gram „The French three strikes system gave up on Internet disconnection“ бр. 11.14, 17 korrik 2013.

 

Поврзани натписи